11 Gusht, 2018

Bernadeta Nikollbibaj: Si ndihem që do sfiloj në vendin më të famshëm të turizmit seksual në botë


Misterioze dhe mjaft tërheqëse, Bernadeta Nikollbibaj, pasi fitoi kurorën e më të bukurës të “Miss Grande”, pritet që të përfaqësojë Kosovën në eventin e bukurisë “Miss Grande 2018” në Tajlandë, ku pushuesit e pasur dynden për bukurinë, mistikën dhe femrat. Bernadeta jeton prej vitesh në Zvicër, ku prezantohet si modele, edhe pse nuk e sheh si profesion të mirëfilltë. Në këtë intervistë për “Panorama plus”, ajo zbulon sekrete nga jeta e një miss-i me kurorë dhe pse mungon një mashkull në jetën e saj.

Ke hyrë në moshë të re në botën e modës, cilat janë përfitimet dhe humbjet nga ky profesion?

Kam filluar në moshën 19-vjeçare me një pasiguri, por jo më shumë se sa një hobi për modën. Pra, jo për të fituar para, sepse unë jetoj nga profesioni im. Humbjet nuk ekzistojnë, përderisa fiton zemrat e njerëzve, respektin dhe dashurinë e mijëra fansave.

Sa e vështirë është jeta e një modeleje shqiptare, që synon të çajë në tregun e Zvicrës?

Zvicra nuk është qendër mode, sepse nuk ka shumë evente në botën e modës. Gjithsesi, fakti që jam shqiptare nuk më ka penguar kurrë në sukseset e mia, përkundrazi, nuk i kam kushtuar shumë kohë dhe kaq rëndësi këtij drejtimi, ndonëse tani do të jem më e përfshirë në botën e modës.

Si arrite të bëhesh pjesë e “Miss Grand”, na e përshkruaj eksperiencën deri në momentin që fitove kurorën?

“Miss Grande 2018” ishte dëshirë e prindërve të mi, për të qenë pjesë e botës shqiptare. Nuk e prisja fitoren, por as nuk u befasova me fitoren, pasi jam vlerësuar nga profesionistë të ndryshëm për linjat më të veçanta fizike që kam, duke qenë se nuk kam asnjë ndërhyrje në trupin tim.

Ke deklaruar në media që jeton në një familje shumë të pasur zvicerane, cilat janë synimet e Bernadetës për të ardhmen?

Unë jam mbështetur dhe vazhdoj të mbështeten nga familja ime, jo vetëm financiarisht. Ata më ndryshuan jetën time, më shkolluan dhe më falën dashurinë më të madhe që mund t’i falin dy prindër fëmijës së tyre. Pata çdo mundësi të njoh një botë tjetër nga ajo që ne shqiptarët përjetojmë, por çdo vendim i imi i takon familjes sime, që më vlerësojnë si bijën e vetme të tyre. Deri tani jam shumë krenare me sukseset e mia.

Një Miss të ngjall kuriozitet për ta eksploruar, duke qenë se në pamje të parë duket thjesht e bukur. Ti çfarë fsheh përtej asaj pamjeje?

Ana ime e panjohur? Jam njeri shumë i qetë dhe pa komplekse. Kam një jetë shumë të veçantë e ndihem shumë e lumtur, pasi kam gjithçka që mund të ketë një vajzë për të bërë jetë shumë cilësore. Kam shumë shoqëri, këndoj shumë dhe kam pasion pianon. Pika ime e dobët janë fustanet që vesh.

Ka një mashkull në zemrën e Bernadetës?

Mashkulli apo dashuria nuk kanë dominuar tek unë, pasi nuk i kam kushtuar rëndësi të madhe askujt.

Do përfaqësosh bukurinë shqiptare në garën që zhvillohet në Tajlandë. Si ndihesh që do parakalosh në një vend që njihet si “vendi i famshëm për turizmin seksual në botë”?

Mund të them vetëm se jam shumë e lumtur të përfaqësoj vendin tim nëpër botë, jam në përgatitje që gjithçka të jetë sa më e thjeshtë dhe e çmuar. Shpresoj që mos të zhgënjej vendim tim.

Me çfarë do të prezantoheni atje, keni përzgjedhur veshjet e bashkëpunëtorët?

Veshjet, ndonëse jokombëtare, duhet të jenë krijime me shumë klas, e jo bling-bling.

Pas kthimit nga gara, cila është rruga që do të ndiqni në karrierë?

Kur të kthehem, do të inkuadrohem në disa kompani zvicerane, që do jetë një befasi e madhe për të gjithë.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al