20 Shkurt, 2021

Fotot nga paparazi/ Ish-Kryeministri Fatos Nano gjendet i papërgatitur dhe pa çadër në rrugët e Tiranës

Pak ditë më parë, ish-Kryeministri socialist Fatos Nano u fotografua nga paparazzi ynë.

Nano gjendej në zonën e ish-Bllokut pranë një pasticerie shumë të njohur. Bëhet fjalë për një nga ditët kur shiu dhe i ftohti kishin zaptuar kryeqytetin. Nuk dihet se cila ishte arsyeja që Nano u gjend fare i papërgatitur në një mot të keq.

Ai me sa duket nuk kishte me vete as çadër dhe as makinën diku afër. Nano ra në sy edhe nga kalimtarët, sepse priti gjatë poshtë disa shkallëve të jashtme që i shërbenin si mbulesë që të mos lagej.

Pa maskë anti-Covid dhe me sytë nga qielli, duke shpresuar që shiu të pushonte, ai kaloi disa kohë në pritje. Kujtojmë se Nano, edhe gjatë kohës kur ka qenë Kryeministër, ka preferuar që makinën ta niste vetë.

Ndërkohë, tani që ndodhet në pension, ai është fotografuar herë pas here duke ngarë një makinë super luksoze. Nano tashmë është tërhequr nga politika, por ai herë pas here shfaqet në ekran për të dhënë mendime mbi aktualitetin politik.

Dikur, kur Sali Berisha ishte Kryeministër, ai u shfaq në një emision politik dhe në atë intervistë ai mbështeste Berishën, edhe pse vetë kishte drejtuar një forcë të majtë.

Tani, ato pak herë që ai ka dalë në intervista, ka shprehur vazhdimisht mbështetje për pasardhësin e tij në krye të Partisë Socialiste dhe Kryeministrin aktual, Edi Rama, gjë që e bëri edhe pak ditë më parë në një intervistë.

/Panoramaplus.al