9 Mars, 2019

E zë gjumi me kufje, studenti zgjohet shurdh në njërin vesh


Një student, të cilin e zuri gjumi ndërkohë që kishte kufjet në vesh, u zgjua shurdh në njërin vesh. Rasti në fjalë u bë publik nga mjekët, në mënyrë që të ndërgjegjësojnë të gjithë ata të cilët e kanë zakon që t’i zerë gjumi ndërkohë që po dëgjojnë muzikë me kufje.

Mjekët thonë se nëse njëra prej kufjeve nuk do të kishte dalë nga veshi ndërkohë që flinte, studenti në vitin e dytë në universitet, mund të kishte humbur dëgjimin në të dy veshët.

Fatmirësisht, të riut iu rikthye gradualisht dëgjimi dhe i shpëtoi dëmtimit të përhershëm të veshëve, falë trajtimit të mjekëve në një spital në Tajvan.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Mirror”, studenti, emri i të cilit nuk bëhet publik, u kurua në Spitalin Universitar Asia, në qytetin e Taichung dhe mjekët atje e përdorën rastin në fjalë për të paralajmëruar njerëzit që të evitojnë të fjeturit me kufje në vesh.

Specialiste Tian Huiji, duke folur për “OMG Tajvan” tha se, teksa të dëgjuarit muzikë me volum të lartë gjatë ditës mund të mos shkaktojë humbje të papritur të dëgjimit, ky zakon është shumë më i rrezikshëm gjatë natës.

Mjekët shpjegojnë se gjatë kohës që flemë, qarkullimi i gjakut në trup ngadalësohet. Kjo bën që qelizat tejet të ndjeshmr që ndodhen në vesh, përgjegjëse për dallimin e valëve të zërit, janë më pak të afta për të mbrojtur dëgjimin nga tingujt e lartë.

Kjo mund të çojë në humbje të papritur të dëgjimit. Kufjet që vendosen në vesh janë në veçanti më të rrezikshme, në krahasim me ato rreth kokës, sepse e përqendrojnë të gjithë tingullin në një vend, pa i dhënë mundësinë që të shpërndahet.

Prej vitesh ekspertët kanë paralajmëruar se të rinjtë që përdorin në mënyrë të vazhdueshme kufjet dhe dëgjojnë muzikë me volum të lartë rrezikojnë që të kenë probleme me dëgjimin në terma afatgjatë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, përllogarit se në botën vuajnë nga humbja e dëgjimit rreth 375 milionë persona.

Ndër elementët me më shumë ndikim është ambienti gjithnjë e më i zhurmshëm dhe përdorimi kufjeve për të shpëtuar nga kjo kakofoni që na rrethon./tvklan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al