Paniku me fushat, FSHF: Klubeve u duhet një agronom

Sep 21, 2017 | 20:50
SHPËRNDAJE

Në elitën e futbollit shqiptar, 30% e fushave nuk janë në gjendje të mirë për të mirëpritur zhvillimin e një takimi. Fusha e Lushnjës, Laçit dhe e Flamurtarit janë ende të papërdorshme.

Flamurtari

Në dy të fundit, problem është krimbja e barit. Në lidhje me këtë problem, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë, Arben Dervishaj, e konsideron mirëmbajtjen e terreneve sportive si pjesën kryesore të jetëgjatësisë së tyre.

PROBLEMI – “Fushave i ka hyrë një lloj krimbi që sipas meje është si rezultat i mosspërkatjes së duhur. Problemi është te mirëmbajtja e fushave. Një fushë futbolli kërkon ndjekjen rigoroze të një programi për plehërimin dhe të gjitha nevojat që ka. Në momentin që mund të shfaqen parazitët, gjë e cila mund të ndodhë dhe nuk është në dorën e njeriut, duhen ndërmarrë masat e duhura dhe në kohën e duhur.

Laci

Duhen spërkatje me pesticide të posaçme. Një faktor tjetër që ka ndikuar së tepërmi është edhe stina e nxehtë, e cila është karakterizuar me temperatura shumë të larta. Kjo ka kërkuar mirëmbajtje edhe më speciale.

Po ta vini re, në Elbasan dhe në Shkodër nuk janë hasur problematika të tilla, madje për të dy impiantet, gati një herë në çdo muaj, kompania greke vjen dhe supervizon gjendjen e dy fushave”, është shprehur Dervishaj për “Panorama Sport”.

FUSHAT – Sipas Dervishajt, një punëtor i thjeshtë nuk është në gjendje të mirëmbajë si duhet një fushë sportive. “Problemi më i madh është mirëmbajtja. Madje, duhet që mundësisht çdo fushë të ketë një agronom, pasi nuk mund të dijë me saktësi një punëtor fushe se çfarë spërkatjesh dhe plehërimi ka nevojë bari. Kur themi mirëmbajtje, një fushë nuk ka nevojë vetëm për korrje, por kërkon edhe makineri të mira për të bërë të gjithë shërbimet siç duhet”, ka deklaruar anëtari i KE-së në FSHF.

LAÇI DHE VLORA – Dy stadiumet që kanë hasur problemin e krimbjes janë ajo e Laçit dhe e Flamurtarit. “Supervizori grek ka parë edhe stadiumin e Laçit dhe çfarë pesticidesh duhen përdorur në mënyrë që të rigjenerohet. Ai ka qenë edhe në Lushnjë, edhe në Kamëz. Duhet të kuptohet që një fushë kërkon njerëz të specializuar për t’u mirëmbajtur.

Lushnja fusha

Cilësia? Në fushën e Laçit, cilësia e barit është e njëjtë me atë që ka Tirana, me atë në Kamëz dhe në Lushnjë. Besoj që do të rregullohet shumë shpejt. Pa dashur të akuzoj askënd, klubet nuk duhet të përdorin stadiumin për të zhvilluar edhe ndeshjet edhe stërvitjet”, ka përfunduar Dervishaj për “Panorama Sport”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura