1 Gusht, 2018

“Huawei” ia kalon “Apple”, i dyti më i shitur në botë


Kompania e celularëve “Huawei” duket se ka arritur një rekord historik, duke lënë pas “Apple” e duke u bërë “smartphone” i dytë më i shitur në botë.

Gjatë tremujorit të fundit, prodhuesi kinez i “smartphone”-ve ka shitur rreth 54 milionë telefona, 40 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu thuhet se kjo sasi e shitur e këtyre telefonave është e mjaftueshme, jo vetëm për të mundur “Apple”, por edhe për të ngushtuar distancën me liderin e tregut, “Samsung”-un. Ky i fundit ka shitur më shumë se 70 milionë telefona në tremujorin e fundit, duke shënuar një rënie prej 10 përqindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë ekspertët janë shprehur se rritja e vazhdueshme e “Huaweit” është mbresëlënëse, pasi ka mundur të hyjë dhe të dalë në majë, në tregje ku deri kohët e fundit emri i tij ishte i panjohur.

“Huawei” është ngjitur në vendin e dytë, pavarësisht se virtualisht është i përjashtuar nga ekonomia më e madhe në botë. “Smartphone” kinez dhe prodhuesi i pajisjeve të telekomit është penguar në SHBA, kryesisht për shkak të shqetësimeve të zyrtarëve se teknologjia e tij mund të përdoret nga qeveria kineze për të mbledhur të dhëna sekrete.

Vet “Huawei” e ka mohuar në vijimësi se produktet e tij përbëjnë rrezik sigurie. Në vitin 2017, “Huawei” kishte thënë për CNN-in se synonte që të bëhej numri një në industrinë e “smartphone”-ve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al