11 Prill, 2022

Aksioneri më i madh në Twitter, Elon Musk refuzon të jetë pjesë e bordit të kompanisë


Shefi Ekzekutiv i Twitter, Parag Agrawal ka lajmëruar se miliarderi Elon Musk nuk do të jetë pjesë e bordit të kompanisë.

Parag Agrawal e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetin social, duke theksuar se pas shumë bisedimeve Musk e ka refuzuar ofertën e tyre, pavarësisht se është bërë aksioneri më i madh i kompanisë me 9.2% të aksioneve .

Duke njoftuar se Musk nuk do të bëhej anëtar bordi, Agrawal shkroi: “Unë besoj se kjo është për të mirë. Ne kemi dhe do të vlerësojmë gjithmonë kontributin e aksionerëve tanë, pavarësisht nëse ata janë në bordin tonë apo jo. Elon është aksioneri ynë më i madh dhe ne do të mbetemi të hapur ndaj kontributit të tij.”

Pas publikimit të lajmit, Musk bëri një status në Twitter, duke publikuar vetëm një emoji.

Ky lajm vjen pasi shefi ekzekutiv i Tesla-s, i cili eshte aktiv me 81.3 milionë ndjekës në platformë, propozoi një sërë ndryshimesh.

Sugjerimet e tij përfshinin bërjen e shërbimit premium të Twitter-it pa reklama, edhe pse kompania mbështetet në reklamat për 90% të të ardhurave të saj.

“Fuqia e korporatave për të diktuar politika rritet shumë nëse Twitter varet nga paratë e reklamave për të mbijetuar”, shkroi Musk në Twitter.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al