26 Janar, 2018

Luar Arani: Si arrita që kënga ime të jetë numri 1 në Rusi dhe ç’mendoj për Arilena Arën


Luar Arani, vajza sensuale, që duetin e saj të parë e bëri me Flori Mumajesin, pesë vite më parë, tashmë është rikthyer fuqishëm. Këngëtarja, e cila jeton në Berlin të Gjermanisë është kthyer në një ndër zërat më të preferuar jashtë Shqipërisë.

Arani, së fundmi, ka publikuar këngën “Dy” në bashkëpunim me Gon Hazirin, ndërkohë që nënshkroi një kontratë të rëndësishme me kompaninë shumë të njohur “Effective Records”, e njëjta shtëpi diskografike ku bën pjesë edhe Arilena Ara. Dhe kënga “Dy” po bën namin në Rusi, duke qenë se është renditur në vend të parë në “iTunes”.

Kjo është një arritje e madhe për artisten, pasi ka lënë pas edhe këngë mjaft të dëgjuara në mbarë botën si “Rockstar” nga Post Malone, etj..

Për këngët e dashurisë që i shkruan vetë, rikthimin në muzikë dhe të ardhmen, Luar Arani i rrëfen në këtë intervistë të parë për gazetën “Panorama Plus”.

Lajmi me titull “Luar Arani lë pas Arilena Arën në Rusi” kanë pushtuar mediat. Si u ndjeve?

Për sa i përket faktit dhe lajmeve, që ndanë një lajm të gëzueshëm, se kënga është në vend të parë në Rusi, u ndjeva shumë e lumtur për mbështetjen dhe për përgëzimet. Ndërsa, për sa i përket faktit të titujve, si “mposht“ ose “në luftë“ me Arilena Arën, doja të theksoja se nuk është një garë, por një arritje e të dyjave ne, si këngëtare. Pra, thelbi i të qenit në top list nr.1, është se ke arritur të jesh numri 1 në një shtet të huaj dhe ke bërë të mundur që një këngë shqiptare të dëgjohet jashtë trevave shqiptare dhe jo se “ke lënë pas“ dikë.

Meqë jemi te këngëtaret shqiptare që po marrin famë jashtë. Çfarë mendimi ke për Arilena Arën dhe Era Istrefin? Cilën prej tyre do të veçoje?

Për të dyja koleget kam mendim shumë pozitiv dhe këngët e tyre i dëgjoj shpesh. Janë të dyja shumë unike në llojin e tyre dhe u uroj sa më shumë sukses!

A mund të na zbulosh sekretin për të qenë nr.1 në një shtet të huaj?

Nëse do të kishte ndonjë formulë, atëherë çdo këngë do të arrinte majat. Besoj se, edhe këtë herë, më ka ndihmuar fakti që kam kompozuar sërish vetë, duke u munduar të transmetoj një gjendje emocionale timen, si dhe bashkëpunimi me mikun tim Gon Haziri.

2017-ta të riktheu si këngëtare me produksionin “Si dje”. Mbi ç’fabul është konceptuar kjo këngë, që arriti të pëlqehet shpejt nga publiku?

Në thelb, shumica e tematikave të këngëve flasin për dashurinë. Mendoj se teksti që shkrova, preku disa njerëz. Me këngën “Si dje”, jo vetëm u arrit të tërhiqej brezi im, por dhe një brez tjetër, për shkak të strofës së përdorur nga z. Bashkim Alibali. Përsa i përket “beat-it”, ishte i veçantë, pasi u krijua nga Cricket. Ishte dhe ky një faktor pozitiv, që kjo këngë të pëlqehet edhe më shumë në versionin e ri që erdhi.

Meqë jemi tek dueti, me Gon Hazirin, si u bëtë bashkë?

 

Për sa i përket bashkëpunimit me Gon Hazirin, erdhi pasi Goni më dërgoi për herë të parë remixin e “Gjithmonë”, e që atëherë folëm për një bashkëpunim të dytë. Ashtu si unë, zakonisht, i krijoj këngët, e fillova me akorde e piano, kompozova vijën melodike dhe më pas i bashkëngjita tekstin. Ndërkohë, Goni punoi me bazën, në mënyrë që të bëhej sa më e dëgjueshme për publikun si dhe për klube të ndryshme. Mbasi shkëmbyem ide të ndryshme me njëri-tjetrin, kënga u përfundua

Këngën e titulluat “Dy”, një dedikim dashurie dhe ky…

Po. Fabula thekson idenë, se të harrosh një dashuri është e vështirë, pasi, ndonjëherë, disa momente të duken sikur kanë ndodhur dje, megjithëse mund të kesh kohë që nuk je më pranë personit të zemrës. Por vargu “mos mendo se bashkë me ty, jo jo, humba unë dhe lumturinë“ simbolizon thelbin e këngës, që do të thotë, edhe nëse dashuria të lë një boshllëk, jeta sërish vazhdon.

Kujtojmë që u bëre e njohur me këngën “Gjithmonë”, në bashkëpunim me Flori Mumajesin. Ç’kujton nga ajo kohë kur more famë, shumë e re në moshë?

Kujtoj sa e vogël isha, videoklipin tim të parë, duetin e parë me Florin, njerëz të cilët më shkruanin ose më thoshin se kënga “Gjithmonë” i kishte kthyer sërish së bashku dhe telefonat celularë që kishin si ringtone këngën “Gjithmonë” (Qesh). Do të mbetet në kujtimet e mia si një periudhë shumë e bukur dhe e veçantë.

Nëse do të bëje tjetër duet me Florin, si mund të ishte?

Nëse do të bëja një tjetër bashkëpunim me Florin, do të ishte e pamundur ta shpjegoja me fjalë se si do të ishte, pasi sa më shumë kohë kalon, aq më shumë preferencat muzikore ndryshojnë. Kështu që, do të varej nga periudha në të cilën kënga do të bëhej.

Ndërkohë, je bërë pjesë e “The top list” të “Top Awards”. Si e sheh rikthimin në një garë mes artistëve shqiptarë?

“Top Awards” është një event që më ka pëlqyer gjithnjë dhe jam e lumtur që ndodhem në atë listë. U uroj sa më shumë sukses të gjithëve, që ndodhen në atë listë.

KLOTILDA HARKA/ Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al