19 Shtator, 2018

Dehnin dhe drogonin femra që t’i përdhunonin, nën akuzë kirurgu dhe e dashura e tij


Një kirurg dhe e dashura e tij janë akuzuar për dy sulme seksuale dhe hetuesit dyshojnë se mund të ketë edhe gra të tjera që mund të jenë viktima të abuzimit.

Çifti nga Kalifornia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sulmuan seksualisht dy gra të cilat i njohën në një bar dhe në një restorant në vitin 2016.

Lidhur me këtë ngjarje, prokurorët amerikanë thënë për BBC se në telefonat e Grant William Robicheaux 38 vjeç dhe Cerissa Laura Riley 31 vjeçe, janë gjetur mijëra video të viktimave të abuzimeve të çiftit amerikan. Ndërkohë hetuesit janë duke punuar për të identifikuar gratë që shfaqen në video.

Gjithashtu hetuesit kanë shtuar se dyshja shfrytëzonte paraqitjen e tyre të jashtme të mirë për t’iu afruar grave.

“Ka disa video ku gratë dukeshin të ishin shumë të dehura dhe të pafuqishme për të reaguar ndaj abuzimeve seksuale të të pandehurve. Bazuar në këto prova, besojmë se mund të ketë shumë gra të abuzuara që nuk janë të identifikuara”, kanë shtuar autoritetet amerikane.

Hetuesit thonë se çifti amerikan i drogonte ose i detyronte gratë të konsumonin sasi të mëdha alkooli për t’i dehur, dhe më pas shkonin në apartamentin e kirurgut, ku dhe i sulmonin seksualisht.

Si pasojë, Grant William Robicheaux dhe Cerissa Laura Riley akuzohen për përdhunim dhe përdorim të drogës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al