25 Shtator, 2018

Isida Mollaymeri: Topless për herë të parë në jetën time, pse guxova tani


KLOTILDA HARKA/ Për Isida Mollaymerin, të jesh balerinë është të arrish atë që jo të gjithë munden, ndërsa ngre në fluturim trupin dhe shpirtin në një kërcim. I pëlqen të njihet si Isida e Teatrit të Operës dhe Baletit, pasi e dashuron teatrin, ndërsa në televizion thotë se ndihet ndryshe si partnerja e meshkujve të njohur në garën e “Dancing with the Stars”. E jashtë profesionit, së fundi, po tërheq vëmendjen në rrjetet sociale me fotot e reja sensuale, ku ka guxuar më shumë se kurrë më parë para objektivit të Fioralba Kryemadhit. Për zhveshjen e një balerine, paratë dhe partnerin në skenë apo në jetë, Isida flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Së fundi, kemi parë që poston foto artistike ku ekspozon sensualitetin në maksimum. Si lindi ideja?

Në fakt, i nisëm kështu për qejf, po fotografja Fioralba Kryemadhi më thoshte “edhe një, edhe kështu, edhe ashtu dhe fotot dolën më sensuale nga ç’e kisha imagjinuar… Kam dhe shumë të tjera foto që s’i kemi nxjerrë akoma, sepse vërtet duken shumë sensuale…

Një zhveshje artistike prej balerine ku ndryshon nga zhveshjet e vajzave të tjera në “Instagram”?

Janë shumë artistike si foto e duke i parë të miat, këtë po i thosha edhe Fioralbës; që prerjet e trupit që nga pulpa e deri te qafa janë vërtet detaje tek unë që e bëjnë foton të duket komplet ndryshe nga një vajzë tjetër.

Ekspozimi i të brendshmeve bie në sy në këto poza. Ishte qëllim në vetvete evidentimi i tyre në këtë set?

Në fakt, siç ju thashë, nuk është se i bëmë kastile, po unë ato kisha me vete e Fioralba ma mori zemrën me super fotot e saj dhe i bëmë edhe foto komplet trupit. Se të them të drejtën, në fillim i nisëm vetem për portret.

Je duke u marrë me ndonjë biznes veshjesh intime dhe sa fitimprurës është?

As e kisha menduar këtë në fakt, po tani që po më thoni ju! Sa për fitimet, jo asnjë përfitim s’ka pasur sepse unë kam linjë kremrash për trupin dhe fytyrën për femra dhe akoma s’e kam futur linjën e meshkujve, sepse e kam lënë në një hap të dytë. Dhe fotot i kam në profilin tim jo të biznesit. Kur t’i bëj fotot për kremrat, atëherë jam e bindur që Fioralba do m’i bëjë vërtet të tilla që të kenë ndikim për biznesin tim.

Nuk mungojnë as pozat topless në “Instagram”-in tënd. Kur e kujton herën e parë?

Në fakt, në jetën time për herë të parë topless kam dalë këtë vit në plazh. Fotot në “Instagram” janë të gjitha me çantë përpara, ose me kurriz.

Çfarë ndjesie të jep lëkura jote në rastin kur veshjet duken të tepërta?

Veshjet i dua shumë si ato shumë të tepërta dhe ato më pak, pasi nuk më bezdisin kurrë. Më pëlqen shumë të kem gjëra nëpër trup.

Si balerinë që je, cili është kërcimi që të bën të nxjerrësh në maksimum feminitetin dhe ai kërcim që do e konsideroje të plotë për ndjenën e dashurisë?

Unë s’do veçoja asnjë kërcim se janë të gjitha shumë të dashura për mua dhe unë gjithmonë i kërcej të gjitha me shumë dashuri. Sa për feminilitetin, i gjithë kërcimi në vetvete ta nxjerr atë në pah, sepse kërcen çdo pjesë e trupit bashkë me shpirtin.

Nga skena e Teatrit të Operës dhe Baletit te “Dancing with the Stars”, çfarë ndjesish ke në mënyrën si e përjeton skenën?

Unë e dashuroj teatrin dhe s’do vija asgjë para skenës së teatrit. Janë momente emocionale madhështore e të pakrahasueshme. Ndërsa “Dwths” është një produksion që e dua shumë dhe ndihem si në shtëpinë time. Skena e “Dancing” ka emocione të tjera dhe është shumë televizive, gjë që ne herë pas here na duhet shumë, për më tepër te “Dancing” kemi dhe përgjegjësinë e partnerit, atë të koreografisë, pra, janë të tjera gjëra. Unë si Isid, kam dashur gjithmonë të indentifikohem si Isida Mollaymeri, soliste në TKOB.

Duke qenë se ke kërcyer në “Dancing” me disa meshkuj të njohur, me cilin prej tyre do të doje një herë të dytë?

E kam thënë gjithmonë që deri vjet ishte vetëm Viktor Zhusti, por tashmë është edhe Amos Mujo Zaharia. Janë dy njerëzit që do të kërceja dhe 100 herë, e s’do lodhesha kurrë.

Frika e një balerine, cila është në ushtrimin e profesionit?

Frika është gjithmonë se mos dëmtohemi, e kjo na kushton shumë në karrierë. Sepse reabilitimi më i vogël është minimalisht 3 javë.

Në skenë, ju balerinat ju shohim me partnerë, po në jetë, a bëni dot pa një të tillë?

(Qesh) Në fakt, Zoti e ka krijuar mashkullin dhe femrën të rrinë bashkë në çdo profesion. Pa bashkëpunimin e njëri-tjetrit gjërat s’janë njësoj të bukura. Dhe kështu mendoj dhe unë personalisht, por me ditët që kanë ardhur, njeriu bën dhe pa partnere e pa partner.

Në këtë epokë komerciale, si mund të pasurohet një balerin klasik dhe ti si ndihesh me paratë?

Ohhhhh… artisti në Shqipëri nuk pasurohet kurrë. Kjo është e vetmja gjë që mendoj se është absolute. Kështu që, s’ka më vend për koment.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al