27 Mars, 2020

Koronavirusi/ “Nuk janë vektorë epidemie, mos i braktisni”- Paralajmërimi për mbrojtjen e kafshëve shtëpiake: Mund t’i infektoni nëse jeni të prekur


Koronavirus rrezikon edhe kafshët shtëpiake. Qeveria belge ka këshilluar njerëzit që të lajnë duart para se të prekin kafshët e tyre pasi një mace u diagnostikua me koronavirus, e infektuar nga pronari i saj.

Gjatë një konference të përditshme për shtyp nga shkencëtarët që punojnë me qeverinë federale, virologu Steven Van Gucht, tha që infeksioni duket të jetë një rast i izoluar dhe se shëndeti i kafshës po përmirësohet. “Një javë pasi pronari shfaqi simptoma, kafsha gjithashtu shfaqi simptoma. Kishte diarre, të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje”, tha ai. Studiuesit e gjetën virusin në feçet e maces.

cat-4429808_960_720

Dy qenë ishin raportuar më parë se të infektuar në Hong Kong por asnjë nga ato kafshë nuk kishte simptoma.

Van Gucht tha: “Nuk ka indikacione se kjo është e zakonshme. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ishte një transferim nga njeriu në kafshë dhe jo nga kafsha te njeriu. Virusi normalisht nuk kalon nga kafsha te njeriu. Prandaj, ne konsiderojmë që rreziku për njerëzit është i vogël”.

Agjensia Federale e Ushqimit në Belgjikë ka bërë një numër rekomandimesh për të mbrojtur kafshët shtëpiake.

Nëse një pronar infektohet me koronavirus, u kërkohet që ta mbajnë kafshën brenda dhe të mbajnë në minimum kontaktin midis pronarit dhe kafshëve.

Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Kafshëve (CNPA) në Belgjikë tha që zhvillimi nuk duhet të jetë një shkak alarmi.

“Kafshët nuk janë vektorë të epidemisë, kështu që nuk ka arsye të braktisni kafshën tuaj”, tha organizata në një deklaratë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al