DOM GJERGJ META
Krahas dhe për shkak të Pandemisë së Covid-19, po përparon çdo ditë e më shumë “pandemia” sociale, ajo që do të rëndojë mbi jetët e shumë popujve, rrjedhimisht edhe mbi jetën e shqiptarëve, e cila nuk është se po shkonte aq mirë edhe pa të.
Situata në të cilën gjendemi, është e rënduar, jo vetëm për shkak të të infektuarve e të vdekurve prej Covid-19, por edhe pasi ky po ndikon gjerësisht dhe thellësisht në jetën e përditshme të individëve, familjeve dhe shoqërive, duke kufizuar, a, më mirë të themi, duke i detyruar ata të ndryshojnë ritmin dhe dinamikën e saj në mënyrë rrënjësore.
Po jetojmë kufizimin e shumë të drejtave tona, që deri dje i kishim quajtur të pacenueshme, si p.sh., të udhëtojmë lirisht nga një shtet në tjetrin, të lëvizim në çdo orë të ditës apo të natës, të shkojmë kur dhe si të duam në një kinema e teatër, të shëtisim, të festojmë e të mblidhemi së bashku, të ulemi në auditorët e universiteteve etj.
Kjo ka ndikuar edhe deri në marrëdhëniet tona më intime, si përqafimet me prindërit, me të afërmit, me miqtë. Ne nuk i shtrëngojmë më duart me njëri-tjetrin dhe i flasim shoqi-shoqit pas një maske.
Po ashtu, kur hyjmë në ambiente publike, na duhet të mbajmë maskën. Madje, atë duhet ta kemi edhe kur jemi duke ecur vetëm në rrugë. Disa dimensioneve njerëzore u është zënë fryma, duke ia ulur “oksigjenin” jetës sonë të përditshme. Nuk e dimë deri kur mund të vazhdojë kjo gjë pa i dëmtuar rëndë “mushkëritë” e jetës sonë individuale dhe sociale. Këtu ka diçka më shumë se një pandemi e shkaktuar nga një virus, i natyrshëm apo artificial qoftë ai.
Me gjërat e sipërthëna është i lidhur ngushtë raporti me ligjin. Vendosja e masave kufizuese për shkak të pandemisë ka krijuar tipologji të reja kundërvajtjesh dhe si rrjedhojë tipologji ndëshkimesh të reja. Tashmë, polici është tërthorazi edhe një punonjës shëndetësie, pasi nëpërmjet angazhimit të tij dhe ndëshkimit (duhet të) kujdeset për shëndetin e njerëzve. Kjo ka krijuar po ashtu edhe konflikte të reja që rrjedhin nga nervozizmi apo rebelimi ndaj masave, që shumëkujt i duken të padrejta e përderi qesharake a priori apo edhe pas një verifikimi herë subjektiv e herë objektiv. Të tjerë njerëz, që për inerci, dhe jo sepse janë neglizhentë apo negacionistë, harrojnë të vendosin maskën, papritur gjenden përballë një patrulle, e cila zbaton ligjin, megjithëse ata si kundërvajtës mundohen ta përligjin shkeljen e tyre.
Në rastin tonë shqiptar, fatkeqësisht ka hyrë në lojë edhe qasja politike, e cila në rastet si Shqipëria paraqitet si një fenomen i ndërlikuar, më shumë i përqendruar te pasioni i rreshtimit sesa te pasioni për jetën dhe të mirën e përbashkët.
Pandemia, po ashtu, ka rritur ndjeshëm interesat e industrive farmaceutike (dhe monopoleve), jo vetëm sepse ilaçet janë të rëndësishme, por edhe sepse shumë njerëz, nga padija apo frika, i mbushin farmacitë në kërkim të tyre. Duke qenë se specialistët e fushës janë të paqartë mbi protokollet, me gjithë vullnetin e tyre të mirë dhe të ndërgjegjshëm e do të thosha heroik e guximtar, kaosi farmakologjik i krijuar, përveçse dëmton pacientët, rrit edhe abuzimin në këtë fushë. Farmaceutika për fat të keq nuk është më vetëm një shkencë, por edhe një biznes dhe si i tillë rregullohet jo vetëm nga formulat e ilaçeve, protokollet e mjekimit, por edhe nga mekanizmat dhe protokollet e tregut, d.m.th., të përfitimit.
Në fund, por jo për nga rëndësia, kjo situatë ka ndikuar dhe ndryshuar edhe marrëdhëniet familjare, fatkeqësisht duke i tendosur ato. Nuk ka sesi të jetë ndryshe kjo gjë. Gjatë kësaj pandemie, familja është më e goditura, duke nisur nga çështja e menaxhimit të rastit të infektimit të një pjesëtari të familjes, përjetimi i zisë kur ndodh vdekja, tutelimi i shëndetit dhe jetës së anëtarëve të familjes, deri tek asistimi i fëmijëve që janë në kopsht, shkollë e kështu me radhë. I shtohet kësaj situate edhe varfërimi ekonomik, rrogat e pamjaftueshme, stresi i humbjes së punës, që në rastet si Shqipëria janë rreziqe reale.
Kjo marrëdhënie e tendosur, izolimi, frika e infektimit dhe ajo e ndëshkimit për shkeljen e masave, dëmi ekonomik i familjeve e shumë gjëra të tjera, kanë ndikuar rëndë në shëndetin psiko-emocional të njerëzve. Duke ballafaquar mendimet me një mikun tim terapist klinik, na rezultoi se këto kohë kërkesa për ndihmë është shtuar shumë dhe se shëndeti mendor gjendet në zgrip. Izolimi ka çuar drejt këputjes ose së paku dëmtimeve serioze të një aspekti esencial të jetës njerëzore: marrëdhënia. Por, do të flas në fund për këtë gjë.
Aspektet e mësipërme janë vetëm disa vija të trasha, do të thosha fenomenike në kuptimin kantian të fjalës, të gjendjes së krijuar, pa përmendur këtu gjithë pasojat që rëndojnë mbi lirinë, mendimin, vullnetin e lirë, shoshitjen, aftësinë dhe zotësinë për të zgjedhur e sidomos mundësinë për të menduar me kryet tënd. Po ashtu, përgjigjet e padhëna për shumë “pse?” si, p.sh., vuajtja, vdekja në vetmi, trishtimi për njerëzit e humbur, afektet e ndërprera etj. Pyetje që arsyeja totalitare e iluminizmit nuk ka mundësi t’u japë përgjigje. Po. Kjo situatë ka vendosur në zgrip edhe arsyen apo më mirë të themi një dimension të saj. E ka krisur në mënyrë të pariparueshme atë.
Pandemia ka gjetur favorin e rrugëve të globalizuara. I gjithë planeti është një fshat i vogël global, ku pak njerëz caktojnë rregulla, “mendojnë” dhe zgjedhin në emër të të gjithëve, paraqesin çfarë duan dhe fshehin çfarë duan. Globalizimi po shkon drejt një homogjenizimi, sheshimi diferencash, mpirjeje të krijimtarisë deri në një klounizim të saj. Kjo ka vite që ecën me ritëm të shpejtë edhe pa pandeminë. Por sa më shumë ecën, aq më shumë plaket e kthehet në një ngrehinë që duhet shembur, kthehet në një “ancien régime” që duhet rrëzuar. Po ashtu, mendoj se arsyeja (vetëm ajo lloj arsyeje) e dhunshme, e cila vuri në gijotinë gjithçka, po shkon vetë drejt gijotinës, sepse po zbulohet gjithnjë e më e brishtë dhe e pamjaftueshme. Është gijotina që vetë ajo ka ngritur me pretendimin se aty do të kalojë gjithçka që nuk është ajo vetë. Me sa duket, po vjen fundi i historisë së saj dhe pandemia thjesht po e përshpejton atë. Pandemia po tregon jo vetëm pafuqinë e strukturave tona të jashtme, por edhe të atyre të brendshme, përfshirë këtu arsyen njerëzore që na është paraqitur si e vetëmjaftueshme, gjithëpërfshirëse me një fjalë totalitare.
Nga gërmadhat e saj, megjithatë, mund të lindë një arsye e re, ajo e jetës, e lirisë që ravijëzohet si një liri për dhe me tjetrin, ku relacionet kthehen në rregull bazik, ku ky ato nuk janë një opsion, por vetë rregulla. Dhe arsyes nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të dialogojë me të panjohurën, me misterin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al