15 Nëntor, 2018

Dasmë në horizont! Cristiano Ronaldo i propozon për martesë Georgina-s


Futbollisti i njohur Cristiano Ronaldo i ka propozuar për martesë të dashurës së tij, Georgina Rodriguez.

Sipas gazetës portugeze “Correio da Manha”, bukuroshja ka thënë “po” dhe tani ajo ka nisur provën për fustanin e nusërisë.

Ndërkohë çifti aktualisht po jeton në Itali, duke qenë se Ronaldo ka lidhur kontratë me skuadrën e Seria A, Juventus. Çifti ka edhe një vajzë 1-vjeçare, Alana Martin, ndërkohë Georgina po ndihmon gjithashtu në rritjen e tre fëmijëve të tjerë të tij.

“Cristiano i ka propozuar Gio-s të martohet me të. Dasma do të organizohet, por shumë pak njerëz i dinë detajet. Ajo që dihet për momentin është se Gio ka provuar disa fustane nusërie”, shkruan gazeta.

23-vjeçarja u takua me futbollistin në qershor të vitit 2016 në një dyqan “Gucci” në Madrid, ku punonte ajo dhe ku Cristiano shkoi për të blerë veshjet e verës.

Ndërkohë thashethemet e fejesës kanë nisur gjatë Kupës së Botës, ku Rodriguez ka treguar një unazë mahnitëse me diamant, me vlerë 615 000 dollarë.

Georgina njëkohësisht ka treguar suportin e saj ndaj partnerit, i cili është akuzuar nga Kathryn Mayorga për përdhunim që pretendohet të ketë ndodhur në vitin 2009.

Ndërsa 33-vjeçari i ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij duke thënë: “Përdhunimi është një krim i neveritshëm, që është plotësisht kundër asaj që unë jam, dhe asaj që unë besoj. Jam aq i gatshëm sa për të pastruar emrin tim, por refuzoj të ‘ushqej’ spektaklin mediatik të krijuar nga njerëz që duan të promovojnë veten e tyre në kurrizin tim”.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al