Paniku nga e vërteta në shkrimin e Mustafa Nanos

Nov 24, 2020 | 8:52
SHPËRNDAJE

VEHAP KOLA

Vehap Kola

Në një shkrim të botuar në “Panorama”, Mustafa Nano shpreh mosbesimin e tij për dokumentet e publikuara nga kryedemokrati Lulzim Basha, që nxjerrin në dritë se numri i vdekjeve në spitalet COVID, që kur këto spitale u janë dedikuar vetëm të sëmurëve me COVID, është sa dyfishi i atyre që raportohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Mosbesimin e tij, Nano e mbështet në dëshminë e një mjeku dhe në probabilitetin e ulët që Rama të koordinojë një numër të madh njerëzish që ky manipulim me shifrat të mund të ndodhte. Por ai ngatërron vlerësimin e probabilitetit me gjykimin e fakteve. Letrat që bëri publike Lulzim Basha janë fakte. Ato nuk janë dyshime. Nuk janë akuza. Janë lista me emrin, mbiemrin, atësinë, moshën dhe shkakun e vdekjes. Ato lista janë hartuar nga dokumentacioni që shoqëron trupin e pacientit të vdekur kur ai pranohet në morg. Dokumentacioni shoqërues është përpiluar, nënshkruar dhe vulosur nga mjekët në dy spitalet COVID.

Ato janë listat e njerëzve që kanë vdekur në spitalet COVID qysh ditën kur këto spitale iu kushtuan vetëm pacientëve me COVID dhe pranonin vetëm pacientë me tamponë pozitivë. Vetë metodologjia e ISHP-së i konsideron viktima të COVID të gjithë ata njerëz që kanë vdekur në spitalet COVID ose që janë dyshuar si të prekur nga sëmundja, edhe nëse kanë vdekur jashtë spitaleve.

Duke e konsideruar të pabesueshme që Edi Rama të ketë qenë në gjendje ta bënte këtë manipulim të shifrave në mënyrë të rregullt çdo ditë gjatë gjithë këtyre muajve, Nano lë të kuptohet se opozita nuk e ka drejtuar gishtin vetëm kundër Ramës, por me akuzat e saj ajo po shënjestron edhe mjekët. Këtu ai bën një gabim logjik trashanik, pasi vetë fakti që Lulzim Basha publikoi dokumente nga morgu i Tiranës, të cilat nxorën në dritë manipulimin e shifrave nga ana e qeverisë, është dëshmi ulëritëse se mjekët nuk kanë bashkëpunuar me Ramën në këtë sipërmarrje. Ata i kanë përgatitur dhe nënshkruar dokumentet konform ligjit dhe i kanë dorëzuar si në mënyrë të rregullt. Prej këtyre dokumenteve të rregullta, që dëshmojnë mospërfshirjen e mjekëve në këtë operacion manipulimi, janë marrë të dhënat që tregojnë se Rama ka keqorientuar opinionin publik me shifra të pavërteta.

Aq të rregullta janë dokumentet, aq të sakta janë shifrat, saqë vetë Rama nuk i zuri në gojë fare gjatë videomesazhit të ditës së shtunë, edhe pse kishte premtuar se do të sillte prova dhe fakte të prekshme që do ta nxirrnin Bashën në rrenë. Në mungesë të këtyre provave dhe pa asnjë kundërfakt, Mustafa Nano përpiqet që përmes një rrengu të dobët logjik të hedhë hije dyshimi mbi provat e zbardhura nga Lulzim Basha.

Më tej, ai orvatet të gjejë shpëtim te përhapja e besimeve konspirative, por i keqciton ato, duke shkruar se është konspirative të besosh se të vdekurit janë disafish më shumë se ato që janë raportuar. Por e kundërta është e vërtetë për teoritë konspirative. Të gjithë narrativat konspirative shtrihen përgjatë segmentit me skaje nga besimi se virusi nuk ekziston, te besimi se numri i të vdekurve rritet fiktivisht nga qeveritë që të imponohet rivendosja e karantinës, maskës apo masave të tjera shtrënguese. Raportimi i një numri më të ulët të vdekjeve sesa ai real është i faktuar me dokumente, të cilat deri sot nuk janë vënë në diskutim nga askush me prova në dorë.

Një argument tjetër që Nano përdor për ta paraqitur dosjen e nxjerrë në dritë nga Lulzim Basha, është karakterizimi i narrativës opozitare si narrativë të katastrofës. Siç duket, ai ndjek vetëm z. Basha dhe injoron transmetimet e televizioneve drejtpërdrejt nga oborri i Sanatoriumit apo Infektivit me ambulanca plot me të sëmurë, që presin të lirohen shtretër për të pranuar pacientët e rinj dhe paralizojnë, kësisoj gjithë shërbimin për pjesën tjetër të të sëmurëve, që presin shërbimin urgjent për t’u transportuar drejt spitaleve.

Nëse akuzon Lulzim Bashën se është duke u përpjekur të fitojë pikë me të vdekurit, është të paktën e pasinqertë që krenimi i Ramës me numrin më të ulët të vdekjeve për 1 milion banorë krahasuar me vendet e rajonit të mos të duket përpjeke për të fituar pikë me të vdekurit. Aq më e dukshme bëhet hipokrizia e Nanos kur i vënë përballë dokumenteve zyrtarë nga morgu dhe dështimit të Kryeministrit për të sjellë prova që i hedhin poshtë ato dokumente, nuk e konsideron politikë me vdekjen fshehjen nga qeveria të numrit real të viktimave të COVID. Përse i fsheh vdekjet reale një qeveri nëse jo për shmangur kostot politike që vijnë nga keqmenaxhimi?

Mos ndoshta Nanon i konsideron përpjekje për të përfituar nga vdekjet propozimet e Lulzim Bashës në Planin me 5 Pika, që prej gati dy muajsh ia përsërit ditë e natë qeverisë? Rritja e fondeve për shëndetësinë, testimi masiv, mbrojtja e mjekëve, hapja e spitaleve rajonale për rastet më pak të rënda, trajnimi i personelit shëndetësor, blerja e pajisjeve dhe medikamenteve dhe mbulimi i paketës se ilaçeve anti-COVID që i ka kërkuar Basha qeverisë nuk është politikë me vdekjen. As lubrifikimi i ekonomisë, mbrojtja e mësuesve dhe ndihma për çdo familje të goditur nga kriza ekonomike nuk është politikë me vdekjen.

Nëse propozimet e Planit të tij me 5 Pika do të zbatoheshin, është e sigurt se pasojat do të ishin më të vogla. Kur Lulzim Basha kërkon që të zbatohen masa të tilla, qeveria dhe Nano nuk kanë asnjë të drejtë ta quajnë politikë me vdekjen denoncimin e të vërtetës së fshehur për shqiptarët.

Atentati më i madh që bën Nano ndaj logjikës është radhitja e Ramës dhe menaxhimit të pandemisë në Shqipëri në një rresht me qeveritë europiane dhe luftën e tyre ndaj pandemisë. A i ka parë Nano raportet e OBSHsë, FMN-së, Bankës Botërore e EUROSTAT, që thonë se Shqipëria ka dhënë buxhetin më të ulët për shëndetësinë në Europë, bën më pak testime se çdo vend tjetër, ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë dhe paguan mjekët më pak se gjithë Ballkani? Ndoshta, ai nuk e di që sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin e pandemisë, buxheti për shëndetësinë është ulur me 13 milionë euro, ndërsa buxheti për inceneratorët është rritur me 12 milionë euro?

Opozitat në këto vende nuk janë përballur me qeveri që në kulmin e pandemisë përdor buxhetin e shtetit për shpenzime luksi për projekte korruptive dhe nuk merr asnjë masë financiare e administrative për të luftuar pandeminë. Prandaj, nuk i kemi parë opozitat e këtyre vendeve që të denoncojnë abuzimin e qeverive me paratë publike në mes të pandemisë, apo të fshehin numrin e vërtetë të viktimave nga sëmundja.

Por, ndoshta për çudinë e Nanos, në disa vende europiane, prokuroritë kanë nisur hetime ndaj qeverive të tyre për mënyrën e administrimit të pandemisë. Në Francë, Prokuroria ka bastisur shtëpitë e ministrit të Shëndetësisë, ish-Kryeministrit dhe drejtorit të Shëndetit Publik si pjesë e një hetimi të nisur në qershor për krime të dyshuara, që përfshijnë rrezikimin e jetës së të tjerëve, homicid të paqëllimshëm, dështim për të ndihmuar ata që janë në rrezik dhe mosveprim i vullnetshëm në luftën kundër kërcënimit. Ndërsa në Itali, prokurorët kanë marrë në pyetje Kryeministrin Conte, ministrin e Shëndetësisë dhe atë të Brendshëm për të zbuluar nëse gabimet e bëra nga autoritetet kanë kontribuar apo kanë shkaktuar pirgjet e të vdekurve atje.

Mbi të gjithë këto dështime logjike e narrative në shkrimin e Mustafa Nanos, nxin dështimi i tij etik që në vend që t’i bënte thirrje Prokurorisë të nisë hetimet – si në Francë dhe Itali – që të zbardhë të vërtetën, ai rreshtohet në taborin e propagandës së Kryeministrit Rama për të mbrojtur atë që as vetë Rama nuk mori përsipër të mbronte. Duke sulmuar Bashën me hamendësime dhe duke mos kërkuar të vërtetën e dokumenteve të publikuara nga kryedemokrati, z. Nano zgjedh të mbrojë interesin politik të Ramës dhe jo interesin publik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura