8 Mars, 2020

“Dua të luftoj seksizmin në muzikë, lakuriqësia s’duhet të dalë në treg për konsum”- E mbajti në sirtar për një dekadë, Kastro Zizo rrëfen …


Kastro Zizo heq dorë nga emisioni i netëve të vona, për t’u rikthyer si moderator i një festivali të ri talentesh, që i dedikohet totalisht muzikës. 

Pas më shumë se një dekadë, ai vendos t’i japë jetë idesë për një projekt të rrymave urbane. Për “Panorama Plus”, Kastro zbulon filozofinë e tij për muzikën që do sjellë në këtë garë, konkurrentë nga 15-vjeçarët deri te pensionistët dhe teorinë e tij për të luftuar seksizmin që ka pushtuar tregun e muzikës…

“Urta Fest” ishte një ide e beftë pas largimit nga “Ora News”, apo një projekt i hershëm që priste momentin e duhur?

Kastro Zizo: Në fakt, është një ide e 2009-ës për të bërë një festival, ku për bazë do të kishte 4-5 rryma, le t’i quajmë urbane. Largimi nga “Ora” thjesht më la pak më shumë hapësirë për ta konkretizuar dhe së fundmi për ta realizuar atë. Kam për qëllim promovimin e talenteve të reja, dhe pse jo të jem një rregullator nëpërmjet tyre për tregun kaotik, qoftë dhe në rrymat që aspiroj të promovoj.

Si e ke konceptuar këtë festival talentesh?

Kastro Zizo: “Urta fest” është i pari dhe i vetmi kompeticion dedikuar promovimit ë rrymës hip-hop, reggae, reggaeton e dance hall. Festivali është i ndarë në dy faza: faza e parë bëhet në studio, e adaptuar në formën e një studioje muzikore ku artistët prezantojnë këngën e tyre “live”, si dhe kanë një hapësirë të tyren për të bërë freestyle.

Kompeticioni nis së shpejti dhe mosha e pjesëmarrësve është 15 vjeç deri në pleqëri. Pjesëmarrja është shumë e lehtë, duke dërguar këngën në e-mailin përkatës dhe mendova që duke qenë rrymat më “in” në muzikë, kjo është një mundësi për talentet e reja, që të mund të shprehen dhe të qëndrojnë larg veseve urbane.

Cilat janë pritshmëritë e tua, duke qenë se dhe festivalet apo talen show-t nuk mungojnë në Shqipëri? 

Kastro Zizo: Pritshmëria është shumë e lartë, më shumë në cilësi sesa në sasi. Le te jetë ky festival një ent rregullator për këto rryma. Festivali do të ketë mentorë më shumë sesa juri dhe herë pas here në studio do të jenë figura të rëndësishme të rrymave përkatëse për orientim të artistëve. Juria reale që do t’i gjykojë do të jetë publiku.

Jo vetëm konkurrentët e tu mes tyre, por dhe ti si producent je në garë me “Kënga Magjike” dhe “Jeho”. Si ndihesh në këtë konkurrencë?

Kastro Zizo:  Ndihem si veshka mes dhjamit. Për fat, me të dyja kompeticionet i kam punët mirë, flas që nga producentët e tyre apo dhe mediat ku realizohen. “Urta” është një festival specifik dhe (në thonjëza) nuk i rrëmben bukën askujt prej tyre.

Madje, mendoj që “Urta” do të jetë një nënë e madhe, e cila do të pjellë shumë fëmijë për t’i martuar me dy kompeticionet në fjalë.

Nga 15 vjeç deri në pleqëri është limiti i vendosur për pjesëmarrësit. Ke ndërmend të bësh show me talentet apo me karakteret? 

Kastro Zizo: “Urtën” e shoh si trampolinë për këdo që ka potencial për të dhënë apo shprehur. Sigurisht që, në një shoqëri si e jona nuk mungojnë rastet apo njerëzit që janë të rrethuar nga një aureolë absurdi, të gjithë janë të mirëpritur.

Sigurisht, jo për t’u bërë objektiv talljeje, tek unë si gjithmonë njerëzit dalin ashtu siç janë, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Do isha i lumtur nëse do të kisha një MC Plaku.

Je producenti që do të qëndrosh në prapaskenë, apo do ta shfaqesh protagonizmin tënd me rolin para kamerave?

Kastro Zizo:  Si producent dhe pak egocentrik, nuk mund të rrija pa pas një rol relativisht “të madh” vizualisht, pra do të jem moderatori i gjithë projektit. Mirë apo keq, fytyra ime do t’ju “bezdisë” edhe disa kohë…por roli kryesor do të jetë marrja me produksionin në gjeneral dhe sigurisht, në kurimin artistik të projektit.

Pse e ke titulluar kështu dhe kush janë bashkëpunëtorët e tu? 

Kastro Zizo: “Urban Tirana” është emri i gjatë i “Urtës”.  Prej kohësh, unë kam ndërtuar një strukturë të mirë njerëzish, nga më të talentuarit dhe të zotët në qarkullim, që te skenari dhe asistenca në produksion dhe deri te stafi që do të xhirojë, montojë apo do të lëshojë çdo tingull në këtë event. Është një sipërmarrje relativisht private, por që jam i bindur që për pak kohë, shumë të tjerë në çdo fushë do të duan të bëhen pjesë e festivalit.

Mendon se ka ende shumë seksizëm në muzikë? Ti do qëndrosh në këto ujëra apo do të shpikësh diçka të re për të tërhequr vëmendje? 

Kastro Zizo: Pikërisht, një ndër qëllimet është lufta ndaj seksizmit në këtë shoqëri. Dua që në fund nga “Urta” të dalin disa vlera dhe jo vetëm “trash” për konsum.

Cili është premtimi që do t’u bësh konkurrentëve në këtë epokë të tregut të muzikës, ku views-at blihen?

Kastro Zizo: S’ka premtime të mëdha. Dua dhe do të bëj në një lloj forme rregullimin e disa gropave në ligjet muzikore, e kam fjalën që nga kontratat dhe deri te menaxhimi virtual i çdo konkurrenti. Vlerat kanë prioritet tek unë.

Të bëhesh milioner nga muzika është një ambicie që mund t’ia arrish pa skandale, femra, alkool dhe kokainë? 

Kastro Zizo: Nëse do të zbatohej e drejta autoriale në këtë vend, shumë do të ishin milionerë duke bërë papuçe në shtëpi, pa pirë alkool apo kokainë. Maksimumi, lakuriqësia do të përdorej në shtëpi për qëllime familjare dhe jo në tregun e gjësë së gjallë.

Për ty si Kastro, cili është dueti që do ta dëshiroje, ndërkohë që njihesh për duete me talente që i promovon vetë? 

Kastro Zizo: Dua të bëj një duet me veten time. Sa për ata që do të marrin pjesë aty dhe do kenë talentin e duhur, jam i hapur që të bashkëpunoj… Të gjithë e kemi shpirtin në shitje, të gjithë duhet të përfitojnë nga shpirtrat e të gjithëve.

Si ndihesh si baba në pritje të fëmijës së tretë dhe, a do t’i orientoje fëmijët nga arti? 

Kastro Zizo: Ndihem i plotë dhe shumë i lumtur…Arti nuk orientohet, por imponohet. /Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al