11 Shtator, 2018

Katër muaj pas ndarjes nga djali i Jozefina Topallit, Eva Murati shfaqet me unazë fejese në gisht


“Nuk jam nusja e Jozefina Topallit, ende s’kam një unazë në gisht”, ishte deklarata e fortë mediatike që prezantuesja e emisioneve të sportit Eva Murati dha disa muaj më parë në një intervistë televizive. Nuk vonoi shumë dhe mohimi që u bëri lajmeve të zyrtarizimit të lidhjes 8–vjeçare me Genar Topallin, djalin e ish-kryetares së Kuvendit të Shqipërisë u pasua me lajmin e ndarjes. E katër muaj pas publikimit të këtij lajmi nga të gjitha mediat, Eva bën një tjetër ngacmim. Vetëm disa orë më parë ajo ka postuar një foto ku shfaqet me një paruke në ngjyrën pink, poshtë së cilës ka vendosur diçiturën “Pink Overdose”.

Nuk kanë munguar komentuesit, të cilët e kritikojnë për këtë ngjyrë flokësh, pasi nuk i shkon si brune që është, ndërkohë që të tjerë kanë vënë re një detaj të rëndësishëm, pikërisht një unazë rreth që mban ajo në gisht, fakt që ngjall dyshimet se Eva mund të jetë fejuar në fshehtësi. Nuk dihet ende nëse një person tjetër ka hyrë në jetën e saj këto kohë, apo nëse kjo unazë e ka rikthyer në lidhjen me moshatarin e saj, Genarin.

Ky i fundit ende ruan foto me Evën të shkrepura gjatë udhëtimeve të tyre në vitin 2017-n, ndërsa në profilet zyrtare të Evës nuk gjendet asnjë foto nga lidhja për gati një dekadë. Edhe në fotot me bikini, ajo shfaqet vetëm në “Instagram” gjatë pushimeve, kryesisht në Jug, ku dhe po punon për xhirimet e filmit të ri të Luan Kryeziut me titull “Unë si ti”. 23-vjeçarja, e cila i ka hyrë botës së televizionit shumë e re, tashmë është përfshirë seriozisht në botën e kinemasë me disa role të fitura, siç ishte filmi serial “Ti mund të më quash Xhon”.

Një nga moderatoret e momentit të ekranit shqiptar, përveç punës që bën, është komentuar edhe për lidhjen e saj me djalin e politikanes Jozefina Topalli. E ftuar para disa muajsh në programin “Pasdite në Top Channel” ajo nuk mund t’i shpëtonte pyetjeve të tilla. “Unë kam vendosur të mos flas më për këtë gjë. Është diskutuar aq shumë kjo temë, por unë nuk jam pjesë e atyre vajzave që frymëzojnë portalet me historitë e tyre të dashurisë. Unë po përpiqem shumë në këtë që bëj dhe nuk dua të bëhem e njohur për jetën private, por për aftësitë e mia”, tha ajo.

Por teksa prezantuesja Juli Krisafi e cilësoi si “nusja e Jozefina Topallit”, Eva Murati iu përgjigj se nuk ishte nusja sepse ajo nuk ka një unazë në gisht. Ndërkohë që tani e shohim me një unazë në gisht, presim nga vetë Eva të rrëfejë se çfarë ka ndodhur këto kohë me jetën e saj sentimentale, që kur mediat njoftuan mbylljen e historisë së saj të gjatë të dashurisë me Genarin.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al