21 Shkurt, 2021

Fotot nga paparazi/ Rreth një vit pasi fitoi betejën me sëmundjen e rëndë, aktori i madh Mirush Kabashi shfaqet në formë të mirë shëndetësore


Aktori i madh Mirush Kabashi është fotografuar pak ditë më parë nga paparazzi ynë, teksa shëtiste në rrugët e Tiranës.

Ai duket se e ka lënë pas krahëve sëmundjen e rëndë, madje edhe shkopin e mban thjesht për siguri, por duket se tashmë nuk ka nevojë për të. Ka qenë jo pak tronditës lajmi që aktori i madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, kishte rreth dy vite që luftonte me një sëmundje të rëndë.

Lajmin e dha një punonjëse spitali, e cila publikoi në maj të vitit të kaluar një foto me aktorin e madh. Ata ndodheshin në ambientet e spitalit ku aktori ishte në një karrige me rrota. Mjeshtri i madh sapo kishte dalë nga një seancë radioterapie, pasi vuante prej dy vitesh nga një sëmundje e rëndë.

Ajo që të bën përshtypje, është fakti që aktori i madh, sot 73 vjeç, nuk e ka humbur besimin dhe shpresën, sepse edhe në atë gjendje, ai pozon duke buzëqeshur. Të gjithë e dimë se aktori i madh ka patur pasion të madh sportin dhe sidomos notin.

Si një durrsak ekselent, Kabashi ushtrohej vazhdimisht me not dhe ishte shumë në formë, madje në një formë të rrallë fizike krahasuar me moshatarët e tij. Ne urojmë që i madhi Mirush Kabashi të ketë jetë të gjatë dhe të rikthehet në skenën e teatrit apo në kinematografi, aty ku ai na ka dhuruar personazhe të përkryera, që mbeten të përjetshme në memorien tonë. Kthehu shpejt, mjeshtër! Ne të presim!

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al