2 Tetor, 2018

Ervin Zyfi i “Big Brother” gjen dashurinë në SHBA, 30-vjeçari prezanton të dashurën bionde


Njihet si modeli shtatlartë i “Big Brother”, i cili prej muajsh ka lënë Shqipërinë për një karrierë kinematografike dhe modelingu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ervin Zyfi, i cili sapo ka festuar 30-vjetorin në tokën e ëndërruar, ka lajme të reja nga jeta private. Pak ditë më parë ai u ka prezantuar miqve të dashurën e re, një bionde e panjohur në publik. Ai ka postuar dy foto në “Instagram”, në njërën ku merr puthjen e saj dhe në tjetrën ku pozojnë duke kërcyer në një festë.

“Të jesh i lumtur asnjëherë nuk del nga moda me ty”, ishte dedikimi që i bënte Ervini të dashurës bionde, duke dëshmuar kështu se ndihet shumë i kënaqur në historinë e re. Miqtë e kanë uruar Ervinin për këtë lidhje të bukur që ka krijuar dhe po shijon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, sa i përket jetës së re dhe planet për karrierë amerikane, në një intervistë për “Panorama Plus” Ervini tregon: “U bë ca kohë që unë jam vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më duhet ta pranoj që çdo gjë është shumë ndryshe këtu. Amerika të ofron mundësi që në vendin tim, fatkeqësisht, nuk pata mundësi t’i zhvilloja. Eksperienca më ka vlejtur, sepse po korr sukses edhe këtu. Sigurisht, imazhi është gjysma e suksesit, më pas edhe përkushtimi dhe energjia e duhur për projekte të reja, më duhet të jem shumë vigjilent për të kuptuar dhe zgjedhur vërtet atë që unë bëj më së miri. Pa diskutim, që si çdo i ri, edhe unë jam i përshtatur me rrjetet sociale dhe shpesh postoj foto nga vendet që vizitoj. Më pëlqen ky vend me të gjitha resurset e tij, me nivelin e mirë të jetesës, por mbi të gjitha për shanset e mira që të ofron”.

Pyetjes, se a ka marrë ndonjë ofertë si model për të pozuar për ndonjë markë ndërkombëtare, ai i përgjigjet: “Sigurisht që kam pasur. Fati im që Zoti më ka atribuar të gjitha cilësitë e një mashkulli për t’u marrë shembull nga të tjerët. Sigurisht që të huajt e vlerësojnë shumë marketingun dhe imazhin. Më duhet ta pranoj që pamja është vetëm impakti i parë, pasi pas saj qëndron një punë kolosale”.

E duke qenë se ai u bë i njohur gjatë pjesëmarrjes në “Big Brother”, Ervini flet për këtë eksperiencë nga pozita të reja: “Sa për eksperiencën e bashkëjetesës, ne në Shqipëri bashkëjetojmë, pra, nuk ishte diçka e re në këtë gjë. Ajo që vlen të them, që shumë show televizive në Shqipëri i shfrytëzojnë aktorët që zgjedhin për të bërë show. Personalisht, mendoj që nëse vërtet duhet të realizohen ato, duhet të zgjedhin një skenar të mirëmenduar, jo kështu”.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al