12 Maj, 2018

Eugent Bushpepa në Lisbonë me të dashurën fatsjellëse, si u njohën dhe planet për martesë


Nata e madhe e Festivalit Europian në Lisbonë po pritet me padurim, sidomos nga vendet pjesëmarrëse që kanë arritur të kualifikohen për në finale e do të garojnë për vendin e parë. Detaji më i këndshëm i këtij edicioni është se mes 26 konkurrentëve, tre prej tyre janë shqiptarë, Eugent Bushpepa, i cili përfaqëson Shqipërinë, Ermal Meta që përfaqëson Italinë dhe Eleni Foureira, e cila përfaqëson Qipron.

Ndërkohë në faqen zyrtare të Eurovizionit është publikuar dhe lista, sipas radhës, kur do të performojnë konkurrentët sot mbrëma. Eugent Bushpepa do të këndojë “Mall” dhe do të jetë i 12-të në garë, ndërkohë që Eleni do të jetë e 25-ta, për t’u pasuar nga Ermal Meta, që do të këndojë i 26-ti, pra i fundit që do të mbyllë garën.

Ndërkohë, ajo që bie në sy me përfaqësuesin e Shqipërisë është fakti se ai mban në krahun e tij në çdo dalje publike në Lisbonë të dashurën Andian, së cilës edhe i dedikohet kënga “Mall”, me të cilën artisti Eugent Bushpepa fitoi Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH.

Ai bashkëjeton prej më shumë se 6-vitesh me vajzën brune të panjohur në publik, me të cilën, u shpreh para se të nisej në Lisbonë, se po planifikon të sjellë në jetë fëmijën e parë. Çifti që u njoh në lokalin ku rokeri këndonte netëve, edhe në këtë rrugëtim, nuk ndahen asnjë moment nga njëri-tjetri.

Njeriu i tij i zemrës e ndoqi nga salla e Pallatit të Kongreseve, duke i sjellë fatin e mirë Bushpepës, ndërsa u pa të largohej i lumtur bashkë me kupën dhe partneren e tij, për të cilën ai shkroi këtë këngë që nga vargjet e deri te muzika. E njëjta gjë ndodhi edhe me gjysmë-finalen e Eurosong, kur pas një performance mjaft të mirë ai arriti të hyjë finale dhe e dashura ishte po aty në krahun e tij të djathtë.

Po sa fat do i sjellë Andia sot Gentit, në natën finale ku rivalë të fortë ka dhe dy shqiptarët e tjerë, Ermal Metën dhe Eleni Foureirën. Edhe pse duket se tre shqiptarët në paskuinat e festivalit e kanë lënë mënjanë rivalitetin, duke bërë foto dhe mbështetur njëri-tjetrin, në rrjete kanë nisur të përfliten si rivalë, edhe pse mes favoritëve kryesore për të fituar, mes tyre komentohet Eleni me këngën “Fuego”.

Ndërkaq, deri tani nga disa sondazhe në rrjetet sociale përflitet si favorite kryesore përfaqësuesja izraelite Netta, e pasuar nga Qipro me Eleni Foureira dhe Norvegjia me këngëtarin Alexander Rybak. E sipas një renditjeje të publikuar nga Eurovision.tv, në listën e dhjetë këngëve më të mira janë: Franca, Finlanda, Gjermania, Bullgaria, Belgjika, Republika Çeke, Spanja dhe Estonia.

Nuk mungojnë komentuesit e huaj, të cilët shohin pranë fitores Eugent Bushpepën, që e konsiderojnë zërin më të mirë mashkullor të këtij edicioni dhe po ashtu Ermal Metën dhe Fabrizio Moron, përfaqësuesit e Italisë që cilësohen si një dyshe impr-sionuese, që deputojnë një këngë me mesazh të fortë.

Genti & Andia, si u njohën në lokalin ku rokeri këndonte dhe planet për martesë

Për këngëtarin e njohur të rock-ut, vajza brune Andia Çakshiri është gjysma më e mirë që Eugent Bushpepa ka zgjedhur prej 6 vjetësh tashmë. Një dashuri që lindi në lokalin ku Genti këndonte, një dashuri e largët në pamje të parë, por e bukur siç ka rrëfyer vetë çifti.

I ftuar në “Pasdite në Top Channel”, Genti e kishte të vështirë ta ruante modestinë kur fliste për Andian, gjysmën e tij më të mirë, që disa vite më parë i tërhoqi vëmendjen, pikërisht sepse nuk donte të tërhiqte vëmendje: “Andia më ra në sy pikërisht sepse nuk donte të binte në sy. E vija re që e shijonte muzikën, po pa pasur fare asnjë lloj kontakti fizik”, ka treguar ai.

“Fillimisht ishte e vështirë. U përpoqa të gjeja mënyrën më të përshtatshme të mundshme për t’iu afruar, sepse ishte hera e parë që më ndodhte dhe nuk doja të bëhesha vulgar…” – tregon Genti për takimet e para me Andian, pas momentit kur ajo kishte filluar t’i pëlqente.

Ndërsa Andia, nga ana tjetër, e përshkruan takimin e parë me Gentin si një gjë shumë të bukur, por krejtësisht larg saj. Njohja me Gentin dhe më pas daljet me të erdhën si diçka krejt e natyrshme, pa asnjë sforcim: “Me Gentin jam njohur në lokalin ku luante. Unë isha me një mikeshën time, e cila kishte këmbëngulur që të shkoja. Më pëlqeu shumë ambienti, atmosfera e ngrohtë. Gjithçka ishte mjaft e rehatshme. Unë nuk isha shumë fanse e jetës së natës, por e përsëritëm këtë gjë edhe herë të tjera…” – tregon Andia.

E mesa duket, Andia ka qenë muzë frymëzimi jo vetëm për këngën “Mall”, por edhe disa të tjera që ai i ka përfshirë në albumin që pritet ta publikojë së shpejti. Pas 6 vjetësh njohje çifti ka një marrëdhënie të konsoliduar, pasi prej kohësh kanë nisur bashkëjetesën, ndërsa që kanë filluar edhe diskutimet për martesë. Një ceremoni intime, vetëm për vete, për familjarët dhe miqtë e ngushtë. Mund të jetë këtë vit, mund të jetë ndoshta edhe vitin tjetër. Ata nuk kanë ende plane.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al