6 Tetor, 2017

Flet mjeku urolog: Zmadhimi i prostatës, si mund të kuptohet dhe pasojat nga mjekimi i gabuar


Ndodh jo pak që pacientët bëhen “mjekë” të vetes. Nisur vetëm nga ajo që kanë dëgjuar, parë, apo lexuar ata mund t’i drejtohen farmacisë më të afërt për të nisur trajtimin me ilaçe. Dhe këtë e bëjnë, sikundër vë në dukje prof. dr. Kim Drasa, pa u konsultuar me një specialist. Një gjë e tillë paraqet rrezik për shëndetin e tyre.

Por, pjesë e rrethit të fajit, sipas Drasës, janë edhe mjekët, të cilët jo gjithmonë janë në gjendje që të lexojnë si duhet shenjat klinike që pacienti manifeston. Keqkuptime kanë ndodhur dhe vijojnë të ndodhin edhe me zmadhimin e prostatës.

Çrregullimet urinare shihen të lidhura pashmangshmërisht me këtë patologji, gjë që ka sjellë mjekim të gabuar dhe mosdiagnostikim në kohë të sëmundjeve të tjera që pacienti mund të ketë.

“Çdo ditë paraqiten për konsultë pacientë që e kanë filluar vetë ilaçin e prostatës, pasi u është thënë se kanë zmadhim prostate, kur në fakt çrregullimet urinare nuk i kanë nga zmadhimi i prostatës, por nga sëmundje të tjera, më tepër nga diabeti, hipertensioni, parkinsoni, OAB, UAB, IC e shumë e shumë diagnoza të tjera, të cilat s’kanë lidhje me prostatën”, pohon doktori, i cili na njeh edhe me praktikat që aplikohen sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga zmadhimi i prostatës.

“Në Boston u vendos se zmadhimi i prostatës duhet të mjekohet me ilaçin e fundit të aprovuar nga FDA dhe ky është medikamenti SILODOSIN 4 mg dhe 8 mg dhe Flomax (A1 blockers) dhe në vendet ku ky medikament nuk ka arritur akoma (siç eshte Shqipëria), pacientët duhet të mjekohen me një lloj tjetër tamsulosine, që këtu më i miri dhe më i sigurti është PROSTACURE, Tamsu Genericon dhe në raste të tjera, të mjekohen me XANTRAL 10 mg, 1 në ditë”, thekson prof. dr. Kim Drasa, mjek urolog.

Prof. dr. KIM DRASA

Për prostatën po shkruhet shumë, por pjesa më e madhe janë në nivel të ulët profesional, për të mos thënë abuzive, se të tilla janë vërtet. Pacienti duhet të informohet me të dhëna shkencore të fundit, kjo është imperativ e kohës për shumë mjekë, qoftë dhe urologë. “Alpha blockers (tamsulosin, alfuzosin, terazosin) nuk janë në interesin e pacientit që vuan nga prostata”.

Në këtë përfundim ka dalë prof. Claus G. Roehrborn, një nga personalitet dhe ekspertët më të shquar botëror, i cili merret kryesisht me studimin e LUTS-BPE (çrregullimet urinare nga prostata dhe nga shkaqe të tjera në traktin e poshtëm urinar). Sipas tij, alpha blockers kanë qenë përdorur si terapi e linjës së parë për zmadhimin beninj të prostatës, për një çerek shekulli, me efikasitet të mirë dhe me efekte anë- sore minimale.

Problemi është se industritë e prodhimit të këtij lloj medikamenti kanë bërë presion me peticion drejtuar FDA-së (Qendra Shkencore e Aprovimit për t’u përdorur ose jo një medikament i caktuar, në USA), për të aprovuar një lloj të tillë medikamenti, i cili të përdoret lirshëm, pra të shitet pa rekomandim të specialistit.

Pra pacienti ta blejë vetë në farmaci. Kuptohet se kjo bëhet që këto kompani farmaceutike të rrisin fitimet e tyre, me pa të drejtë. Kjo mënyrë shitjeje është e papranueshme shkencërisht, sepse do të inkurajojë pacientët të shkojnë në drejtim të gabuar duke i marrë vetë këto medikamente me mendimin se do të përmirësohen nga çrregullimet urinare që mund të kenë. Pacientët me zmadhim prostate, të pakomplikuar, si fillim do të jenë të kënaqur nga një përmirësim i çastit.

Kjo ka një të keqe të madhe se pacienti nuk do të kërkojë ndihmë të specializuar. Pra me ketë veprim jo të drejtë, rrezikohet të maskohet sëmundja e vërtetë, siç mund të jetë: hematuria, diabeti, disa variante të mosfunksionimit normal të ureterëve dhe veshkave dhe, më e keqja, se mund të fshehë disa lloje të kancerit.

* * *

Claus G. Roerhborn ka vënë në dukje se klinicistët me eksperiencë mund të dallojnë qartë se pacienti nuk e ka vështirësinë e urinimit nga zmadhimi i prostatës, por nga diçka tjetër, e cila mund të jetë shumë serioze. E keqja më e madhe është se pacienti, duke krijuar përshtypjen se u përmirësua nga urinimi, do të vonojë vajtjen te specialisti, për të vënë diagnozën e saktë dhe fatkeqësisht do të zgjasë kohën, në dëm të vet.

Pacienti që vepron kështu do të paraqitet te specialisti vetëm kur ta kuptojë se mjekimi që mori vetë ka dështuar, por kjo mund të jetë shumë vonë për të, sepse edhe sikur të zbulohet sëmundja e vërtetë, do të jetë i vështirë kurimi.

Ata mjekë aspak profesionistë, të cilët thonë se kjo vonesë nuk prish pune, gabojnë totalisht, por nga padia. Prof. Roehrborn thekson se kontroversi real është se urologët e ndjejnë se kanë humbur kontrollin ndaj pacientëve të tyre, në qoftë se këto medikamente merren nga pacienti në mënyrë të pavarur, pa kontrollin e tyre. Qartësisht, nëse ndodh një gjë e tillë, pacientët janë shumë të rrezikuar.

* * *

E ngrita këtë problematikë, pasi jam tejet i shqetësuar me atë që po ndodh aktualisht në Shqipëri. Në SHBA u bë problem, pasi kompanitë farmaceutike vetëm kërkuan, ndërsa këtu jemi para faktit real. Këtë handikap kam vite që e kam konstatuar dhe ky po dëmton shumë pacientë, duke u mjekuar me alpha blockers (omnic ocas, etj.) pa kriter. Qartësisht, ndodh kështu: pacienti me çrregullime urinare (urinon shpesh, urinon 1-2 herë natën), pasi ka dëgjuar nga mjeku, komshiu në lagje, apo farmacisti, nis të përdorë këto medikamente.

Më e keqja ndodh, kur bën eko prostate dhe zakonisht ky mjek e frikë- son, duke i thënë gabimisht se ka prostatë të madhe dhe i rekomandon të marrë ilaçe. Më skandalozja është kur i komunikon se duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Pra, situata te ne është alarmante. Çdo ditë paraqiten për konsultë pacientë që e kanë filluar vetë ilaçin e prostatës, pasi ju është thënë se kanë zmadhim prostate, kur në fakt çrregullimet urinare nuk i ka nga zmadhimi i prostatës, por nga sëmundje të tjera, më tepër nga diabeti, hipertensioni, parkinsoni, OAB, UAB, IC e shumë e shumë diagnoza të tjera, të cilat s’kanë lidhje me prostatën.

* * *

Jemi i vetmi vend në botë, ku pacienti hyn në vizitë dhe thotë fjalën e parë: “Jam me prostatë”. Ky është një handikap, tregon kulturën e ulët mjekësore. Ka ardhur koha që burrat, të cilët kanë çrregullime urinare, të mos mendojnë se i kanë nga prostata. Ka miliona gra në botë, të cilat kanë simptoma të çrregullimeve urinare (urinojnë me shpesh se zakonisht, ngrihen 3-5 herë natën për të urinuar, lagen nga urina etj.), njësoj si burrat, por dihet se gratë nuk kanë prostatë. Pra ka disa vite që pacientët burra janë në gjendje kritike nga mjekimi joprofesional.

Pikë së pari, sqaroj se madhësia e prostatës nuk përcakton realisht shkallën e simptomave, që kategorizohen si: të lehta, të mesme, të rënda. Pra, nuk duhet të mendohet, se sa më e madhe të jetë prostata, aq më të rënda janë simptomat e pacientit. Kjo nuk ka rëndësi aspak. Pra, nuk është në proporcion të drejtë. Kam vite që flas e shkruaj për këtë pikë kyçe, por nuk ka pasur asnjë reagim pozitiv të pacientëve dhe aq më keq të urologëve. Në Boston u tha qartë si drita e diellit, se problemi madhor është kur rritet zona centrale e prostatës.

Pra, lobet laterale të prostatës mund të rriten shumë dhe pacienti nuk ka çrregullime urinare. Për të vërtetuar këtë, kam shume raste të dokumentuara me eko, me prostatë të rritur deri 240 gr, dhe pacienti nuk ka asnjë simptomë të çrregullimit urinar dhe në të kundërt, kam pjesën më të madhe të pacientëve me prostatë deri 40 gr dhe paraqesin probleme të mëdha të çrregullimeve urinare, deri në bllokim të aktit të urinimit (retencion urinar). Kjo ndodhi u diskutua gjatë në Boston.

Atje, para se të jepej ky konkluzion, personalisht mbrojta tezen që madhësia e prostatës nuk ka rëndësi për t’u parë, por rëndësi ka zmadhimi i zonës central-tranzitore, se kjo është zona aktuale ku kalon uretra (uretra prostatike). Kuptohet qartë, se rritja e zonës centrale, shtrëngon uretrën dhe nga ky shtrëngim ndodh shfaqja e simptomave të çrregullimit urinar. Kjo ndodh edhe pa qenë të rritura lobet laterale, të prostatës.

* * *

Personalisht, kur mendoj se çrregullimet urinare pacienti i ka nga prostata, mjekimin nuk e vendos nga madhësia e prostatës, por nga pikët që i vihen pacientit, mbasi plotëson pyetësorin, me 7 pyetje të përcaktuara shkencërisht në Guidelines të Shoqatës Amerikane të Urologjisë (AUA). Këtë pyetë- sor ua jap pacientëve. Mbi bazën e përgjigjeve, vendos se deri në çfarë grade, zona centrale ka shtypur (kompresion) uretrën prostatike (uretra ndahet në tri pjesë anatomikeprostatike, membranoze, peniene).

Ky pyetësor vërteton qartë, se në mjekimin e çrregullimeve urinare nga prostata, nuk ka rëndësi se sa janë rritur lobet laterale të saj, por vetëm sa është rritur zona centrale e prostatës. Theksoj se simptomat e çrregullimeve urinare, nga zmadhimi i zonës central, të prostatës, duhet të jenë: çdo ditë, për 6 muaj rresht dhe minimumi është të paktën muajin e fundit.

Këtu duhet të shtojë një problem që po e konstatoj pothuajse çdo javë. Pacienti pëson probleme cerebrale (insult cerebral, ischemi etj), shtrohet si urgjencë në neurologji, por ai njëkohësisht mund të pësojë edhe bllokim urinimi (retension Urinar), njoftojnë urologun, i cili i vendos një kateter uretral. Ky handikap po ndodh edhe me pacientët, të cilët shtrohen në kardiologji me infarkt miokardi. Pra, në këto të dyja raste, pacienti nuk duhet të pranojë kurrë të operohet nga prostata.

Të jeni të sigurt që bllokimi i urinimit, nuk ju ndodhi nga prostata. Në neurologji ndodh nga problemet nervore dhe nga mbingarkesa me serume dhe kjo shpjegon edhe bllokimin e urinimit në pacientët në kardiologji.

* * *

Në Boston u vendos se zmadhimi i prostatës duhet të mjekohet me ilaçin e fundit të aprovuar nga FDA dhe ky është medikamenti SILODOSIN 4 mg dhe 8 mg dhe Flomax (A1 blockers) dhe në vendet ku ky medikament nuk ka arritur akoma (siç është Shqipëria), pacientët duhet të mjekohen me një lloj tjetër tamsulosine, që këtu më i miri dhe më i sigurti është PROSTACURE, Tamsu Genericon dhe në raste të tjera, të mjekohen me XANTRAL 10 mg, 1 në ditë.

Gjithashtu, në rastet kur pacienti është edhe me hipertension të lartë, atëherë vazhdon të ngelet medikamenti TERAZOSIN 2mg,5mg (te ne me Flortin-PRO, URO). Alarmi që erdhi nga kongresi është se, absolutisht nuk duhet të përdoret më Omnic ocas (në USA nuk është përdorur asnjëherë). Ky medikament, pra Omnic Ocas, u përdor në fillim si risi sepse thithet me ngadalë, nga qëndrimi i gjatë në zorrë.

Ky arsyetim u kthye në boomerang, pra në vend që të bënte më mirë nga qëndrimi i gjatë në zorrë, u kthye në një dëmtim të madh të zorrëve. Qartësisht është i rrezikshëm se dëmton mukozën e zorrëve dhe nga qëndrimi i gjatë, është bërë precedent i rrezikshëm për shfaqjen e sëmundjeve te tjera, deri në supozime tronditëse se bëhet shkak për krijimin e kancerit në zorrë.

Gjithashtu, në shumë raste ka shkaktuar ulje të madhe të tensionit arterial dhe ka shkaktuar-Ischemi Cerebrale (paraliza trupore). Omnic ocas duke ndenjur shumë në zorrë dëmton mukozën e saj dhe nga kjo e keqe ndalon funksionimin natyral, normal të zorrës për thithjen e vitaminës B12, por kjo e çon pacientin(85%) drejt këtyre komplikacioneve madhore si anemi, depresion, ankth, Alzhaimer, Parkinson, Osteoporosis, probleme të rënda respiratore. Këto komplikacione e çojnë pacientin drejt mortalitetit (vdekjes). Pra, në përfundim, Omnic ocas nuk duhet të përdoret më.

Presidenti i Shoqatës së Urologëve & Seksologëve ” Maksut Drasa”, anëtar i Shoqatës Amerikane të Urologjisë (AUA)

/Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al