29 Gusht, 2018

“Facebook” sjell shërbimin e transmetimit të videove “Watch” që sfidon edhe televizionet


Rrjeti social “Facebook” ka shtrirë në të gjithë botën shërbimin e transmetimit të videove “Watch”, pas më shumë se një vit nga lançimi i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

BBC shkruan se përdoruesit do të mund të zgjedhin nga një gamë e gjerë shfaqjesh, qoftë nga markat më të njohura, ashtu edhe nga debutues, e kanë gjithashtu mundësinë të shohin klipe të cilat i kanë ruajtur nga ndërfaqja e lajmeve “News Feeds”.

“Watch” është konsideruar shpesh si rivali i “Youtube” nga “Google”, por ai do të konkurrojë tashmë edhe me kanalet tradicionale televizive, sikurse edhe me platformat “online” si “Netflix”, “Amazon Video”, “BBC iPlayer” dhe “Instagram TV” (gjithashtu në pronësi të “Facebook”-ut).

Gjithashtu bëhet e ditur se firma ka planifikuar që t’u lejojë të gjithë krijuesve të shfaqin edhe publicitete, për sa kohë që përmbushin disa kushte të caktuara. Deri më tani, vetëm disa publikuesve u është dhënë kjo mundësi.

Në fillim, vetëm videot e shfaqura për audiencat në Britani, Amerikë, Irlandë, Australi dhe Zelandë të Re do të ketë këtë lloj lehtësie. Të ardhurat do të ndahen 55 për qind për krijuesit dhe 45 për qind për “Facebook”-un.

Sipas BBC-së, rrjeti më i famshëm social synonte ta njoftonte shtrirjen e këtij shërbimi në mbarë botën këtë të mërkurë. Por e përshpejtoi paksa lajmin pasi disa detaje dolën gabimisht në publik. Për pasojë, disa përdorues ndoshta nuk do të munden të shohim faqen e re të këtij shërbimi.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al