22 Shtator, 2018

Martina Ivezaj: Pas nëntë vitesh ritakova Leonin dhe dashurinë e kurorëzuam me martesë, ja planet në modelizëm


BLERAND REXHEPI/ Vajza e cila pak vite më parë ka përfaqësuar Gjermaninë në “Miss Bota”, tashmë nuk është beqare. Martina Ivezaj nga Mali i Zi, por që jetonte në Gjermani, është bërë nuse shqiptare, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka lënë Gjermaninë për Leonin, djalin që shumë vite më parë i kishte vjedhur zemrën me një letër dashurie e që pas nëntë vitesh ritakimi, rilindi edhe dashuria që e kurorëzuan me martesë. Në një intervistë mbi dasmën dhe gjithë ceremoninë dhe planet për t’u rikthyer në modelizëm, flet vetë Martina.

A besoni në dashurinë me shikim të parë?

Po.

Ju si jeni dashuruar me Leonin?

Me Leonin jam njohur në Mal të Zi në gusht të vitit 2007 kur ishim të dy 17-vjeçarë, ai vizitonte nënën e tij për herë të parë në vendlindjen e prindërve sepse ai ishte lindur dhe rritur në Amerikë. Sikur të rinjtë, kishim simpati për njëritjetrin dhe nuk kemi lënë koncert pa shkuar bashkë të dy, kemi shkuar bashkë në lumë për t’u larë. Kur erdhi fundi i pushimit, mua dhe familjes sime na erdhi koha të kthehemi në Gjermani, Leoni më shkroi një letër dashurie, të cilën e kam ruajtur deri më sot.

Nëntë vite kishin kaluar që nuk e kisha parë Leonin, ai në Amerikë dhe unë në Gjermani. Ne si familje pushimet i kalonim në Mal të Zi, po Leoni nuk e vizitoi vendlindjen më. Në qershor të vitit 2016, unë bashkë me disa shoqe shkuam për pushime në Mal të Zi, pas nëntë vitesh takova përsëri Leonin dhe shpejt rilindi dashuria, duke biseduar për letrën e dashurisë, unë isha dashuria e tij e parë. Brenda katër muajsh, ai më vizitoi gjashtë herë në Gjermani dhe shpejt vendosëm që të shpenzojmë jetën bashkë.

Pse zgjodhe një shqiptar, duke e parë që shumë femra të famshme shqiptare kanë zgjedhur për burrë nacionalitete të tjera?

Sepse shqiptarët janë më të mirët, nuk dua të humbas identitetin, unë jam lindur në Gjermani dhe e kam quajtur veten gjithmonë shqiptare, por më e rëndësishme është se zgjodha dashurinë e jetës sime.

Jeni shpërngulur në SHBA vetëm për shkak të dashurisë, duke lënë Gjermaninë, pse?

Vetëm për shkak të dashurisë. Kurrë nuk e kisha paramenduar të lë Gjermaninë dikur, para se të njoftohem me Leonin, sot për sot, ndihem femra më e lumtur në botë krah tij.

Si shkoi gjithë ceremonia e martesës?

Si ëndërr, do të doja me e përsërit ditën e dasmës prapë, i kishim flamurtarët, kushërinën time me bashkëshortin e saj (Albina & Elvis Ramirez), të cilët punojnë në marinën amerikane e ishin të veshur me uniforma ushtarake dhe me flamurin shqiptar, dasma ishte me tradita shqiptare ashtu si e kam dashur gjithmonë.

Sa të ftuar keni pasur në dasëm?

Kemi pasur afër 400 të ftuar.

Kush është përkujdesur për lokalin, muzikën, fustanin, make-up etj.?

Për lokalin janë përkujdesur prindërit dhe motrat e Leonit, lokali ishte “The Grandview” në Poughkeepsie, NY të Hudson River. Lokali dhe pamja ishin mrekulli. Muzikën e ka zbukuruar Aleksandër Gjelaj, fustanin e kisha nga Shkodra “Novias Wedding Dress” sepse fustanet më të bukura të nusërisë vijnë nga Shqipëria, make-up dhe flokët i kam bërë vetë sepse vetes i besoj më së shumti.

Po për kostumin e bashkëshortit?

Kostumi i Leonit ishte nga Calvin Klein.

Ke pasur dëshirë gjithmonë të bësh një ceremoni luksoze?

Sa për luksoze nuk ishte dëshira, por të kem ceremoni me më shumë njerëz, të afërm dhe të dashur të kalojmë bashkë një natë të hareshme.

Ku po e shijoni muajin e mjaltit?

Sepse kishim shumë miq, familje dhe shoqëri nga Europa, këtu e kemi shijuar, por muajin e mjaltit do e shijojmë nga fundi i vitit, me kismet në Bora Bora.

Po tani pas dasmës do vazhdosh me modë dhe sfilata apo je fokusuar në ndonjë profesion tjetër?

Tani që kam marrë lejen e punës këtu, më kanë pranuar dy agjenci të modës në Florida, kështu që do të vazhdoj të fokusohem në modelizëm, por edhe në një pasion tjetër që është arti, vizatimi në vaj dhe pëlhurë.

Keni menduar për t’u bërë prindër apo kur të thotë Zoti?

Duam të bëhemi prindër, por ende nuk e kemi vendosur…

BLERAND REXHEPI/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al