17 Shtator, 2019

I ngatërrojnë qesen e gjakut në spital, ndërron jetë pacientja


Një qese gjaku që ishte destinuar për një tjetër pacient me të njëjtin mbiemër, i ka sjellë vdekjen një gruaje në Itali.

Ngjarja ka ndodhur në spitalin “Vimercate” në Monza dhe viktima është 84-vjeçarja, Angela Crippa.

Mediat italiane shkruajnë se e moshuara ka mbetur viktimë e transfuzionit të gabuar të gjakut, pas një operacioni që kishte bërë në femur. Pacienti tjetër me të cilin i ngatërruan qesen, u operua për të njëjtën arsye.

Lidhur me ngjarjen kanë folur dy djemtë e saj, Marco e Franco, të cilët janë shprehur se “operacioni kishte shkuar mirë, ishte e vjetër por kishte shumë dëshirë të jetonte”.

Në fjalët e dy fëmijëve të viktimës nuk ka urrejtje, por vetëm trishtim. “Na ndodhi neve, por mund t’i ndodhte gjithkujt”, ka thënë Marco.

Ndërkohë që procedurat për identifikimin e autorit të ngjarjes vazhdojnë, autoritetet gjyqësore kanë urdhëruar një autopsi të trupit të Crippa-s.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al