19 Prill, 2020

“Karantina më gjeti në lidhje por … ”- Bledi Strakosha flet për planet e martesës: Si vendosëm të mos takohemi edhe pse jetojmë në të njëjtin qytet


Takimet në hotelin luksoz me VIP-at gjatë programit të tij me “Me Bledin” në RTSH,  moderatori I njohur Bledi Strakosha i ka zëvendësuar me takimet virtuale me ndjekësit e tij në Instagram, ku shpesh poston momente nga jeta në karantinë.

I vetëm në shtëpi, edhe pse e pranon se është në një lidhje dashurie, Bledi rrëfen për “Panorama Plus” pse kanë vendosur si çift të mos takohen, dhe si është karantina e një djali televizioni  që i pëlqen vetmia por dhe është mësuar me vëmendjen e publikut.

Si është një karantinë me Bledin, e heshtur apo e zhurmshme?

Bledi Strakosha: E qetë. Përgjithësisht ditët e mia janë të qeta, përpos angazhimeve që hera-herës nisin në mëngjes e mbarojnë në mbrëmje. Por këto kohë po shijoj veten dhe shtëpinë, siç kisha kohë pa e shijuar. Dita nis me një mëngjes të lehtë, kafe dhe muzikë. Vijon më tej kryesisht me filma e dokumentarë, ndonjë libër, punë që duhet t’i kryej nga shtëpia, por edhe gatime e punë shtëpie.

Shohim që bën shpesh postime duke treguar sadopak momente nga izolimi, kush fotografon në shtëpinë tënde?

Bledi Strakosha: Këtë pyetje ma kanë bërë shumë njerëz që më ndjekin në rrjetet sociale sepse e dinë që jetoj vetëm. Fotot m’i bën celulari im me timer.

Të mungon jeta intensive, apo ishe aq i lodhur sa kishe domosdoshmëri për ditë si këto?

Bledi Strakosha: Kisha kohë që dëshiroja disa ditë pushime, por jo kaq të gjata dhe të izoluara. Jam një tip që e pëlqen shumë vetminë, por nga ana tjetër jam edhe shumë social si natyrë dhe s’rri dot pa punë. Emisioni “Me Bledin” më mungon, por uroj të rikthehemi së shpejti! Ndërkohë e kam shfrytëzuar kohën e lirë për t’ju dedikuar më shumë kanalit tim në youtube.

Çfarë pikëpyetjesh ekzistencialiste qarkullojnë në mendje këto kohë?

Bledi Strakosha: Kam menduar shumë për prioritetet e gabuara që i kemi vënë vetes dhe jetës sonë në përgjithësi. Po më mungojnë shumë prindërit e familja e sime motre, jemi shumë të lidhur dhe këto kohë kemi qenë në kontakt vetëm online. Shumë ftohtë kështu, por s’kemi ç’bëjmë, po jetojmë kohë absurde e duhet t’u qëndrojmë larg njerëzve që duam për t’i mbrojtur.

Pyetja që bëj më shpesh është: kur do të mbarojë e gjithë kjo marrëzi? Natyrisht është pyetje që s’mund të marrë përgjigje, por sot po e kuptoj gjithnjë e më shumë se në fakt jeta ka nevojë për rutinën e saj, sado e mërzitshme që na duket kur e kemi. Duhet të shijojmë e të shfrytëzojmë çdo moment të jetës!

Frika jote më e madhe që ke?

Bledi Strakosha: Vuajtja, jo dhe aq vdekja. Në fund të fundit të përkohshëm jemi, por nuk dua të vuaj. E natyrisht nuk dua që të vuajnë as njerëzit e zemrës.

Për fat ekziston ajo drita në fund të tunelit. Per ty cila mund të jetë kjo dritë?
S’ka dyshim që ekziston, në çdo rrethanë. Unë jam natyrë shumë optimiste, por jam edhe realist. Drita në fund të tunelit këto kohë padyshim që është një kurë apo vaksina ndaj Coronavirusit, dhe rikthimi në jetën normale, për aq sa mund të quhet “normal” ky rikthim.

Shumë personazhe të njohur i gjeti kjo situatë larg njerëzve të dashur. Ty të gjeti afër apo larg dashurisë?

Bledi Strakosha: Unë jam në një lidhje ç’është e vërteta, por kemi vendosur të mos takohemi këto kohë. Kështu afër si distancë gjeografike, sepse jetojmë në një qytet, por larg në kuptimin e mundësisë për t’u përqafuar, puthur…

E dimë që origjina jote është nga Dhërmiu. Ke menduar të arratisesh atje si shumë VIP-a sapo kjo situtatë të kalojë?

Bledi Strakosha: Jo. Unë jam një djalë qyteti paçka origjinës sime dhe dashurisë që kam për natyrën. Nuk rri dot gjatë larg Tiranës, edhe pse kjo Tiranë e këtyre kohëve më ngjason më shumë me një qytet fantazmë, se sa me gjallërinë që e karakterizon.

Kjo jeta e re që po bën, nëse do ishte gjithmonë kështu sa do të doje të zgjaste?

Bledi Strakosha: Sa më pak, jo sepse nuk po e shijoj, se tek e fundit të qëndrojmë në shtëpi po na kërkohet, por sepse kjo kohë ka shkaktuar shumë dhimbje dhe humbje njerëzore sidomos, por edhe ekonomike, e kështu me radhë. Do të doja të përfundonte sa më shpejt!

Kur e gjitha kjo të marrë fund, do vraposh të krijosh familje apo t’i japësh lirisë personale dimensione të reja dhe si mund të jenë?

Bledi Strakosha: Mendoj se hapa të tillë nuk janë në dorën tonë. Krijimi i një familjeje është një dëshirë e hershme, por edhe përgjegjësi e madhe. Nuk mendoj se duhet të lejoj rrethanat që të diktojnë këto vendime. Edhe pse këto kohë, për herë të parë në jetë po ndiej disi vetminë, nuk mund e nuk dua të nxitohem për të krijuar lidhje të gjata apo familje. Por nëse kushtet e ndjenjat puqen siç duhet, do të isha shumë i lumtur të ndodhte.

/Panoramaplus.al nga Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al