27 Mars, 2019

Enis Mullaj: Reagimet e ndërkombëtarëve për këngën “Ktheju tokës”, si dolën përtej pritshmërive tona

KLOTILDA HARKA/ Enis Mullaj është kompozitori dhe pedagogu i Universitetit të Arteve në Tiranë, i cili ka realizuar orkestracionin dhe arranzhimin e këngës përfaqësuese të Shqipërisë në “Eurovision 2019”, që këtë vit e ngre skenën në Tel Aviv.

Pas publikimit të klipit “Ktheju Tokës”, ku Jonida Maliqi performon mes zjarrit dhe ujit, nisën dhe komentet për skenat që i paraprijnë garës së ethshme të majit. Për konceptin e një kënge puro shqiptare me ndjeshmëri të lartë ku flitet për emigrimin, versionin për Eurovizion të produksionit, komentet e detajuara nga fansat dhe pritshmëritë për këngën në gjuhën shqipe, flet për “Panorama Plus” nga pozitat e profesionistit të vërtetë, Enis Mullaj.

Si ju lindi ideja për “Ktheju Tokës” dhe si u ndjetë gjatë bashkëpunimit për këngën që do na përfaqësojë në Eurosong?

Kjo këngë ka ardhur si një bashkëpunim i radhës me autoren e këngës Eriona Rushiti dhe që në hapat e parë të nisjes së procesit të materialit demo, ndihej se vokalisht kjo linjë melodie i përshtatej më së miri këngëtares profesioniste, Jonida Maliqi. Dhe kështu ndodhi. Gjatë gjithë fazave të punës, kemi qenë të tre mjaft të angazhuar dhe detajistë për çdo element muzikor dhe natyralisht është krijuar një frymë shumë miqësore si një familje e vërtetë.

Kujtojmë që këngët e punuara nga ju në Festivalin e Këngës 2018 u vlerësuan me çmim të parë dhe të dytë. Ishte viti juaj?

Për mua, ky vit që lamë pas ishte një eksperiencë krejt e veçantë, sepse dy materialet ku unë prezantoja punën time në Festivalin e RTVSH-së si kompozitor dhe arranzhues; Kënga “Rrëfehem” u vlerësua nga juria profesioniste me çmimin e dytë dhe si arranzhues me këngën “Ktheju tokës” u vlerësua me çmimin e parë. Bashkëpunimi disavjeçar me Eriona Rushitin është gjithmonë interesant si eksperiencë artistike, sepse stili i saj i kompozimit është shumë i veçantë, delikat dhe shfrytëzon me shumë finesë folklorin tonë, ashtu si ndihet dhe te “Ktheju tokës”.

Ka disa ditë që është publikuar dhe klipi i “Ktheju Tokës” për “Eurovision 2019”. E kujt ishte ideja për një fabul të tillë, mes zjarrit dhe ujit?

Ideja që mban lidhur nga ana konceptuale gjithë videoklipin ishte e stafit realizues të videos “Triangle Studios” dhe mendoj se kanë bërë një punë të mirë dhe brenda standardeve profesionale.

U fol se ideja e klipit është e kopjuar, ju çfarë shpjegimi do u jepnit ngjashmërive të konstatuara?

Për mendimin tim dhe sipas bisedave që kemi bërë si staf, regjisorët, çdo plan që shihet në video e kanë vendosur me siguri dhe me kompetencë të plotë profesionale. Deri më tani, në dijeninë time nuk ka asnjë reagim nga pala e Eurosong-ut, madje reagimet e pafundme të fansave kanë qenë tej mase pozitive, përtej pritshmërive tona.

Jonida Maliqi do të këndojë shqip mes 42 vendeve konkurruese. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Pritshmëritë tona si një skuadër që kemi punuar me shumë dashuri janë po me këmbë në tokë, njësoj si kur paraqitëm këngën në Festivalin e Këngës. Jemi të kënaqur me produktin final audio-video dhe kjo është më e rëndësishmja. Pastaj gjithçka tjetër që ndodh është përtej asaj çfarë ne si grup pune kemi në dorë për të bërë.

Po Jonida me çfarë cilësish mendoni se do të spikasë në skenën e Eurosong si artiste?

Nisur dhe nga reagimet e fansave, figura e Jonidës në kompleksitetin e saj është pritur shumë mirë, është e dashur dhe e vlerësuar artistikisht. Jonida përfaqësohet me një këngë shumë origjinale dhe ku figura e saj artistike qëndron mjaft mirë në gjithë konceptin e këtij produksioni. Për mendimin tim, gjithë kualitetet e Jonidës e bëjnë të jetë një përfaqësuese e denjë e vendit tonë në këtë eveniment.

Për të tërhequr vëmendjen më shumë keni vendosur që të këndohet në gjuhën që vetëm shqiptarët e kuptojnë?

Si grup pune i jemi mirënjohës RTVSH-së që na dha mundësinë (ashtu si çdo fituesi të çdo viti), që këngës t’i bënim një variant brenda standardeve dhe kritereve të vendosura nga Eurosong. Eriona, që është tekstshkruesja, ishte e bindur që në fillim që teksti duhej të këndohej në shqip. S’ka se si, “Ktheju tokës”, tematika e saj të këndohet në një gjuhë tjetër.

Ju, si arranzhues dhe orkestrues i kësaj këngë, profesionalisht mendoni se keni realizuar maksimumin?

Personalisht jam i lumtur për këtë produksion. Gjërat kanë shkuar ashtu si duhet të shkojnë. Kemi mundur që këngën si proces teknik ta realizojmë në dy nga studiot muzikore më të mira në nivel ndërkombëtar. Në këtë studio mund të përmend disa nga legjendat dhe ikonat e muzikës botërore si: Queen, The Rolling Stones dhe, së fundmi, Ed Sheeran. Komentet e fansave, sidomos ata të huaj, për mua, janë të paimagjinueshëm sepse janë detajistë për çdo element muzikor që mund të kem hequr, shtuar apo transformuar gjatë varianteve të ndryshme që kënga është prezantuar për publikun. Dhe kjo më bën të ndihem i vlerësuar sepse çdo notë apo tingull, që kam hedhur në këtë këngë është dëgjuar me vëmendje, është pëlqyer.

Ka nga ata që mendojnë që, përveç votimit gjeopolitik, duhet të jetë dhe kënga e përshtatshme për Eurosong. Sa afër shijeve të publikut të Eurovizionit mendoni se është “Ktheju Tokës”?

Nuk besoj se ka këngë të përshtatshme për Eurosong ose jo. Një këngë e mirë është kudo, si në Festivalin e këngës Sanremo apo Eurosong. “Ktheju Tokës” është autentike, me motive të ndjeshme etnike shqiptare, ndërsa produksioni muzikor ka një ndërthurje të shumë stileve kontemporane. Muzikalisht, mendoj se në Eurosong, çdo vit ka triumfuar një material i vlefshëm për ta fituar. Sigurisht që shijet janë të ndryshme, por gjithmonë ka dalë i pari një material që nuk lë hapësira për debat profesional.

Si profesionist në muzikë, i keni dëgjuar konkurrentët e tjerë dhe cilët do të veçonit si impresionues apo favoritë për të fituar në Tel Aviv?

Kam dëgjuar pjesën më të madhe të këngëve përfaqësuese të shteteve të ndryshme. Mendoj se vitet e tjera kam arritur të gjej një material që ka qenë më afër për shijet e mia personale. Është interesant fakti që shumë shtete europiane kanë një stil shumë të ngjashëm me njëritjetrin, për shembull, “Dutch dance” apo “Pop ballad”, që nuk i përkasin asnjë influence muzikore, pra, janë universale. Dhe duket sikur këto stile janë dhe stilet Eurosong, por që, për mendimin tim, kjo ide nuk është korrekte. Kam bindjen se çdo këngë që është punuar me pasion; që ka një logjikë dhe parime profesionale në muzikë, tekst, produksion dhe në interpretim, them se arrin të depërtojë dhe të përqafohet nga publiku.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS