Pankreatiti, sëmundja që dëmton veshkat, nxit diabetin e çon në kancer

Sep 13, 2017 | 10:40
SHPËRNDAJE

P[robleme me frymëmarrjen, infeksion, diabet, dëmtim të veshkave deri edhe kancer në pankreas, janë këto disa prej komplikacioneve që mund të shkaktojë pankreatiti nëse nuk mjekohet në kohë. Pankreatiti është inflamacion apo thënë ndryshe ënjtja e pankreasit, i cili manifestohet me dhimbje në zonën e barkut, shpeshherë edhe në shpinë, të vjella apo edhe rënie nga pesha.

Mjekja gastrohepatologe, Albana Duni, thotë se janë të shumtë shkaktarët që çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, ku mund të veçohet konsumimi i alkoolit, gurët e tëmthit, ndërhyrjet kirurgjikale që janë kryer, duhanpirja si edhe përdorimi i disa medikamenteve specifike. Për mjekimin e pankreatitit, me rëndësi, sipas doktoreshës, është që të trajtohen pikësëpari këta shkaktarë.

albana-duni

“Trajtimi i varësisë nga alkooli nënkupton përfshirjen e personit në një program të caktuar trajtimi për ndërprerjen e alkoolit, pasi vazhdimi i alkoolit do të çonte në përkeqësim të situatës me komplikacione serioze për jetën. Marrja e enzimave pankreatike gjatë çdo vakti ushqimor që përmirëson digjestionin. Ndryshimet dietetike nënkuptojnë një plan dietik me përmbajtje të ulët yndyrash dhe me nutrientë të bollshëm si fruta, perime, proteina, drithëra.

Rekomandohet dietë e pasur me karbohidrate dhe e varfër në yndyra dhe vakte të vogla, por të shpeshta. Pirja e një sasie të konsiderueshme uji në ditë është e rekomanduar, si dhe mbajtja e një peshë trupore normale dhe një aktivitet i rregullt fizik. Vetëm me këto rregulla mund të parandalohen situata të tjera të pankreatitit”, thekson mjekja gastrohepatologe, Albana Duni.

Çfarë është pankreatiti dhe në sa forma shfaqet? Pankreatiti është inflamacioni (ënjtja) e pankreasit. Pankreasi është një gjëndër që lokalizohet në pjesën e sipërme të barkut dhe e futur pas stomakut. Pankreasi prodhon enzima që ndihmojnë digjestionin dhe hormone, të cilat rregullojnë nivelin e glicemisë në trupin tonë. Pankreatiti prek mosha të ndryshme, por mund të prekë edhe fëmijët. Traumat e pankreasit dhe pankreatiti i trashëguar janë dy faktorë të njohur që shkaktojnë pankreatit në fëmijëri.

Fëmijët me fibrozë cistike të përparuar dhe me mosfunksionim të mushkërive munden, gjithashtu të preken nga pankreatiti. Në të shumtën e rasteve, shkaku i pankreatitit te fëmijët është i panjohur. Pankreatiti shfaqet si pankreatit akut, që nënkupton shfaqjen e menjëhershme të tij dhe zgjat për disa ditë, por kemi dhe pankreatit kronik, që shfaqet për një kohë relativisht të gjatë, që mund të përfshijë shumë vite. Rastet e lehta të pankreatitit (Mild pancreatitis) mund të kalojnë pa trajtim, por rastet vërtet të rënda mund të jenë kërcënuese për jetën duke shkaktuar komplikacione serioze.download (1)

Cilët janë shkaktarët që çojnë në inflamacion të pankreasit?

Pankreatiti ka shumë shkaqe. Janë identifikuar një numër shkaqesh të pankreatitit akut e kronik që përfshijnë: Konsumimin e alkoolit, gurët e tëmthit, kirurgjinë abdominal, duhanpirjen, përdorimin e disa medikamenteve specifike të tilla si, azathioprinë dhe 6- Mercaptopurinë, ACE Inhibitorët (ku hyjnë antihipertensivët si enalaprili), antidiabetikët (metformina) statins (atorvastatin, fluvastatin, simvastatin), antibiotikët (metronidazol dhe tetraciklina), acidi valproik (trajtimin e migrenës, epilepsinë, dhimbjen neuropatike).

Me ndikim është edhe fibroza cistike, një çrregullim gjenetik që prek mushkëritë, pankreasin, veshkat dhe mëlçinë, po ashtu procedurat mjekësore që përdoren për heqjen e gurëve të tëmthit si Endoscopic retrograde cholangiopancreatography (ERCP), historitë familjare për pankreatit si edhe nivelet e larta të kalciumit në gjak (hypercalcemia), që mund të shkaktohet nga mbiaktiviteti i gjëndrës paratiroide (hyperparathyroidism). Të tjerë shkaktarë që shpien në ënjtje të pankreasit janë edhe nivelet e larta të triglicerideve në gjak (hypertriglyceridemia), infeksionet, traumat e barkut, kancerin e pankreasit (siç mund të ndodhë dhe e kundërta, që pankreatiti çon në kancer pankreasi).

Si në çdo patologji tjetër, shenjat janë treguesi i parë që mund të orientojnë në vendosjen e një diagnoze. Në rastin e kësaj sëmundje, cilat janë shqetësimet që paraqiten?

Shenjat dhe simptomat e pankreatitit ndryshojnë në varësi të tipit të tij. Pankreatiti akut ka këto shenja dhe simptoma: Dhimbje abdominale në zonën e stomakut, e cila mund të përhapet dhe në shpinë dhe ndihet më shumë pas ushqimit. Më tej, të përziera dhe të vjella, por edhe ndjeshmëri dhe mbrojtje kur prek barkun. Sakaq, pankreatiti kronik përfshin këto shenja e simptoma: Dhimbje e sipërme abdominale, humbje e rastësishme peshe si edhe fece të yndyrshme (steatorrhea).

Pankreatiti shfaqet kur enzimat digjestive, prodhuar nga pankreasi bëhen aktive duke shkaktuar dëmtim të organit. Ndërsa normalisht, gjatë digjestionit ose tretjes normale, enzimat pankreatike të paaktivizuara kalojnë nga kanalet pankreatike për në intestinin e hollë: duodeni (zorra e hollë), ku ato aktivizohen dhe ndihmojnë tretjen. Në pankreatit, enzimat bëhen aktive që në pankreas duke shkaktuar irritim të qelizave pankreatike, inflamacion dhe shenja e simptoma shoqëruese të pankreatitit.

Me përsëritjen e pankreatitit akut, dëmtimet e pankreasit bëhen kronike duke u bërë kështu dëmtime të parikthyeshme e që manifestohen me humbjen e funksionit të pankreasit, me probleme digjestive dhe me diabet. Pra, pankreatiti akut kalon në kronik, por edhe një pankreatit kronik mund të akutizohet.

Cilat janë komplikacionet që mund të shkaktojë?

Pankreatiti mund të shkaktojë komplikacione serioze që përfshijnë:

Pseudocist. Pankreatiti akut shoqërohet me prodhim likuidi (lëng) dhe mbetje, që organizohen në pankreas si paketa ose qeska ujore që quhen ciste. Një pseudocist i madh mund të çahet dhe të shkaktojë komplikacione si hemorragji dhe infeksion.

Infeksion. Pankreatiti akut bën që pankreasi të jetë shumë i prekshëm karshi baktereve dhe infeksionit. Kjo është një situatë serioze dhe kërkon trajtim intensiv. Probleme të frymëmarrjes. Pankreatiti akut çon në ndryshime kimike të organizmit që prekin funksionin e mushkërive, duke shkaktuar ulje të nivelit të oksigjenit në gjak në vlera të rrezikshme.

Diabet. Dëmtimi i qelizave që prodhojnë insulinë mund të çojë në diabet. Dëmtim të veshkave. Në këtë situatë mund të shkaktohet insuficiencë renale, ku mund të kërkohet dhe trajtimi me dializë.

Malnutricion/ kequshqyerje. Si pankreatiti akut, ashtu edhe ai kronik bëjnë që pankreasi të prodhojë më pak enzima të domosdoshme për shkatërrimin dhe procedimin e nutrienteve që ne marrim nga ushqimi. Kjo çon në kequshqyerje, diarre dhe humbje peshë, megjithëse merret i njëjti ushqim si më parë dhe e njëjta sasi. Kancer të pankreasit. Një inflamacion që zgjat është një risk për transformime qelizore, gjë që çon në zhvillimin e kancerit.

Çfarë metodash aplikohen aktualisht për diagnostikimin e pankreatitit?

Testet dhe procedurat mjekësore që përdoren për diagnozën e pankreatitit përshijnë: Analizat e gjakut për enzimat pankreatike, testet e feçeve për matjen e nivelit të yndyrës në feçe, gjë që sugjerojnë për mosabsorbim të nutrientëve ushqimorë, skaneri (CT) ka vlerë për identifikimin e gurëve dhe shtrirjen e inflamacionit në pankreas. Eko abdominale gjithashtu identifikon gurët në rrugët e tëmthit dhe inflamacionin. Endoskopia ultrasound ose EUS është ekzaminimi më i përzgjedhur për vlerësimin e pankreasit dhe të patologjive të tij: Endosonografia është kombinimi i ekos dhe endoskopisë për të marrë imazhe dhe informacione rreth traktit tretës, organeve dhe indeve përreth tij. Endoskopia është një procedurë ku një tub fleksibël me një mini-telekamera futet nga goja ose rektumi i pacientit për të parë nga brenda traktin tretës, ndërsa eko-ja përdor valë me frekuencë të lartë për të prodhuar imazhe të organeve dhe strukturave në brendësi të trupit, si për shembull vezoreve, uterusit, mëlçisë, fshikëzës së tëmthit, pankreasit, aortës etj. Nga ana tjetër, rezonanca magnetike (MRI) vlerëson për anomali të fshikëzës së tëmthit, rrugëve të tëmthit dhe të pankreasit.

Si trajtohet?

Mënyra se si trajtohet pankreatiti varet nga forma e tij. Trajtimi i pankreatitit akut zakonisht kërkon hospitalizim për të stabilizuar gjendjen dhe inflamacionin, dhe konkretisht përfshin:

Fasting. Nënkupton ndërprerjen e marrjes së ushqimit nga goja në mënyrë që pankreasi të pushojë. Me kontrollin e inflamacionit, kalohet gradualisht në dietë likide e më pas në dietë normale. Persistenca e dhimbjes pas ushqimit tregon persistencë e pankreatitit.

Medikamente që kontrollojnë dhimbjen

Likide intravenoze. Disa persona shërohen më shpejt, ndërsa ata që kanë komplikacione kërkojnë kohëqëndrim më të gjatë në spital. I rëndë- sishëm është edhe trajtimi i shkaktarëve të pankreatitit. Procedurat për të hequr gurët që mund të kenë bllokuar kanalin e tëmthit dhe që janë shkak i pankreatitit: endoscopic retrograde cholangiopancreatography (ERCP).

Kolecistektomia, që është heqja kirurgjikale e fshikëzës së tëmthit, kur janë identifikuar gurë. Trajtimi i varësisë nga alkooli që nënkupton përfshirjen e personit në një program të caktuar trajtimi për ndërprerjen e alkoolit, pasi vazhdimi i alkoolit do të çonte në përkeqësim të situatës me komplikacione serioze për jetën. Marrja e enzimave pankreatike gjatë çdo vakti ushqimor që përmirëson tretjen.

Ndryshimet dietetike nënkuptojnë një plan dietik me përmbajtje të ulët yndyrash dhe me nutrientë të bollshëm, si fruta, perime, proteina, drithëra. Rekomandohet dietë e pasur me karbohidrate dhe e varfër në yndyra, maksimumi deri në 20gr/ditë yndyra, dhe vakte të vogla, por të shpeshta.

Pirja e një sasie të konsiderueshme uji 2/3 l në ditë është e rekomanduar, si dhe mbajtja e një peshe trupore normale e një aktivitet i rregullt fizik. Vetëm me këto rregulla mund të parandalohen situata të tjera të pankreatitit. Shumica e personave me pankreatit akut shërohen plotësisht dhe pankreasi kthehet gradualisht në gjendjen normale. Por pankreatiti mund të rikthehet nëse nuk eliminohen shkaqet e tij që i përmendëm më lart. Masat e mësipërme vlejnë edhe për format kronike të pankreatitit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura