2 Qershor, 2023

Inteligjenca Artificiale, ndryshimi më i madh dhe më ndërhyrës në jetën e njeriut


 

IMG_3091Nga Walter Veltroni

Po e shkruaj këtë artikull duke përdorur një tastierë kompjuteri. Me mausin lëviz sa lart poshtë dhe kam mundësi që të kem qasje tek një sasi e pafundme njohurish, të cilat do të jenë të dobishme për shkrimin tim. Në rast se harroj një hapësirë në shenjat e pikësimit, korrigjuesi e shënon gabimin me ngjyrën blu.

Ndërsa jam duke shkruar, i kërkoj dikujt që nuk është aty të më përzgjedhë dhe të vendosë në dhomën time muzikën, e cila më ndihmon të përqendrohem më shumë:Coleman Hawkins, Charlie Parker, Charles Lloyd. Këtë gjë e bën një zë që duket se praktikon virtyte, të cilat janë në zhdukje e sipër, si mirësjellja dhe efikasiteti.

 

“Ajo” tregon pamjen e një qenieje njerëzore, edhe duke mos qenë realisht e tillë. Shpesh ndodh e kundërta. Jam i vetëdijshëm se ky revolucion dixhital i pamasë dhe i shpejtë – i treti i epokës moderne pas atij bujqësor dhe industrial – e ka përmirësuar jashtëzakonisht mënyrën tonë të të jetuarit, të komunikimit, të kujdesit për veten dhe të dijeve tona.

Me një objekt të vetëm, telefonin celular, ne mund të kryejmë një mori detyrash që deri dje kërkonin kohë, udhëtime dhe lodhje. Sot telefoni ynë celular është bankë, gazetë, mjek, kënd lojërash, televizion, kinema, dyqan, postë, mjek, enciklopedi, këshilltar tatimor, trajner personal…

Të gjitha falas, dhe të gjitha menjëherë. Po pikërisht këtu qëndron edhe problemi. Mua më pëlqejnë makinat. Ato janë të dobishme. Por me kalimin e kohës falë shkencës, njerëzimi ka arritur të rrisë sigurinë e tij, të zvogëlojë ndotjen e tij, ta bëjë atë një instrument të qeverisur nga vlerat njerëzore.

A jemi të sigurt se ky është rasti edhe për makinerinë joshëse të shoqërisë dixhitale? Të flasësh për të është e rrezikshme. Siç ndodhi dikur me televizionin, ka gjithmonë nga ata që i bien alarmit të një apokalipsi, por edhe të tjerëve që e mbështetin dhe janë shumë entuziastë.

Por duhet bërë pa ndrojtje. Sepse Infokracia, siç e quan Byung-Chul Han, në një libër shumëtë mirë të botuar nga Einaudi, po na ndryshon rrënjësisht. Pasojat antropologjike të mutacionit më të madh dhe më ndërhyrës në jetën e njeriut, do të maten me kalimin e kohës dhe do të kenë të bëjnë me mënyrën tonë të lidhjes me njëri-tjetrin dhe me komunitetin.

Ky është edhe thelbi i ekzistencës sonë.

Ajo që na duket falas, paguhet në fakt nga profili ynë dixhital, ku algoritmet rregullojnë ekzistencën tonë, sekondë pas sekonde, gjest pas gjesti. Nga klikimet tona, gjesti më i përdorur nga njerëzimi në të gjithë globin, kompanitë e mëdha nxjerrin fitime me vlera astronomike.

Por ata nuk na njohin vetëm në një mënyrë pasive. Përkundrazi, ata ndërhyjnë në jetën tonëmënyrë aktive, duke na sugjeruar miq, ose duke hedhur në ekranet tona informacionet që ata dinë se përputhen me profilin tonë të gjinisë, kulturës, fesë, moshës, preferencave seksuale ose sportive.

A ka të bëjë e gjitha kjo me demokracinë dhe lirinë? Si ka mundësi që me shfaqjen e revolucionit dixhital në shkallë të plotë, ka rënë numri i demokracive ndërsa është rritur kudo numri i liderëve, që i kanë fituar zgjedhjet mbi bazën e logjikave të kundërta me parimet e lirisë dhe pluralizmit?

Sulmi mbi Kapitol në Uashington nga njerëz të nxitur nga lart, ishte fotografia më e qartë “qarkut të shkurtër” midis demokracisë dhe shoqërisë teknologjike. Në librin e tij, filozofi korean pohon se natyra autoritare e sistemit, ka në thelb joshjen dhe aftësinë e tij strukturore për t’i mbyllur bashkëkohësit në një dimension të vetmisë absolute, të maskuar nga një lidhje e vazhdueshme virtuale.

Duke cituar Mishel Fuko, ai thotë:”Vetmia është kushti i parë i nënshtrimit total”. Dhe më pas shton:”Në regjimin e informacionit, qeniet njerëzore nuk ndihen të mbikëqyrura, por të lira. Dominimi ndodh kur liria dhe mbikëqyrja përkojnë midis tyre”.

Po sikur të ishte vërtet kështu? Nëse një shoqëri që ka grumbulluar një fuqi ndërhyrëse të paprecedentë në historinë e njerëzimit, duke e dorëzuar atë në duart e 5 grupeve globale, do

të postulonte një strukturë të thjeshtuar të vendimmarrjes publike, një reduktim sistematik të kompleksitetit që favorizon pikërisht radikalizimin që po shohim dhe përjetuar këto kohë?

Edhe lajmet e rreme, paraardhëse tashmë të vjetruara të mundësive të paprecedenta që gjeneron Inteligjenca Artificiale për ndërtimin e “realitetit të rremë”, janë funksionale për dogmën e shoqërisë dixhitale:shpejtësinë. Të gjitha llojet e reagimeve, gjenerohen në bazë të ngarkesës emocionale të lajmeve të pakontrolluara e të publikuara në rrjet.

Komploti është pjellë e segmentimit të informacionit, e logjikës së të çuditshmes, por të vërtetë”, që ka kaluar nga faqet e rubrikave të gazetave të enigmës në sistemin e përgjithshëm të dijes. Byung-Chul Han shkruan:Informacioni ka një diapazon të ngushtë të aktualitetitatij i mungon qëndrueshmëria e përkohshme, pasi lulëzon në magjepsjen e befasisë.

Për shkak të paqëndrueshmërisë së tyre kohore, ato fragmentojnë perceptimin:hedhin realitetin në një vorbull të përhershme të aktualitetit”. Është e pamundur të ndalemi tekinformacioni:sepse kështu, ai shqetëson sistemin tonë njohës.

Praktikat njohëse që kërkojnë kohë intensive, si njohja apo përjetimi hiqen nga detyrimi i përshpejtimit të informacionit. Tëeet-et kanë zëvendësuar fjalimet:Sa kohë ka që nuk mbani mend një fjalim? Shpejt, më shpejt dhe akoma më shpejt. Tamam si një avion që ka dalëjashtë kontrollit.

Në një shoqëri ku fragmenti zëvendëson rrëfimin, ku gjithçka që është racionale dhe komplekse duket e papranueshme ose e padobishme, po fitojnë terren dy fenomene:fuqia e populizmit të të gjitha llojeve, që vepron me emocion dhe sugjestion dhe paqëndrueshmëria e përhershme e qeverive.

Me shpejtësinë e saj, gjuha subkoshiente e shoqërisë dixhitale, gllabëron gjithçka dhe çdo protagonist. Gjithçka brenda një kohë të shkurtër, duket e vjetër, e rraskapitur, e konsumuar. Edhe ata që drejtojnë pushtetin. Nga këtu buron përkohshmëria e qeverive demokratike dhe stabiliteti i atyre të bazuara tek autokracia.

Ashtu si Ajo që shoqëron butësisht shijet e mia muzikore, ka miliona zëra jo-njerëzorë, të gjeneruar nga troll social që vazhdimisht i vendosin mesazhet e tyre në rrjet, shpesh të mbushura me urrejtje dhe intolerancë. Ato nuk ekzistojnë në realitet, por kushtëzojnë frymën publike dhe veprimet e vendimmarrësve.

Së fundi, ekziston një temë tjetër, jetike për mua, prania e Tjetrit në jetën tonë. A ju kanë sugjeruar ndonjëherë algoritmet si mik dikë që ka mendime të ndryshme nga tuajat? Ne jemi të nxitur ta konsiderojmë Tjetrin si një disharmoni, si një aksident, në mos një armik që duhet mënjanuar.

Nëse audienca e synuar përfaqësohet nga lloji i dikujt, Tjetri do të jetë gjithmonë dikush jashtë gardhit. Byung-Chul Han thotë:Tjetri po zhduket…Dëbimi i tjetrit përforcon detyrimin e vetë-propagandës për të indoktrinuar veten me idetë tona…Kriza e demokracisë është kryesisht një krizë dëgjimit”. Të duash teknologjitë nuk do të thotë të mos analizosh rreziqet dhe efektet. Edhe mbi arritjen kryesore dhe themelore të jetës sonë: demokracinë. / “Corriere della Sera” – Bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al