27 Shtator, 2019

Njësoj si “Instagram”-i, “Facebook” fsheh numrin e pëlqimeve në postime

 “Facebook” do të ndjekë “Instagram”-in në fshehjen e numrit të “pëlqimeve” te postimet e përdoruesve të Australisë.

Nga e premtja, disa nga përdoruesit e rrjetit social nuk do të munden që të shohin sa “pëlqime” apo reagime të tjera ka marrë një postim i bërë nga një përdorues tjetër.

Lidhur me këtë eksperiment, kompania është shprehur se, “nuk duan që ‘Facebook’ të ndjehet si një garë”.

“Kjo është një provë për të parë se si njerëzit merren me këtë format të ri. Me kalimin e kohës do ta kuptojmë nëse do ta përdorim këtë më gjerësisht”, bëri të ditur kompania.

Kjo e fundit ka shtuar se përdoruesit e “Facebook” në Australi, ende kanë mundësi që të shohin “pëlqimet” te postimet e tyre, por jo te të tjerët.

Ndërkohë kujtojmë se shumë se një miliardë njerëz përdorin “Facebook”-un në të gjithë botën, por gjigandi i mediave sociale është nën presion për të luftuar ndikimin e platformës në shëndetin mendor.

Nga ana tjetër, “Instagram”-i ende nuk ka nxjerrë një rezultat përfundimtar në lidhje me eksperimentin që bëri me “pëlqimet” në disa vende si Australia, Zelanda e Re, Brazil, Kanada, Japoni, Itali dhe Irlandë.