3 Shtator, 2018

Karriera në ngjitje e Luana Vjollcës dhe ajo në zbritje e Marinës, si u ndanë rrugët e motrave që hynë në televizion si velina


Dy motrat e pandara dhe që morën famë të njëjtë në “Top Channel”, duke e nisur karrierën televizive si velina, tashmë po ecin në skaje komplet të kundërta në botën e televizionit. Ndërkohë që Luana Vjollca sapo ka paralajmëruar projektet e saj, që i quan “të mëdha”, jo vetëm në televizion, por edhe në muzikë, nga ana tjetër, motrës së saj më të madhe, Marinës, lëvizja në “Klan” duket se i rezultoi një bllof.

Edhe pse zhvendosja e saj u prit me bujë dhe reklamë të madhe, ajo mundi të prezantonte vetëm një sezon të spektaklit të vëllezërve Pandi e Bledi Laço “C’est la vie”, ndërkohë që u bënë muaj e muaj që nuk shfaqet askund. Marina mungon në spotin e sezonit të ri televiziv në “Klan”, që do të thotë se ajo nuk do të prezantojë asnjë program, as për muajt në vazhdim. Mund ta konsiderojmë këtë ndarje të rrugëve të karrierës së dy motrave me tipa të kundërt, Luanës hokatare dhe Marinës sensuale, e para në ngjitje dhe e dyta në zbritje.

E duket se ndryshimi mes tyre nuk ka nevojë për shumë komente, nëse u referohemi thjesht postimeve që secila bën në rrjetet sociale. Ndërkohë që Luana nuk ka kohë të marrë frymë, pasi siç thotë ka krijuar varësi nga puna, Marina ka kohë sa të dojë, pasi siç është shprehur edhe vetë, tashmë poston foto si “shtëpiake e dëshpëruar”. Luana është ajo që ndan foto me ndjekësit në udhëtime për koncerte, sheshxhirime për klipet e reja dhe zyrë, duke punuar për emisionin e ri, kurse Marina poston foto vetëm pranë bashkëshortit reper Getoar Selimi, ose pranë familjarëve të saj.

“Sot duke xhiruar një gjë komplet të re. Projekti më i madh deri tash. Nuk ka kohë për pushim”, deklaronte Luana në një postim të bërë. E sipas burimeve tona, xhirimet janë në “Top Channel”, duke qenë se bëhet fjalë për një emision të ri. Luana me këto xhirime po konfirmon faktin që do jetë në sezonin e ri te televizioni që nisi karrierën, ndryshe nga Marina e cila ende s’ka ndonjë projekt të konfirmuar, edhe pse u pa disa herë në ambientet e “Klan”-it.

E jo vetëm në televizion, por edhe në muzikë Luana ishte e pranishme këtë sezon veror. Pasi solli hitin “M’i dhe flakë mallit tim” në bashkëpunim me këngëtarin e muzikës popullore Bujar Qamili, ajo nisi punën për këngën e re me titull “Vetëm ty”. Sa i takon jetës private, Marina ka një martesë të bukur me Getoarin, ndërsa Luana një lidhje pasionante dhe bashkëpunimi me biznesmenin dhe menaxherin e VIP-ave nga Kosova, Krenar Çoçaj. Rikthimi i miqësisë së dy partnerëve pas krisjes që patën, ka bërë që dy çiftet të kalojnë më shumë kohë bashkë. Ndërkaq po flitet se Getoari dhe Marina ndër planet e tyre parësore kanë sjelljen në jetë të një fëmije, kurse Luana dhe Krenari për momentin po punojnë për të fituar para nga koncertet, duke ia lënë të ardhmes hapin për një martesë të mundshme.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al