2 Prill, 2022

Nga urrejtja e “artistëve” të fshehur të LGBT, te padituria e shqiptarëve/ Rrëfehet Elton Ilirjani: Martesa me partnerin me ngjyrë dhe transformimi si model


Biznesmeni i njohur shqiptar prej vitesh jeton në SHBA. Tashmë Eltoni ka një jetë të re në kontinentin e largët dhe lajmet e mira nuk mungojnë. Si në karrierë, ashtu edhe në jetën private, ku siç edhe vetë shprehet, është martuar me partnerin e tij, Christian. Në intervistën e tij për “Panorama Plus”, biznesmeni flet edhe njëherë për paragjykimet dhe diskriminimet e gay-ve në vendin tonë.

Duke u shprehur se i ka mbyllur të gjitha hesapet me Shqipërinë, Eltoni shprehet se nuk bën pjesë te njerëzit që mezi pret të festojë pavarësinë apo të vijë në Shqipëri. “Atdheu im është SHBA”, shprehet biznesmeni, duke zbuluar edhe zhgënjimin që ka për vendin tonë. Ditët e fundit, Eltoni ka provuar veten edhe si model, duke mos e fshehur entuziazmin e tij për këtë risi në jetën e tij.Ndonëse vjen i veshur me taka, geta apo edhe me buzëkuq, ai bën me dije se nuk ka dashur kurrë të ishte femër.

Kohët e fundit ju kemi parë tërësisht ndryshe në rrjetet sociale, çfarë është ky transformim?

Transformim i New York City! Kuptohet që New York dhe jeta këtu, kanë ndikuar shumë te stili im. Mbi të gjitha, liria dhe njerëzit mendjehapur të japin luksin që të jesh 100% vetvetja dhe të eksperimentosh veshje, stile të ndryshme, me pak fjalë, të jesh i lirë dhe të shijosh lirinë tënde.

Veshje që nuk kam pasur mundësi t’i vesh në Shqipëri si pasojë e diskriminimit dhe paragjykimit, hipokrizisë dhe në shumë raste, edhe xhelozisë së sëmurë që ka shoqëria shqiptare. Transformimi im është i thjeshtë, me dy fjalë: “Për 38 vite në Shqipëri isha një larvë që u desh të vinte në SHBA që të hapte krahët e fluturues! Tani jam një “gay queen” 100% dhe jam shumë i lumtur më në fund.

Si ndihet Eltoni nën petkun e modelit?

Modelingu paska qenë surprizë edhe për mua personalisht! Nuk e kisha menduar kurrë, aq më tepër në moshën 42-vjeçare… Filloi e gjitha si një shaka dhe, mbi të gjitha, me skepticizmin tim prej biznesmeni. Unë ndërkohë jam duke shtrirë kompaninë time në Kanada dhe Meksikë dhe në vitin 2023 edhe në 6 vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe atë Jugore! Kështu, këtë vit kompania ime është e shtrirë në 12 vende të botës dhe në fund të 2023-shit do të jetë në 18 vende të botës dhe shpresoj që në vitet në vijim të shtrihet edhe në më shumë vende të tjera! Por modelingu ishte surpriza e 2021-shit dhe 2022- shit! Numri i stilistëve nëpër botë që duan që unë të prezantoj veshjet e tyre po shtohet çdo javë dhe tashmë mund të them se gjysma e javës kalon me modeling dhe nuk përjashtohen as të shtunat, as të dielat. Nga ana tjetër, po më shtohen edhe mbështetës dhe fansa nga New York kryesisht, të cilët më quajnë “Beautiful Queen”, 17 është ndjesi që s’e kisha menduar se do ta përjetoja në këtë jetë! Ndjehem mirë, shumë mirë!

Si kanë qenë reagimet deri më tani për këtë ndryshim tuajin?

Reagimet ne SHBA?Reagimet mes amerikanëve? Të mrekullueshme dhe mbështetëse dhe mbushur me komplimente! Më quajnë inspirim dhe njeri të guximshëm dhe motivues! Ndërkohë, në Shqipëri dhe shqiptarë të Amerikës, reagimet janë të pritshme negative dhe dritëshkurtra dhe, në shumë raste, skeptike, përzier me xhelozi! Nuk jam zhgënjyer aspak nga reagimet e shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë shumë probleme me identitetin dhe pranimin e njerëzve me identitete të qartë dhe transparent! Shqiptarët e kanë strehë të sigurt hipokrizinë dhe paragjykimin. Ka shumë injorancë dhe padije, sa më shumë kalon koha, aq më pak lexohet dhe aq më pak ushtrohet mendimi dhe mendja në tërësi! Edhe brezat e rinj kanë të njëjtat probleme dhe, në disa raste, edhe më keq se prindërit e tyre! Homofobia është edhe kryefjalë e shumë “artistëve” në Shqipëri! Nga ana tjetër, pjesa e fshehtë e komunitetit LGBT në Shqipëri dhe mes shqiptarëve të Amerikës, që janë njerëz të njohur dhe të suksesshëm, më urrejnë më shumë se personat jo LGBT, dhe këtë unë e shpjegoj me xhelozinë që kanë për mua që jam 100% vetja dhe jetoj jetën time si gay dhe nuk më duhet të bëj jetë të dyfishtë! Xhelozojnë guximin dhe aftësinë time!

I tillë jeni edhe në jetën e përditshme, avangardë, apo vetëm për rrjetet sociale dhe për shooting?

Po kështu jam. Madje, kur dal për jetë nate me bashkëshortin tim, apo miq apo mikesha, unë jam edhe më tepër provokues dhe veshjet janë unike! Nuk kalon njeri pa më komplimentuar apo që nuk bën foto me mua! Kam ngacmime të bukura dhe Christian (bashkëshorti im), ka raste që bëhet xheloz! Bashkëshorti im është një djalosh me ngjyrë dhe shumë simpatik! Me pak fjalë, në rrugë dhe jetë të përditshme jam njësoj, madje kam veshjet e mia me këpucë të larta dhe në dimër kam një koleksion të madh peliçesh dhe bizhu që tërheqin shumë vëmendje! Diçka nuk e bëj kurrë: nuk vendos make-up apo të kuq buzësh, sepse më bezdisin! Mendoj se nuk kam nevojë për make-up, sepse mendoj që më bën të ndihem i shëmtuar! Dua të jem vetvetja, pra ata që do më shikojnë mua, dhe jo bojërat që mbulojnë lëkurën time!

Vini me një imazh femëror, a do të donit të ishit femër?

Unë nuk do doja kurrë që të isha femër, sepse ndjehem shumë mirë si mashkull! Nuk jam transgjinore dhe as nuk dëshiroj të jem! Unë jam mashkull që kam qejf meshkujt dhe ata që më kanë qejf mua, kanë qejf meshkuj! Në Shqipëri ata meshkuj që shkojnë me meshkuj kërkojnë që t’i ndryshojnë gjininë partnerit, sepse fatkeqësisht, për injorancën e tyre, mendojnë se po shkojnë me një femër, ndërkohë ata kanë shkuar dhe do të shkojnë gjithmonë me një mashkull! Unë nuk kam pse ndryshoj, nuk do ta bëja kurrë për asnjë motiv dhe për asnjë person! Siç edhe e thashë, kush më do mua, më do mua për këtë që jam! Pra, një mashkull ndryshe, por në fund të fundit një mashkull…

Flasim për Eltonin në biznes, mendoni se ndikon ndryshimi i imazhit tuaj në punën e përditshme?

Po ndikon për mirë, pa diskutim! Shumë kompani ndërkombëtare e kanë në politikat e tyre mbështetjen e LGBT dhe personave LGBT! Aq më tepër në biznes dhe në punësim! Ne 2018-ën, në OKB ka kaluar një rezolutë që shtyn bizneset ndërkombëtare të jenë miqësorë me LGBT dhe t’iu japin sa më shumë mundësi në punësim dhe biznesbërje! Këto 3 vitet e fundit unë kam marrë me dhjetëra kontrata ndërkombëtare dhe, përveç profesionalizmit të stafit tim në çdo vend ku kompania ime operon, unë kam përfituar simpatinë e klientëve të mi edhe nga puna e bërë për të drejtat e njeriut dhe për LGBT-në në veçanti! Me pak fjalë është një plus i madh! Ne Shqipëri, sërish, xhelozitë e konkurrencës apo personave dashakeqës janë përpjekur të më prishin punë, duke iu shkruar klientëve të mi dhe duke iu thënë se nuk mund të bashkëpunojnë me kompanitë e mia, sepse unë jam GAY, por në asnjë rast nuk ka pasur sukses, sepse vendimet kanë qenë të qarta: jeta private e Eltonit nuk iu intereson klientëve, por iu intereson shërbimi, që në fakt është më i miri në Shqipëri dhe gjithë Ballkanin! Këtej përtej oqeanit as që bëhet fjalë, madje përkundrazi, është një mbështetje e madhe dhe unë ndjehem shumë mirë!

I keni “mbyllur hesapet” me Shqipërinë apo do të ketë një rikthim tuajin?

Përfundimisht dhe nuk do ta vizitoj më, të paktën jo këto 5 vitet e ardhshme! Nuk kam dëshirë të vizitoj Shqipërinë, pasi kam kujtime jo fort të mira dhe eksperienca me njerëz shumë negativë dhe mosmirënjohje ekstreme! Madje edhe këtu mundohem që të shoqërohem me Amerikanë, që të mund të asimilohem sa më parë në shoqërinë amerikane! Nuk hyj tek ata shqiptarë të diasporës që festojnë ditën e pavarësisë apo që dëgjojnë muzikë shqiptare, apo që mezi presin të vinë në Shqipëri të pinë kafe dhe të mburren restoranteve të Shqipërisë, e kanë trupin në SHBA dhe mendjen në Shqipëri, madje edhe ata që kanë një jetë këtu mbi 40 vite, nuk janë asimiluar apo transformuar në Amerikanë dhe unë mendoj se kjo vjen nga paaftësia për t’u integruar dhe ngushëllohen me ish-atdheun e tyre, sepse atdheu i të gjithë neve që jetojmë këtu është SHBA! Unë jetoj tashmë në SHBA dhe atdheu im është SHBA dhe për këtë vend do të jepja edhe jetën! Ia vlen për demokracinë e vetme në këtë tokë!

E keni menduar veten tuaj në politikë?

Në asnjë mënyrë! Qoftë larg! Politika dhe unë nuk kemi asnjë gjë të përbashkët! Unë jam njeri 100% i vërtetë! Politika nuk është asnjëherë e vërtetë! Është manipulative dhe në shumë raste privon lirinë e njerëzve! Unë e dashuroj lirinë dhe dëshiroj që të gjithë të jenë 100% të lirë! Nga ana tjetër, dua që jetën time ta jetoj 100% me fokus te vetja! Nuk kam kohë për aq vite jetë të mbetura (30-40 maksimumi në rastin më të mirë) t’i kaloj duke vrarë mendjen për gjëra që s’kanë në fokus veten time dhe jetesën time të qetë!

Si është jeta juaj private, pasi pak kohë më parë deklaruat se ishit i dashuruar?

I martuar! Me një burrë të bukur dhe me ngjyrë!

Me gjasa i keni ndjekur komentet rreth personazhit tuaj në rrjet, keni sot diçka, ndoshta të fundit, për t’u thënë të gjithëve? Shqiptarëve që komentojnë keq për mua?

Po patjetër! Do doja t’iu thosha: Mos harxhoni kohë me komente negative për mua, por merruni me jetët tuaja dhe t’i bëni ato më të bukura, më produktive, më shumë para për ju dhe fëmijët tuaj! Luftoni për të drejtat tuaja dhe mos u merrni me të drejtat e mia të garantuara tashmë! Orientimi seksual nuk është problem, problem është kur nuk keni bukë të hani apo nuk keni para të paguani detyrimet mujore! Problem është dhuna në familje, është gënjeshtra, droga, përdorimi i drogës, tregtimi i drogës, prostituimi, hipokrizia dhe mungesa e lirisë suaj që të jeni qytetarë të denjë dhe me të drejta të plota! I kanë në rregull shqiptarët këto! Nëse po, atëherë të merren me sport dhe të bëhen më të bukur dhe të shëndetshëm! Unë nuk duhet të jem fare në listën e tyre dhe as në minutat që harxhojnë online! Unë jam në rregull dhe më i lumtur se ata! Shumë herë më i lumtur se ata dhe këtë e them me bindje të plotë! Një gay me origjinë shqiptare nga më të njohurit dhe më të lumturit edhe këtu në SHBA!

© Panoramaplus.al