29 Shkurt, 2020

Konfuzion në lidhjen e Stresit, Kejsi e konsideron veten gruan e tij, por nuk është në dijeni të vendimeve të burrit


Skeçi i pak ditëve më parë mes Arkimed Lushajt (Stresit) dhe Roza Latit e bëri partneren e reperit, Kejsin, jo vetëm të ndihej keq, por dhe të reagonte e të jepte një sinjal më shumë për lidhjen e tyre aktuale. 

Ndonëse në media u përfol për ndarje të mundshme mes çiftit në reagimin që Kejsi pati nëpërmjet një postimi në “Instagram”, ku akuzoi Rozën për mungesë idesh, ajo u shpreh ndër të tjera se videoja e fyente atë si bashkëshorte të Stresit.

Atë ditë, Roza zgjodhi të mos reagonte, megjithatë një ditë më vonë bëri sqarimin e saj. Ajo tha se për skeçin në fjalë, Stresi kishte rënë dakord me të dhe se e respektonte Keijsin vetëm prej tij. Fjalëve të Rozës iu përgjigj edhe Kejsi, e cila tha se nuk ka ndërmend ta zgjasë muhabetin, por do ta lërë me aq.

Skeçi i Roza Latit në emisionin e saj “Why not” risolli arrestimin e bujshëm të Stresit, ku u tha se u kap në shtrat me një femër, gjë që e acaroi Kejsin. Në skeçin e titulluar “Si ta bëjmë mizën balenë”, Roza i futej në shtrat reperit dhe bëri rolin e një fanseje që ky i fundit nuk e njihte.

Më pas aty erdhi Policia dhe arrestoi Stresin, ndërsa moderatorja fillon e bërtet: “Më ka përdhunuar. Jam e bindur se më ka lënë shtatzënë”.

Por duket se kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga Kejsi, e cila reagoi në një postim në “Instagram”, ku shprehej së prezantuesja kishte cenuar jetën e saj private dhe se po tallej me vuajtjen e saj.

“Nëse të janë tharë idetë dhe të duhet patjetër të tërheqësh vëmendje, ke shumë mënyra pa rënë në këtë nivel. Sepse të tallesh me eksperiencat, vuajtjet dhe hallet e të tjerëve nuk është për të qeshur”, shkruante ajo duke theksuar faktin që është “gruaja e Stresit” dhe jo “shoqja”, ndaj në këtë rast duhet pasur kujdes.

Kejsi dhe Stresi u ndanë pak kohë më parë nga njëri-tjetri dhe kishin lënë të hapur mundësinë për rikthim. Nuk dihet nëse kjo video i ka përkeqësuar gjërat mes tyre, pasi Kejsi, e cila jeton në Kanada, e konsideroi si një cenim të jetës së saj private dhe se moderatorja po tallej me vuajtjen e saj.

Por reagimi i Stresit duke dalë në mbrojtje në Rozës ka shkaktuar jo pak konfuzion te fansat, të cilët çuditen se si “Kejsi nuk ishte në dijeni të këtij skeçi dhe të përmbajtjes së tij, kur ajo thotë se është ende gruaja e Stresit dhe natyrisht që një grua është në dijeni të lëvizjeve apo vendimeve që merr burri”. 

Disa ndjekës e justifikojnë me distancën e tyre fizike, pasi Stresi jeton në Tiranë dhe disa me marrëdhënien e tyre deri-diku të ngrirë, sepse ende nuk i kanë sheshuar mosmarrëveshjet e së shkuarës, edhe pse në postime shprehin gjithmonë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Në lidhje me konfliktin e fundit, Stresi i doli në mbrojtje prezantueses, duke u shprehur se në këtë mënyrë ajo demaskoi, sipas tij, të gjitha shushunjat që të hipin në qafë.

“Gjithmonë vipat e hanë kafshatën më të fortë”. Ai po ashtu i dërgoi një mesazh Kejsit, duke e pyetur pse u mërzit kur nga ky emision ajo doli e nderuar.

“Pse mërziteni? Ju keni dalë të nderuar nga ky emision. Dhe unë gjithashtu kam dalë shumë i pastër nga kjo ironi. Show është show”, shtoi reperi.

RRËFIMI I STRESIT: KEJSI ËSHTË SHUMË XHELOZE, POR UNË JAM MASHKULL I PAPARASHIKUESHËM

Në lidhje me Kejsin, pak kohë më parë, Stresi i ftuar në emisionin “E diell”, tregoi sakrificat që ka bërë për të, duke rrëfyer se ndërroi identitet për të udhëtuar drejt saj.

Për dashurinë kam ndërruar identitet. Ikëm në Amerikë në koncert dhe u kthyem në Shqipëri para 3 vitesh. Po kërkoja vizë për Kanada, më refuzohet se kisha një rekord dhe ndërrova identitet, mora identitet francez dhe i hipa avionit. Vajza për të cilën bëra këtë është Kejsi”, u shpreh ai.

Stresi gjithashtu zbuloi tipare të Kejsit, duke thënë se ajo është ekstrem xheloze dhe se nuk i pëlqen kur reperi fik telefonin.

“Kjo mund të zgjasë gjithë jetën për mediat dhe njerëzit e mirë dhe të këqij që keqinterpretojnë. Mes ne të dyve është e paparashikueshme. Nuk është se është vajza, por jam unë i paparashikueshëm. Tek unë nuk i pëlqen fikja e telefonit. Ishte, është, ka qenë xheloze 760 gradë. Shoqërinë time nuk e do fare. Vlerësoj tek ajo faktin që bën shumë pas meje, është shumë femër shtëpiake, nga A-Zh i përkushtohet njeriut që ka afër. Është brenda normave për të qenë krenar qe ke një vajzë të tillë, momentalisht nuk e kam. Por ka vetitë më të mira që mund të ketë një femër”, rrëfeu reperi.

Ndërsa pyetjes se kë do zgjidhte mes dashurisë apo shoqërisë, u përgjigj: “Normal që do zgjidhja Kejsin. Shokët i kam shtrydh, më kanë shtrydh si limon, është pozicion tjetër. Kur të vijë ai rast do të zgjedh Kejsin”. 

Kujtojmë që marrëdhënia e reperit Arkimed Lushaj (Stresi) me partneren e tij, Kejsin, ka qenë prej muajsh një ndër lidhjet më të komentuara të showbizz-it shqiptar. Ndarjet e ribashkimet e tyre janë përfolur gjatë në media, mirëpo u bënë disa muaj që ata s’janë më me njëri-tjetrin.

Teksa Stresi merret me muzikë në Shqipëri, Kejsi vazhdon jetën e saj në Kanada, ku ndjek studimet e larta. Para disa javësh, ajo na futi të gjithëve në dyshime me një foto të publikuar në llogarinë e saj në “Instagram”, ku shfaqej me unazën që i kishte dhuruar Stresi, të cilën e mbante ende në gisht.

“Se një femër duron shumë”, shkruante Kejsi, fjalë të cilat na bënë të mendojmë se ka shpresë për të dy, ose më mirë të themi, ata tashmë janë rikthyer duke hedhur pas krahëve gjithë hatërmbetjet apo mëritë. Si gjithmonë, s’ka vonuar shumë edhe një reagim i Stresit në llogarinë e tij në “Instagram”.

Ai ka publikuar fjalët e këngës së tij të re, e cila ishte një dedikim për Kejsin.

“Thonë se dashuria është një lojë e humbur, unë besova n’dashuri kur isha adoleshent shumë i humbur… T’ harrosh dikë që e ke dasht është njësoj sikur mos me e pas njoft asiher”, ishin fjalët e Stresit, për të cilat u pendua dhe i kishte fshirë, megjithatë portalet i ruajtën. E nuk vonoi shumë dhe reagoi vetë Kejsi, duke i vënë vulën rikthimit të tyre.

Ajo shpërndau një pjesë nga kënga e fundit e reperit, duke e shoqëruar me mbishkrimin: “Fjalët po i mbaj përbrenda”. 

Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, dhe Kejsi duket se do vazhdojnë të jenë kryefjala e mediave rozë për historinë e tyre të dashurisë. Mesazhet e koduara prej tyre kanë qenë të shumta, që pas deklarimit të ndarjes së tyre.

Këngëtari prej disa ditësh publikoi copëza nga kjo këngë, e cila në fakt duket qartë që është një këngë e vërtetë dashurie. Vetë Stresi, në një intervistë të pak kohëve më parë, tha se me Kejsin është në pauzë dhe një ditë mund t’i rishihnim sërish bashkë. Por burime pranë çiftit thanë për “Panorama Plus” se Stresi po ribashkohet me Kejsin falë këmbënguljes së nënës së tij, Shpresa Lushaj, e cila nuk e humbi durimin për të negociuar me ta, pasi Kejsin e do shumë dhe e sheh si nusen ideale për djalin e saj problematik.

Kejsi e ka treguar dhe herë të tjera që edhe pse mund të jetë ndarë me Stresin, me prindërit e tij ruan akoma një marrëdhënie të mirë. Dhe këtë e vërtetoi më së miri pak kohë më parë komenti i mamasë së Stresit. Burime pranë tyre flasin për një martesë private të çiftit, që do të jetë festa që do bëjnë për familjet e miqtë pak kohë pas celebrimit, kur Kejsi mori mbiemrin e burrit, Lushaj. /Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al