25 Shtator, 2017

Bieta Sulo një nënë posesive? Ndjesia kur të tjerët i afrohen Kroit


Kroi Art erdhi në jetë më shumë se 4 muaj më parë dhe, si për Albanin, edhe për Bietën, jeta ndryshoi tërësisht. Albani, sepse tashmë Xhoeli është adoleshente dhe gati kishte harruar kohën kur ajo ishte e vogël, ndërsa Bieta, si të gjitha nënat e reja, filloi të ishte më e kujdesshme për gjithçka.

Kroi erdhi në jetë sapo Bieta kishte hyrë në muajin e nëntë të shtatzënisë me një peshë mesatare, por pak muaj pas lindjes e mori veten shpejt dhe Bieta, ashtu siç ka treguar edhe në postimet e saj, është e lumtur që ai po rritet dhe po shton në peshë falë qumështit të gjirit.

Sot, kryeredaktorja e Top Show ishte në studion e “Pasdite në Top Channel” për të rrëfyer më shumë ndjesitë e një nëne të re ne muajt e parë të të birit.

Po si është ajo si nënë, a e sheh veten si një nënë posesive kur të afërmit, gjyshërit apo edhe njerëzit në rrugë duan t’i afrohen e ta përkëdhelin Kroin? Më shumë sesa posesivitet, Bieta thotë se e gjitha është çështje meraku – një ndjesi kaq të natyrshme ndoshta ajo nuk e kishte provuar kurrë më parë: “Për Zotin, edhe te vetja ime kam merak, edhe kur ngjitem e zbres shkallët, i shoh, i numëroj. Ne jemi rrëzuar edhe vetë, por tani nuk falet. Kështu që them se është më shumë çështje meraku…” ,– thotë Bieta pa anashkaluar atë momentin kur të gjithë duan t’i afrohen Kroit sapo e shohin e ta përkëdhelin: “Ndërkohë kur ka njerëz që thonë ‘shpirtiiiiii’ dhe ti thua ‘O Zot’….” thotë ajo me të qeshur.

Edhe pse një nënë me merak gjatë gjithë kohës, si fillim, Bieta rrëfen se largohej nga Kroi shumë pak, 1 deri në 2 orë, dhe më vonë pak më shpesh. Kur nuk është ajo, është e ëma që kujdeset për të birin. Gjyshërit, pranon ajo, kanë të drejta absolute mbi nipin e tyre, por ata dinë edhe më mirë se vetë ajo ta mbajnë, ta qetësojnë e ta ushqejnë.

Po motra e madhe Xhoeli, si kujdeset ajo për Kroin?

Bieta thotë se ajo nuk është në gjendje të bëjë aq sa do të donte, por sa herë është e pranishme, ka një magji për ta qetësuar e për ta vënë në gjumë të vëllanë: “Këto nuk i bën dot aq sa do donte, po ajo dhe Albani kanë aftësinë për ta vënë në gjumë, se ç’bën, i këndon, i kërcen dhe për 20 minuta e ka vënë në gjumë….”

Ndoshta edhe Kroi e ndien magjinë e së motrës, ndaj i bindet. /Revista Class/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al