5 Korrik, 2018

Klodi Hoxha: Ndërkohë që aktorët e huaj vdesin nga droga, ne vdesim nga uria


KLOTILDA HARKA/ Aktori Klod Hoxha është protagonist në disa role në teatër dhe kinema, ku ka provuar nga skenat e seksit e deri te vrasjet e krimet e rënda. Për çdo rol i duhet të hyjë nën lëkurën e secilit personazh e të kthehet pas në kohë, duke filluar nga kreu i një bande famëkeqe në kohët sot e deri te roli i operativit në filmin e ri “Internimi”, bazuar në Shqipërinë e viteve ’80-të.

Për jetën e një aktori që jeton në Shqipëri dhe jetën private, Klod Hoxha flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Të shohim në skena të forta me armë e përgjakje në projektin e ri “Balkan Blood”. Cili është roli yt dhe sa e ndjen veten brenda një filmi aksion me mafie, intriga e vrasje?

Roli im në filmin “Balkan Blood” është i Charls, bosi i gjithë gangsterëve dhe bandave më famëkeqe të qytetit. Filmi flet për një luftë gangsterësh, të cilët vendosin rregullin në qytet dhe jetojnë me gjobat që u vendosin bizneseve, por që në rastet kur s’u binden, ata veprojnë me pengmarrje dhe vrasje. Është një film aksion dhe me shumë skena të përgjakshme dhe, për mua, është hera e parë që jam pjesë e këtij lloj filmi me të tilla përmasa.

Në skenarin e filmit në fjalë, kush janë më të fortë mes mafiozëve, femrat apo meshkujt?

Në këtë film janë të ndërthurur dhe pesha e tij mbahet edhe nga femrat, edhe nga meshkujt, domethënë është në baraspeshë, por pak më e fortë edhe vrasësja me gjakftohtë është Tarantula, motra e Charls që është edhe krahu i djathtë i tij.

Në karrierën tënde deri tani, cilat janë rolet që do të veçoje?

Kam luajtur edhe në tri filma të tjerë, që kanë pasur skena aksion, për shembull te “Pit stop Mafia”, “ADA” edhe “Dashuri e Bjeshkëve të Namuna 2”, apo “ Internimi”, ku ngjarjet zhvillohen gjatë regjimit komunist, në një fshat të internuarish, ku unë kam rolin e operativit të zonës.

Dimë që në këtë film, ti ke një skenë ku bën seks në zyrë. Si e përjetove rolin?

Unë jam ai personi që kisha në kontroll zonën. Po unë bëra seks në zyrë, ndërsa në bunker bëra një vrasje, pasi kapa të dashurën me një tjetër.

Mund të përmendësh emrin e aktores shqiptare, që nuk do e refuzoje një rol erotik?

Kam pasur eksperienca të tilla edhe në film, të sikletshme janë disi, por ka edhe situata komike, të cilat bëjnë të kaloj mirë. Partneren e vendos regjisori, natyrisht, që ai ose ajo i di shijet e mija.

Nga filmi në film, cili është roli që mendon se ke luajtur vetveten?

Deri tani, s’e di se kush është filmi apo roli te shfaqjet teatrore ku kam luajtur vetveten. Por në krijimin e një roli, aktori çdo gjë e nis nga vetja për të arritur realizimimin e tij. Mendoj, se çdo njeri ka shumë instikte brenda tij dhe ne aktorët jemi të favorizuar që t’i nxjerrim, pasi kemi një mundësi t’i shfaqim qoftë në ekran, apo në skenë. Edhe duke bërë kaq shumë role mund të harrojmë kush jemi.( shaka)

Aktorët e huaj flasin shpesh për gjendje depresive që kalojnë në jetët e tyre. Po ju artistët shqiptarë, sa të ndjeshëm jeni ndaj realitetit dhe përballimit të tij?

Për mendimin tim, është një nga profesionet më të vështira që kërkon punë dhe një sakrificë të madhe, pavarësisht se këtu në Shqipëri vendet tona na i kanë zënë politikanët dhe prandaj nuk na ndërtojnë edhe një teatër dinjitoz, sepse kanë frikë se u marrim audiencën. Ndërsa, përsa i përket përfshirjes në rol, ka gjithmonë rëndesa psikologjike, sepse ne duhet t’i “veshim” vetes kostumin e tjetërkujt… Kjo natyrisht kërkon një luftë të madhe me veten, edhe jo pak herë jemi gjendur duke folur me vete. Për shembull, një nga rastet që mund të përmendet është Leonardo di Caprio në filmin “Shutter Irland”, duke qenë se roli i tij i përkiste sindromës së skizofrenisë, kjo gjë i ka sjellë dëmtime të mëdha atij pas xhirimeve të filmit. Që do të thotë se procesi është i njëjtë në ndërtimin e rolit, edhe ngarkesa psikologjike po ashtu. Por, përsa i përket mirëqenies, aktorët e huaj vdesin nga droga, kurse ne nga uria.

Të ka joshur ndonjëherë televizioni dhe çfarë formati mendon se bën për ty?

Më pëlqen shumë televizioni, por mendoj se duhet të kesh një përgatitje të madhe gazetareske, plus kërkon një obligim shumë të madh edhe je i detyruar të heqësh dorë nga filmi dhe teatri, por mua, momentalisht, nuk më intereson sepse parësore kam filmin edhe teatrin, por në një të ardhme pse jo mbase edhe e bëj, edhe pse kam pasur disa oferta, por kam menduar që nuk isha gati. Por jam në diskutime për disa projekte, jashtë dhe, për momentin, nuk e shoh si mundësi.

Para pak kohësh, deklarove se je i fejuar. Është pjesë e artit dhe po bëni plan të martoheni?

Nuk është e fushës se artit, por kemi menduar të jemi më të rezervuar për jetën tonë private. Sa i përket dasmës, më duket stresuese, për momentin, por në të ardhmem nuk i dihet. Do më pëlqente një dasmë fine, jo tradicionale. Por më pëlqen shumë të kem një familje të madhe, të kem shumë fëmijë, gjithsesi, duke parë e duke bërë.

Një artist, sa i aftë është të ruajë një lidhje të qëndrueshme dhe sa i fortë është mendërisht për ta mbajtur martesën?

Mendoj se dashuria dhe përkushtimi.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al