21 Korrik, 2018

‘Jemi në qetësi të rrezikshme’, paralajmërohet rreziku i ringjalljes së epidemisë globale të frikshme


Sipas një raporti “qetësia e rrezikshme” ndaj epidemisë globale të HIV-it mban rrezikun e ringjalljes së kësaj epidemie, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e publikuar në revistën “The Lancet” thuhet se shtyrja e fondeve të ofruara për luftën kundër HIV-it gjatë viteve të fundit rrezikon përpjekjet për vënë nën kontroll sëmundjen e AIDS-it, i cili shkaktohet nga HIV.

Në raport thuhet se nëse kështu vazhdojnë punët nuk është e mundur që deri në vitin 2030 t’i jepet fund epidemisë së HIV-it, ashtu siç synojnë anëtarët e OKB-së.

“Niveli i HIV-it në përgjithësi ka rënë, por kjo rënie është ngadalësuar dhe deri në vitin 2020 do të ketë 500 mijë infektimeve të reja. Po ashtu është hasur në vështirësi në uljen e nivelit në shtetet në zhvillim dhe në mesin e grupeve margjinale, sidomos tek gratë dhe të rinjtë, të cilët kanë mundësi të kufizuar për t’u qasur në trajtim”, thuhet në raport.

Ekspertët bëjnë thirrje për më shumë bashkëpunim mes stafit shëndetësor dhe më shumë përfshirje të trajtimit të HIV-it në shërbimet shëndetësore.

Rreth 37 milionë persona në botë vlerësohet të jenë bartës të HIV-it ose të sëmundjes AIDS, ndërkaq çdo vit regjistrohen rreth 1,8 milionë raste të reja të kësaj sëmundjeje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al