21 Korrik, 2018

Aldo Sulollari, spikeri 17-vjeçar që jep lajme me gjoks zbuluar: Them të vërteta lakuriqe, prandaj dal ashtu


KLOTILDA HARKA/ Spikerja e njohur, Greta Hoxha, që jepte lajmet me dekoltenë zbuluar në televizionin “Zjarr TV”, është larguar nga stafi i këtij televizioni pas disa mosdakordësive me pronarin e saj, Ismet Drishti. Tashmë, shohim që lajmet i jep një djalë 17-vjeçar, Aldo Sulollari, i cili po ashtu shfaqet në ekran me xhaketë zbërthyer në “Zjarr Tv”. Për moderimin edhe të një emisioni politik në moshë kaq të re dhe ambiciet e tij, Aldo flet për “Panorama Plus”.

Para dy ditësh u komentove si zëvendësuesi i spikeres së lajmeve në “Zjarr Tv”, Greta Hoxha. Ç’mund të thuash për punën si i vetmi spiker në këtë televizion?

Dua të sqaroj diçka shumë të rëndësishme. Unë nuk zëvendësoj Greta Hoxhën. Unë jam spiker në “360 Gradë” që në datën 1 qershor, ndërsa Greta u largua para dy ditësh. Secili prej nesh ka dhënë kontributin e vet, fatmirësisht vazhdoj ta jap akoma, por kam imazhin tim. Jam Aldo Sulollari, i vetmi spiker në “Zjarr Televizion”. Po bëj punën që doja të bëja, pasi nuk kam qenë asnjëherë në stolin e rezervës. Për sa i përket punës, është më shumë se fantastike, ndihem komod me stafin, punën dhe çdo gjë. Jam i lumtur që drejtori i “Zjarr Tv” Ismet Drishti, ma dha këtë mundësi!

Çfarë komentesh ke marrë për mënyrën sesi i jep lajmet me xhaketë zbërthyer?

Faktikisht, qëllimi që i jap lajmet në atë format, nuk është dekolteja, por subjekti dhe mesazhi. Të gjitha televizionet janë të shitura politikisht dhe unë nuk do të të doja të isha një “mall i shitur”, ndaj “360 Gradë” e jep të vërtetën e zhveshur dhe kjo duke u bashkëngjitur edhe me veshjen… Komentet kryesisht janë pozitive, por normalisht ka edhe persona që nuk e pëlqejnë, por interesant është fakti që pavarësisht kësaj, prapë më shohin në lajme… Do ta quaja “budallallëk” nëse do të prisja vetëm komente të mira .. pasi dhe këto të tjerat kanë “lezetin” e vet.

Çfarë komenti të ka bërë të ndihesh keq?

Nuk ka pasur diçka specifike. Më bën të ndihem keq fakti që ka njerëz akoma të prapambetur, pra, që ende e shikojnë një çështje vetëm në mënyrë sipërfaqësore , të cekët do të thosha.

Çfarë pune ke bërë më parë që t’u besua një pozicion i tillë?

Shumë portale dhe gazeta më kanë quajtur Napoleon Bonaparti ose Kameleoni, sepse kam qenë i përfshirë në shumë sektorë, si fotomodel dhe model në kompaninë prestigjoze të modës “Lifestyle Albania”. Sapo kam mbushur 17 vjeç, por që në moshën 13-vjeçare kam qenë pjesë e televizionit në rrugën e gazetarisë.

Një 17-vjeçar, spiker lajmesh. Si ndihesh që je më i riu në këtë profesion?

Po, jam gazetari më i ri në të gjithë botën dhe jam shumë i lumtur. Kam përdorur një shprehje gjithnjë, që njeriu duhet të besojë në ëndrrat e tij sepse ato kanë gjenialitet dhe magji brenda. Ne mund të bëjmë çdo gjë, mjafton besimi… Moderimi është një eksperiencë e re, sepse kam qenë gjithnjë gazetar dhe moderator në emisione. Fillimisht, praktikën e bëra në “Vizion Plus” në emisionin “Oktapod”, ku punova pa mbushur 14 vjeç. Më pas u zhvendosa në një televizion shqiptar në Amerikë, ku kisha emisionin tim dhe bëja gjithashtu dhe kronika të përditshme në terren.

Ndërkohë, drejton emisionin politik “360 gradë”. Është pak e vështirë për një 17-vjeçar, pasi në fund të fund je një adoleshent?

Këtë punë e kam kënaqësi. Unë e dashuroj gazetarinë dhe moderimin dhe nuk has asnjë lodhje me gjithë këtë pasion dhe dëshirë që kam. Nëse do flasim për përshtypje në pozicionin që jam unë, rutina është ajo që më bën përshtypje, që çdo ditë flas në edicionin informativ për dhunë në familje, drogë, vrasje, kriminalitet, trafikim, pra, mbizotërojnë më së shumti lajme negative. Dhe mbi të gjitha, një lajm interesant, që rriten pensionet me 2 mijë lekë të vjetër …

Çfarë ambiciesh ke më tej në televizion, si cili aspiron të jesh nesër?

Dua të qëndroj në këto drejtime: moderim dhe gazetari. Gazetar dhe moderator të mirë dhe që ia vlen për të marrë shembull, këtu në Shqipëri ka shumë, sepse fatmirësisht Shqipëria është vendi prodhues i virtuozëve, por origjinali është më i mirë se çdo kopje më e mirë e mundshme. Dua të formoj imazhin tim te publiku dhe te fansat e mi jo si kopjac, por identitetin tim.

Sa paguhesh në atë punë dhe si do preferoje ta etiketoje kodin e veshjes kur jep lajme?

Paguhem mjaftueshëm mirë, por s’dua ta bëj publike shumën. Kodin e veshjes gjatë lajmeve do ta etiketoja si një veshje që tregon paanshmërinë dhe lakuriqësinë e lajmit që jap.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al