11 Tetor, 2017

Marsel Rupi: Humoristi në rolin e gazetarit, çfarë më rrëfejnë deputetët kur zbresin nga makinat luksoze


Për herë të parë një treshe djemsh në ekran, të cilët hedhin dhe presin batuta për politikën dhe politikanët që na drejtojnë apo deputetët që kalojnë ligje në Kuvend. Marsel Rupi, Ervin Bejleri dhe Mateo Çela janë në studion e emisionit të ri “Kolaudim”, për të parë me sy vëzhgues e kritik gjithçka që politikanët përpiqen të na hedhin hi syve, apo rastet kur duan t’ia hedhin pa u lagur.

Dëshmitari me mikrofon në dorë në oborrin kuvendor, kësaj here në rolin e gazetarit, është Marsel Rupi, i cili në spektaklin “Portokalli” u identifikua si imituesi identik i kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

Për zhveshjen nga luksi të politikanëve që zbresin nga makinat e shtrenjta dhe gjithçka sheh me sytë e tij nga afër, Marseli i rrëfen në këtë intervistë të tij të parë për gazetën “Panorama”.

Pa një periudhe pauzë në ekran, të shohim mbrëmjeve në “In TV” me programin e ri “Kolaudim”. Si do ta zbërtheje këtë fjalë në aspektin shpirtëror, atë social dhe politik për ty si artist që jeton në Shqipëri?

Për sa i përket pyetjes, në aspektin shpirtëror unë ndihem i lumtur që jam pjesë e “In TV” dhe sidomos pjesë e programit “Kolaudim”, pasi të kolaudosh Shqipërinë pa e mbyllur një sy apo të dy sytë (siç rëndom ndodh në kolaudimet që shteti bën), do të thotë të jesh shumë më pranë shqiptareve në problematikat e tyre të përditshme. Kjo vlen akoma më shumë nga ana sociale, pasi “kolaudimi” ka si mision t’i heqë kollaret, këpucët lustrafin dhe të zbresë nga makina e luksit çdo përgjegjës për hallet e këtij vendi, dhe t’i vendosë ata përballë shqiptarëve. Ndërsa në aspektin politik të fjalës do të thosha se artisti nga vetë natyra e tij është opozitar. Me dëshirë do të doja të mos merresha fare me politikë, por siç thotë një shprehje, “edhe nëse ti nuk merresh me politikë, politika do të merret me ty”, atëherë kemi vendosur ta kolaudojmë këtë politikë, së cilës qejfi do t’ia kishte “t’ia hidhte pa u lagur”.

Me cilin nga kolegët, Ervin Bejlerin apo Mateo Çelën, të ecin më shumë batutat në këtë treshe djemsh në ekran?

Tashmë është vërtetuar në shumë formate që të bësh batutë nuk është e thënë të kesh bërë shkollë aktrimi. Ka shumë aktorë profesionistë që nuk kanë batutë, dhe ka shume njerëz të cilët nuk kanë bërë shkollë dhe kanë batutë, pasi kanë talent të lindur. Kjo më bën komod të punoj me të dy çunat, pasi kemi pak a shumë të njëjtin lloj humori. Ai komunikim që ju shikoni në studio është i njëjtë edhe pas emisionit midis nesh.

Politika e vështruar nga tjetër aspekt është fokusi i këtij emisioni. Sa brenda, anash apo jashtë politikës ke qenë këto kohë dhe ty personalisht çfarë të tërheq më shumë nga politika?

Në fakt, jo vetëm këtë periudhë, por unë kam qenë, jam dhe do të jem në politikë aq brenda sa është një qytetar i thjeshtë, i cili interesohet për mbarëvajtjen e jetës së tij dhe të ardhmes, dhe sa një qytetar i thjeshtë nuk lë t’i hidhet hi syve. Ndërkohë po aq jashtë sa janë plot shqiptarë (sidomos të rinj), të cilët zgjedhin që kohën e tyre “ta vrasin” duke punuar, studiuar dhe përpjekur për të ndërtuar të ardhmen e tyre modeste. Njëkohësisht, aq jashtë politikës jam sa njerëzit e shëndetshëm që u rrinë vendeve të infektuara nga sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse. Kam qenë, jam dhe do të jem aq anash sa për të jetuar jetën time duke shijuar mrekullitë që natyra na fal, pa pasur frikën se morali do të më “ekzekutohet” nga nxitja që e përditshmja na bën për t’u bërë pjesë e pamoralshmërisë. Personalisht politika më tërheq jashtë mase, por politika e vërtetë, e cila në Shqipëri nuk ekziston. Për sa i takon pseudopolitikës shqiptare, nuk më tërheq asgjë.

Të shohim me mikrofon në dorë të enjteve në oborrin e Kuvendit, pra në pozicionin e gazetarit. Cilat janë disa nga pyetjet që të vijnë më shpesh në mendje, kur i sheh deputetët tek zbresin nga makinat e tyre luksoze?

Kur i shoh që zbresin nga makina luksoze, disa prej pyetjeve që më vijnë në mendje janë: Ku e gjeni aq shumë guxim t’i shihni në sy çdo ditë shqiptarët dhe t’ju zërë gjumi pavarësisht se e dini shumë mirë se çfarë u keni bërë e çfarë u bëni çdo ditë? Si nuk i thoni vetëm një herë të vetme vetes mjaft se e teprova? Çfarë ju kushton të mos shpërdoroni kaq shuuumë paranë duke ditur që diku, në anën tjetër, ka fëmijë që po vdesin urie dhe e gjitha kjo për fajin tuaj? A kanë fund ndonjëherë pafytyrësitë tuaja?

Në atë “paradë” makinash të fundit, mjetin e cilit deputet apo politikan do të doje të kishe ti?

Do të doja të kisha vetëm makinën që kam, një “Volkswagen Lupo” shumë modeste dhe të lezetshme, e cila në ndryshim nga të gjitha makinat e Parlamentit, nuk ka dëgjuar kurrë biseda tenderash, urdhra mafiozësh, poshtërim shqiptarësh, etj.

KLOTILDA HARKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al