22 Shkurt, 2018

Kreu ekzekutiv i “Google”: Të çmilitarizohet inteligjenca artificiale


Kreu ekzekutiv i “Google”-it, Sunda Pichai është shprehur i bindur se “inteligjenca artificiale do të jetë përcaktuese për të ardhmen e njerëzimit.

Sipas tij, ndërtimi i një inteligjence artificiale plotësisht të pavarur do të jetë zbulimi më i madh në historinë e njerëzimit. “Dhe nuk e teproj po të them se do të jetë edhe më i madh se shpikja e elektricitetit apo zbulimi i zjarrit”, deklaroi ai në një seminar me studentë.

Por, Elon Musk dhe Stephen Hawking kanë paralajmëruar mbi rreziqet që ka kjo inteligjencë. Që të dy ata kanë kërkuar kujdes në avancimin e saj, pasi mund të rezultojë fatale për fatet e njerëzimit.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe vetë Sundar Pichai i cili ndan të njëjtin mendim me ata të dy.

“Sigurisht, rreziku ekziston. Ne duhet të jemi gjithmonë të vëmendshëm dhe të jemi një hap para e t’i kemi nën kontroll. Një hap i rëndësishëm është çmilitarizimi i inteligjencës artificiale. Për këtë, të gjitha vendet duhet të bien dakord që të mos e përdorin këtë formë inteligjence për qëllime ushtarake. Kjo do të ishte shkatërruese”, deklaroi ai.

Gjigandi i teknologjisë është një ndër kompanitë lider në avancimin e inteligjencës artificiale. Deri më tani, gjiganti amerikan i teknologjisë ka njoftuar për disa përparime, por thotë se për të patur një inteligjencë artificiale krejtësisht të pavarur do të duhen ende vite.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al