8 Tetor, 2017

Eni Koçi del hapur me këngëtarin 15 vite më të madh, prezanton projektin që i kanë dedikuar lidhjes së tyre


Pas disa muajsh që qarkullojnë lajme se një nga çiftet më të rinj të showbiz-it që po e mbajnë lidhjen e tyre sekrete janë Eni Koçi dhe këngëtari nga Kosova, Genc Prelvukaj, ka qenë këngëtarja 21-vjeçare ajo që ka hedhur një hap më shumë për të dëshmuar të vërtetën.

Bashkë me një foto çift me 36-vjeçarin Prelvukaj, ku shfaqen të veshur me të bardha, Eni ka njoftuar për projektin e tyre të ri muzikor, ndërsa shkruan “Vetëm ti” feat Genc Prelvukaj.

Reperi pozon me syze të zeza dhe një gotë verë të kuqe në dorë, foto që mendohet të jetë shkëputur nga skenat e klipit të tyre të ri, që sipas burimeve tona është një këngë dedikuar dashurisë për njëri-tjetrin. Kështu, “Vetëm ti” nuk është thjesht një këngë e re që po i shtohet arkivës së këngëve të kënduara nga Genc Prelvukaj & Eni Koçi, por edhe një rrëfim historie nga vetë këngëtarët nëpërmjeft vargjeve të tekstit, që pritet të publikohen shumë shpejt.

Në gjithë këto muaj, Eni dhe Genci, përveç dedikimeve për ditëlindjet e tyre, janë përpjekur të qëndrojnë të distancuar nga mediat, duke preferuar që gjithçka të rrjedhë natyrshëm në marrëdhënien e tyre. Gjithsesi, edhe ata nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së medias, që kanë arritur t’i fotografojnë në befasi. Pak kohë më parë, ata u fotografuan nga portali “Kosovarja” të kapur dorë për dore, ndërsa dukeshin shumë të dashuruar. Megjithëse ata nuk e kanë pranuar publikisht lidhjen, kanë lënë të nënkuptohet diçka nga fotot apo ngacmimet që shkëmbejnë në Instagram.

ENI DHE GENCI, ÇIFTI ME 15 VITE DIFERENCË

Por mediat e Kosovës i kanë hyrë më thellë marrëdhënies së tyre, duke u marrë me moshën e secilit dhe diferencën që kanë mes njëri-tjetrit. Sipas përllogaritjeve, reperi Genc Prelvukaj është 15 vite më i madh se Eni Koçi, duke qenë se këngëtarja festoi ditëlindjen e 21-të (5 korrik 1996), ndërsa Genci është 36 vjeç (16 korrik 1981).

Kujtojmë që Genc Prelvukaj është dhe baba i një djali, nga martesa e tij që përfundoi me divorc shumë vite më parë. Sa i takon jetës apo karrierës së secilit, Genc Prelvukaj (Gentz) është një këngëtar dhe autor këngësh shumë i njohur, me origjine shqiptare nga Mali i Zi, por i rritur në Prishtinë. Ai ka mbaruar studimet në Fakultetin Filologjik në degën e Gjuhës shqipe dhe po ashtu ai ka mbaruar edhe studimet në Kolegjin Universitar “Fama” për Shkenca politike.

Përveç punës si këshilltar politik, në mënyrë aktive është pjesë e industrisë së muzikës, ndërsa njihet si kompozitori i grupit “Etno Engjujt”. Ai është i njohur për bashkëpunimet me këngëtare si: Mad Lion, Don Arbas, Lyrical Son, Tingulli 3nt, Arta Bajrami, Mirsa Kerceli, Dafina Zeqirin, Dafina Rexhepim Hekuran Krasniqi, Lil Samee, Labi, Zanfina Ismajli, Ramadan Krasniqi, Mc Kresha, Mimoza Mustafa, Lori, Shpat Kasapi, etj.

Ndërsa Eni ka lindur në Berat dhe njihet si këngëtare e muzikës pop. Ajo ndjek studimet e larta për Dermatalogji në Londër, dhe paralelisht publikon këngë të ndryshme. Në vitin 2009 fitoi në “Netët e klipit shqiptar” çmimin “Videoklipi më i mirë debutues”, ndërsa në vitin 2010 mori pjesë në “Kënga Magjike” me këngën “Diva”, në bashkëpunim me Capital T.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al