22 Shtator, 2017

Moderatori shqiptar rrëfen për sfidat dhe dasmën. Dashuria që lindi nga frika e një maceje


“Një kafe me Labin”, njëri prej programeve më popullore dhe më të pëlqyera në Kosovë, tashmë i ka kaluar të gjitha sfidat. Moderatori Labinot Gashi, prej 17-vjetësh në ekran, mes shumë personazheve të njohur të ekranit, vazhdon të jetë në top listën e prezantuesve më të pëlqyer për natyrën e tij të hapur me publikun, me mysafirët që ka në program, por edhe me bashkëpunëtorët për të cilët është gjithmonë mirënjohës. Për Labin, tetori do të jetë pak më i qetë sepse ai ka dasmën në datën 15.

 

Siç është mësuar edhe javët e fundit nga mediat e Kososvës, Labi dhe Qëndresa do të kurorëzojnë dashurinë e tyre në Prizren në një ditë shumë të veçantë për çiftin. Meqenëse fejesën, moderatori i njohur ia bëri surprizë partneres së tij më 13 prill – dita kur ajo kishte ditëlindjen, më 15 tetor – ditën e lindjes së tij, mendoi të kurorëzonte martesën raporton Class.

 

I ftuar këtë pasdite në “Rudina”, Labi rrëfeu edhe disa sekrete të panjohura më parë për publikun. Labi dhe Qëndresa janë prej 4-vjetësh bashkë. Njohja e tyre ka qenë një prej ngjarjeve më interesante që, me siguri, ata të dy e tregojnë sot me shumë humor: “Unë isha me koncerte, atë verë në Ulqin. Po punoja për emisionin dhe në hotelin ku rrija, shikoja Qëndresën çdo ditë me kushërirën e vet dhe me motrën.

Një prej kolegeve të mia, tërë kohën më thoshte “e mirë bre Lab, e mirë bre Lab”. Nga kjo u shtyva edhe më shumë për të parë. M’u duk interesante….” – tregon Labi. Pas njohjes së parë, asgjë nuk ndodhi, dilnin, shoqëroheshin, derisa, një natë, Labi pa në hollin e hotelit një mace (kafsha që ai dashuron më shumë).

Kurrë nuk mund ta mendonte se mund të lidhej me dikë që kishte tmerrësisht frikë nga macet. Pasi Qëndresa e kishte vënë re, ishte strukur diku dhe ia kishte nisur të qarës nga frika. Kaq ishte… Sfida e Labit sapo kishte nisur. Ai duhet ta bindte që ajo t’i dashuronte macet.

 

“Pasi dola nga hoteli, aty nisi gjithçka, aty filloi… Pse i ke frikë macet, duhet t’i duash macet, ato nuk të bëjnë keq etj. etj.“ Një mace u bë shkak për një lidhje që është e destinuar të jetë përgjithmonë: “Unë i kam thënë veç një gjë – duhesh me dashtë shumë macet.”

Ky tashmë mbetet kushti kryesor për Qëndresën. Dhe, si për koincidencë, gjatë të gjitha ditëve të qëndrimit në hotel për pushime, askund nuk ishte parë macja, por natën e beqarisë ishte vetëftuar mes vajzave edhe një mace, rrëfeu Labi. Madje, shoqëria e Qëndresës, kanë bërë plan që edhe në dasmë t’i sjellin disa mace si surprizë… Urojmë që Qëndresa të mos e ketë dëgjuar këtë intervistën e sotme./Revista Class/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al