30 Tetor, 2017

15 vjet “News 24”, festa madhështore e ekranit kampion bën bashkë elitën shqiptare


Televizioni i parë informativ shqiptar mbushi 15 vjeç pak ditë më parë. Kishte shumë arsye për ta festuar këtë ditë, ashtu siç e meritonte, në mënyrë madhështore! “News 24” për gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë një rrugëtim dinjitoz në kërkim të perfeksionimit dhe si gjithmonë në garë me veten, sepse standardet e tij e bëjnë të pakonkurrueshëm me ekranet e tjera informative shqiptare. Një histori suksesi e drejtuar me profesionalizëm dhe me ambicien për të qenë gjithmonë i pari te lajmi dhe për ta dhënë atë me vërtetësi, “News 24” mblodhi politikanë të të gjithë krahëve, intelektualë, përfaqësues të klerit, por dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. I ndjekur tashmë edhe në platformat dixhitale përtej kufijve, “News 24” është bërë dritarja e shqiptarëve në të gjithë rajonin.

Të pranishëm në festën gala ishin Presidenti Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, zv. kryeministri i qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë, Dragisha Ravshovski, kryetari i Bashkisë së Ulqinit, Nazif Cungu dhe disa ministra. Nuk i munguan festën së djeshme të televizionit më të madh informativ guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi” Arben Malaj, moderatorët e njohur Blendi Fevziu, Ardit Gjebrea etj. Si në çdo event tjetër që organizohet nga “Focus Group” apo edhe nga biznese të tjera të familjes Hysenbelliu, detajet e festës si dhe skenogafia e Pallatit të Kongreseve ishin të kuruara deri në perfeksion. Tortën festive, të kompozuar me 5 kate e ku në çdo kat ishin stampuar foto nga kronikat dhe titrat e para të televizionit, e preu Fatmir Hysenbelliu, zv.presidenti i “Hysenbelliu Group”. Përmes muzikës festive dhe fishekzjarrëve, të pranishmit uruan drejtuesit dhe presidencën e grupit për suksese të reja në sfidat e informimit të publikut.

KRYEMINISTRI RAMA MORI MË SHUMË VËMENDJE DUKE MOS QENË FIZIKISHT NË FESTË

Për arsye të një udhëtimi pune në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kryeministri Edi Rama nuk mundi të ishte në ceremoninë e “News 24”. Megjithatë, ai kishte gjetur mënyrën për t’u bërë pjesë e festës, madje duke marrë më shumë protagonizëm se sa po të ishte fizikisht. Ai dërgoi një video-mesazh përshëndetës ku, ndër të tjera, thoshte: “Në pamundësi për të qenë fizikisht në festën e ditëlindjes së ‘News 24’, dëshiroj të shpreh një vlerësim të sinqertë për rrugëtimin e këtij televizioni. Deri më sot është si një dritare informacioni, si një dritare debati, si një dritare ku, pavarësisht se mund t’i shquash edhe ato tipare karakteristike të mediave në tërë- si, nuk ndjek një axhendë të parashkruar për t’u bërë palë me dikë apo e dikujt; apo për të nxjerrë përfitime të drejtpërdrejta përmes keqpërdorimit të informacionit, të lajmit, axhendës dhe debatit. ‘News 24’ është i mbarë dhe i uroj rrugë të gjatë dhe 15- vjetor të lumtur”, tha Rama.

 

Në panelet e emisioneve bëhen bashkë për debat, në festën e “News 24” u bënë bashkë për të festuar

Në një atmosferë aspak të paqtë për politikën shqiptare, ku gjuha e konfliktit ka arritur në stade shqetësuese, në festën e “News 24” dukej sikur kjo u harrua. Magjia që krijonte atmosfera me mbi 1500 të ftuar, i zbuti politikanët e të gjitha kaheve politike, të cilët u panë duke biseduar e qeshur me njëri-tjetrin, paçka se paradite ishin zënë keq në sallën e Parlamentit, gjë që e bëjnë më pas edhe në emisionet politike të “News 24”, të cilat duhet thënë që kanë audiencë edhe më të lartë se disa ekrane gjeneraliste.

Presidenti Irfan Hysenbelliu: “News 24” nuk është biznes, por investim për shoqërinë

Presidenti i “Focus Group”, Irfan Hysenbelliu, në fjalën e rastit, ndër të tjera tha: “Historia e ‘News 24’ nisi si një investim modest, prej disa njerëzve vizionarë, që u shndërrua në një platformë mediatike nga më të rëndë- sishmet në vend, së bashku me ‘Gazetën Shqiptare’, ‘Balkanweb’ e ‘Radio Shqiptare’. Është e veçantë, sepse mishëron pasionin, përpjekjet dhe sakrificat e qindra djemve e vajzave ëndërrimtarë, burrave e grave profesionistë nga më të mirët, të cilët i dhanë shpirtin kësaj risie që do të mbërthente shqiptarët, si kurrë më parë, para ekranit dhe do të bëhej modeli për shumë media të reja. Është i veçantë sepse është projekti që më tundoi e më përfshiu, pa kthim, në botën televizive, pas eksperiencës me “fëmijën tim mediatik”, gazetën “Panorama”, një histori tjetër suksesi që më ndihmoi të kapërceja dyshimet fillestare për rolin dhe forcën e medias, për misionin e saj të pazëvendësueshëm. Iu bashkova këtij projekti të veçantë me vendosmërinë për të arritur, pa kursyer asgjë, frymëzuar nga ai instinkt, që më bukur se kushdo e ka përmbledhur themeluesi i “Facebook”, kur është shprehur: “Nuk doja kurrë të ndërtoja një kompani, por të kisha impakt!” Për mua dhe të gjithë bashkëpunëtorët e çmuar ndër vite, ‘News 24’ nuk është biznes, por investim për shoqërinë; ku i jep zë të pafuqishmit, ku publiku përballet me realitetin e vërtetë, ku i dobëti gjen mbështetje, ku të pashpresit i hapet një dritare! Ky është impakti që kisha ëndërruar!” Askush më mirë se ne që punojmë në mediat e tij nuk mund ta kuptojë sa të vërteta janë këto fjalë, pasi për zotin Hysenbelliu media është një pasion dhe një mision, para se të jetë një biznes. Kjo është arsyeja që ai arrin gjithmonë të krijojë dhe zhvillojë logo, të cilat janë më të pëlqyerat dhe më të suksesshmet në treg.

Eni Vasili: Lashë ofertat në Milano për “News 24” dhe ia ka vlejtur!

Teksa uroi të pranishmit për prezencën e tyre, moderatorja Eni Vasili tregoi se si nisi rrugëtimi i saj në “News 24” me emisionin e saj që transmetohet prej disa vitesh. “Pak vite më parë, kur mora ftesën për të realizuar emisionin ‘Studio e hapur’, isha duke bërë studimet e mia master. ‘News 24’ më ktheu në Shqipëri dhe më vendosi në dilemë që të kthehesha në vendin tim, apo jo. ‘News 24’ është një potencial dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij stafi. Historinë e bëjnë njerëzit me përkushtimin dhe sakrificën”, tha Vasili.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al