19 Shtator, 2019

Kushtrim Dobra: Po bëj miliona pa ndihmën e askujt, si më kërkuan 15 mijë euro për një duet


BLERAND REXHEPI/ Ndonëse i ri, talentin po e shfrytëzon në maksimum. Kushtrim Dobra, këngëtari nga Kosova që jeton në Zvicër, vjen në një rrëfim për “Panorama Plus” mbi karrierën e tij, vështirësitë dhe ngjitjen në majat e muzikës i vetëm e pa ndihmën e askujt. Madje, ai thekson se për një duet i kanë kërkuar 15 mijë euro, kurse sot ai po bën miliona klikime reale pa ndihmën e askujt, por vetëm me mbështetjen e publikut.

E fillojmë këtë intervistë nga fillimi, kush është Kushtrimi dhe si kanë qenë hapat në muzikë?

Kushtrim Dobra, një djalë i ri nga Kosova, i cili jeton në Zvicër prej një kohe të gjatë. Hapat e parë kanë qenë që në moshën e adoleshencës, muzikën e kam dashur gjithmonë, por profesional ka që 3 vite që jam ngjitur në skenë.

Ti deri më tani nuk ke pasur ndihmë dhe përkrahje nga kolegët e skenës, apo jo?

Ndihmë nuk kam dashur prej askujt, por vetëm të mos më bëjnë keq. Fatkeqësisht, shumica mundohen të të shtypin, kur je i ri në skenë sigurisht.

E ke pasur të vështirë?

Tepër të vështirë e kam pasur të vij deri këtu ku jam sot, falënderoj fansat që kanë besuar tek unë.

Sa projekte numëron deri më sot?

14 projekte deri më tani.

Duke qenë se këndon vetëm ‘live’, cilat janë përparësitë në këtë drejtim?

Përparësia më e madhe është se nuk kam frikë të dal para publikut, se muzikën e ndiej dhe e bëj vetëm live.

Pajtohesh me faktin se performancat ‘playback’ të emrave të njohur paguhen më shumë se këngëtarët ‘live’?

Paguhen shumë më shumë, por nuk iu shkon gjatë sepse sezoni i tyre është 2-3 vjet, po ne live jemi të përjetshëm.

Paguhesh mirë për punën që bën, apo këngëtarët e muzikës ‘live’ mbulojnë defektet e atyre të ‘playback-ut’?

Unë në një koncert kur performoj mundohem të kënaq publikun që ka ardhur për mua dhe të kalojmë mirë. Për artistët e tjerë nuk më intereson aspak për muzikën që bëjnë.

Në një kërkim mbi projektet e tua shohim miliona klikime, janë reale apo të ka zënë edhe ty virusi i blerjes së klikimeve?

Nga ana ime nuk është blerë as 1 klikim, secila këngë që e këndoj, publiku e këndon bashkë me mua, kjo është hit, jo 20 milionë klikime që unë ende s’i kam.

Ke realizuar duete me emra të njohur deri më tani? Nëse jo, cilin do kishe zgjedhur?

Ermal Fejzullahun.

Je përfolur mbi një lajm, ku një koleg i yti kishte kërkuar mijëra euro për duet, na e sqaro pak më shumë këtë punë, si qëndron?

Shumë e vërtetë që një koleg i imi ka kërkuar 15 mijë euro për një bashkëpunim. Kënga ‘Të dua’, që ka bërë miliona klikime, ka qenë llogaritur të bëhej pikërisht me atë person, për fat të mirë e kam bërë vetë.

Po ti si këngëtar tashmë i dëshmuar, sa i ndihmon emrat e rinj në muzikë?

Mundohem në maksimum me mundësitë e mia, e di sa vështirë është në fillim të karrierës.

Cilat janë planet dhe projektet që po bën gati tani pas sezonit të verës, cilat janë synimet në karrierë?

Shumë shpejt do të publikohen edhe 3-4 projekte të reja, një baladë është punuar nga Wirusi e që besoj se ka me qenë një hit i vërtetë.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al