24 Tetor, 2018

Ngadalësuan modelet e vjetra, Italia gjobit me një shumë të madhe dy kompanitë e mëdha “Apple” dhe “Samsung”


Autoriteti i Konkurrencës në Itali ka gjobitur këtë të mërkurë “Apple” dhe “Samsung”, respektivisht me 10 milionë euro dhe 5 milionë euro, për shkak të “vjetërimit të planifikuar” të “smartphone”-ve të tyre.

Mediat italiane shkruajnë se ky vendim besohet të jetë i pari që merret kundër dy kompanive më të mëdha të telefonave celularë në botë. Gjithashtu bëhet e ditur se ky vendim është marrë pas akuzave globale se kompanitë inkurajojnë enkas përditësime të sistemeve operative për telefonat e vjetër, të cilat më pas i ngadalësojnë ato, e rrjedhimisht inkurajojnë përdoruesit të blejnë aparate të reja.

Autoriteti italian i Antitrustit hapi hetimin në janar, pas ankesave të klientëve. Nga ky hetim rezultoi se “Apple” dhe “Samsung”  implementuan praktika të pandershme tregtare”, siç lexohet në komunikatë.

Përditësimet e sistemeve operative “shkaktuan keqfunksionime serioze dhe reduktuan ndjeshëm performancën, duke e bërë edhe më të nevojshme zëvendësimin e telefonëve”.

Gjoba prej 5 milionë euro për “Samsung” erdhi si pasojë, se kjo e fundit ka njoftuar klientët që kanë në përdorim një “Note 4”, të instalojnë versionin e ri të sistemit operativ të Androidit (të zotëruar nga Google) që përshtatet me “Note 7”, por që modelet e vjetra i ngadalësonte së tepërmi.

Një gjë të ngjashme ka bërë edhe “Apple” e cila u gjobit me 10 milionë euro. Kjo kompani ka njoftuar përdoruesit e “iPhone 6” (6 Plus e 6S/6S Plus) të instalojnë sistemin e operimit të dizenjuar për “iPhone 7”, duke shkaktuar kështu probleme për ata që kanë modelet më të vjetra.

Në të njëjtën kohë “Apple” fajësohet edhe për dështimin në informimin e klientëve mbi karakteristikat “thelbësore” të baterive prej litiumi të telefonave të tij.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al