“Shumë dobët këtë vit, prenotimet janë anuluar të gjitha”- Operatorët turistikë në Golem i qajnë hallet, Basha: Çdo vendim i dalë 12 muaj para zgjedhjeve…

Jun 30, 2020 | 18:53
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar ditën e sotme me operatorët turistikë në Golem, të Kavajës.

basha 123

Në një postim në facebook, Basha thotë se sektori i turizmit pas shpërthimit të koronavirusit ndodhet në një krizë të thellë dhe aktiviteti ekonomik i bizneseve po shkon afër zeros.

Teksa vuri në dukje deklaratën e djeshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë ku ndër të tjera thuhej se Shqipëria ka klimën më armiqësore në rajon për të bërit biznes, Basha thotë se ndryshimi do të vijë me një qeveri që nuk garanton thjesht rotacionin politik, por ndryshimin real me shtetin në krahun e sipërmarrësve dhe qytetarëve të thjeshtë.

Basha gjithashtu premton se çdo vendim i dalë 12 muaj para zgjedhjeve nga Parlamenti apo institucione të tjera, do t`i nënshtrohet një rishikimi tërësor nga qeveria e re, për të garantuar ligjshmërinë dhe mbrojtjen e interesit publik.

Reagimi i plotë:

Basha takime me biznesët dhe operatorët turistikë në Golem, bashkia Kavajë

Në Golem ashtu si në gjithë bregdetin, sektori i turizmit ndodhet në një krizë të thellë.

Sot u takova me operatorët turistikë të Golemit dhe Malit të Robit. Hotelierët dhe sipërmarrësit që operojnë në këtë zonë më folën për krizën e thellë ekonomike dhe braktisjen totale të qeverisë.

Në një kohë kur pandemia e ka çuar aktivitetin e tyre ekonomik afër zeros, qeveria i shtrëngon të paguajnë taksat e larta dhe faturat abuzive. Një pjesë e mirë e prenotimeve të bëra për muajin korrik dhe gusht janë anuluar. Ata kanë larguar nga puna me qindra punëtorë, për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë rrogat e tyre. Hotelet po funksionojnë në vetëm 10 apo 20 % të kapacitetit, teksa operatorët po mendojnë shpalljen e falimentit.

RAMAVIRUSI i ka lënë operatorët turistikë të vetëm në fatin e tyre. 7 vite braktisje ndaj bizneseve dhe sipërmarrësve, ai i kompensoi me 700 milionë euro rilindje urbane dhe disa miliona të tjerë për tendera për oligarkët dhe PPP korruptive.

Ditën e djeshme, Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi se Shqipëria ka klimën më armiqësore në rajon për të bërit biznes, për shkak të politikave të qeverisë dhe taksave të larta.

Kjo tregon se kriza ekonomike nuk ka prekur vetëm sektorin e turizmit, por të gjitha sektorët, duke i lënë shqiptarët më të varfër dhe pa asnjë lloj përkrahje.

Ndryshimi do të vijë me një qeveri që nuk garanton thjesht rotacionin politik, por ndryshimin real me shtetin në krahun e sipërmarrësve dhe qytetarëve të thjeshtë. Partia Demokratike do ta rikthejë turizimin në një prioritet kombëtar, duke ulur taksat dhe duke i dhënë fund modelit të bandave të taksidarëve që zhvasin e gjobisin për të mbushur xhepat e shefave të tyre. Ne do të subvencionojmë të gjitha kompanitë e fluturimeve që sjellin turistë. Taksa për biznesin do të jetë 9 % si dhe do të heqim taksën “Rama” për karburantet.

Cdo vendim i dalë 12 muaj para zgjedhjeve nga Parlamenti apo institucione të tjera, do t`i nënshtrohet një rishikimi tërësor nga qeveria e re, për të garantuar ligjshmërinë dhe mbrojtjen e interesit publik.

Ta harrojë RAMAVIRUSI dhe minjonët e tij se do të mund të bëjnë raprezalje mbi qytetarët e ndershëm në ditët e fundit në pushtet.

Shqipëria ka një bregdet të mrekullueshëm dhe njerëz punëtorë që mbajnë me bukë familjet e tyre duke punuar dhe promovuar natyrën tonë të bukur. Qeverisja jonë do të jetë në krahun e këtyre e njerëzve.

Gjate takimit pronarë hotelesh dhe restorantesh i shprehën Bashës pakënaqësitë e tyre për mos shtyrjen e pagimit të taksave dhe inefiçencën e paketës së ndihmës që qeveria akordoi për ta gjatë periudhës së pandemisë. Sipas tyre, paketa e qeverisë i ofron biznesit kredi me interesin e paguar nga shteti, që mjafton vetëm sa për të paguar rrogat e punonjësve.

Procedurat për marrjen e kredisë janë të ndërlikuara, ndërsa ka pasur raste kur shume operatorë nuk kanë përfituar nga këto këto kredi.

Pjesa më e madhe e hoteleve po punojnë me kapacitetet e tyre minimale.

“2% e kapacitetit, është nuk po dimë se sa vjen e vështirësohen e nuk po kemi shpresa dhe për korrikun e gushtin që  janë dy muaj, të vetmit njerëz që na kanë ngelë janë vetëm shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, domethënë me Maqedoninë kemi pas edhe probleme po sikur  u lehtësuan”- u shpreh pronari i një hoteli me 600 dhoma në zonën e Golemit.

Si pasojë e numrit të ulët të turistëve, shumica e bizneseve kanë shkurtuar numrin e punonjësve. Pamundësia financiare dhe fitimet e pakta këto javë të para të sezonit turistik i ka shtyrë një pjesë të madhe të tyre të marrë borxh apo t`i paguajë punonjësit nga xhepi.

Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë domethënë, me Maqedoninë kemi pasur edhe problem por sikur u lehtësuan. E vetmja shpresë ata janë domethënë, shqiptarët e vendit tone domethënë ata, s’kemi ndonjë shpresë për të huajt, të gjithë pothuajse, të gjitha kontratat që kemi pasur me te huajt janë kanceluar totalisht. Pretendohet që të vijnë pas datës 15 korrik polakët, ishallah është domethënë se edhe ata nuk janë të sigurt që të fillojë  të marrë domethënë, ideja është që në krahasim me vitin 2019 domethënë mund të kemi një 5-20 % maksimale të punës që kemi bërë para një viti. Me këto ritme që po ecën turizmi I bie që nuk mund të kemi më shumë se 20 %. Kam 150 persona. Vjet kam pasur 350, sivjet kam 150 vetëm.  Po do i paguaj… deri tani ata i paguaj nga xhepi i kompanisë. Nuk kemi domethënë asnjë shans”- i tha një pronar hoteli kryetarit të Partisë Demokratike.

Mbyllja e kufijve e shoqëruar me frikën nga infeksioni ka shkaktuar anulimin masiv të prenotimeve nga jashtë vendit.

“Bosh është, s’ka njeri fare, s’ka këmbë robi…  S’vjen njeri. Janë mbyll të gjitha. Kam gjermanë, italianë, francezë që kanë prenotuar me booking-un, i kanë kthyer”– ishte ajo çfarë një tjetër operator turistik i tha Bashës.

“Bosh, dobët, ky vit si ky sezon nuk ka qenë ndonjëherë, janë anuluar të gjitha, ne booking janë anuluar të gjitha, të gjitha”- tha një tjetër pronar hoteli, i cili nuk priste pothuajse asnjë turist të huaj për këtë vit.

Lulzim Basha: Ju e patë raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Është raporti më i keq në tetë vite. Është kambanë alarmi, se me këto të dhëna që kanë publikuar ata dje, nuk ka investitorë të huaj t’i afrohet Shqipërisë dhe kjo ka impakt të drejtpërdrejtë tek imazhi edhe për turistët dhe natyrisht klima nuk është kaq e keqe vetëm për investitorët e huaj. Të parët që e vuani në kurriz jeni ju.

Mungesa e transparencës, korrupsioni,  rryshfeti, mungesa e infrastrukturës, klima e keqe për biznesit. Pa i ndrequr këto asjnë nga industritë nuk ngre kokë. Dhe ky është prioriteti ynë kryesor.

Kjo kërkon që shteti të garantojë konkurrencë të barabartë, kushte të barabarta konkurrence… Cfarë vendimesh janë marrë 12 muaj përpara zgjedhjeve, në veçanti lejet eksluzive për ndërtime apo rindërtime që kanë të bëjnë me trojet publike në bregdet, të gjitha do t’i nënshtrohen testit të transparencës.

Sa i përket klimës së biznesit, disa hapa të rëndësishëm që besoj do t`i japin frymëmarrje të gjithë sipërmarrjes edhe juve, do të jenë të menjëhershëm, që javën e parë, moratorium për të gjithë inspektoriatet.

Taksa e sheshtë 9%, eleminimi i taksës Rama mbi karburantin do krijojnë kushte jashtëzakonisht të favorshme për sa i përket parave që i mbetet në rradhë të parë sipërmarrjes, por edhe punëmarrësve dhe konsumatorit se në fund të fundit zinxhir është gjithçka, hallkat janë të gjitha të lidhura.

Kemi rënë në këtë spirale sepse i gjithë shteti ka përfunduar në duart e 4-5 vetave dhe kjo është gjëja e parë që duhet të marrë fund dhe unë ju premtoj që do të marrë fund që ditën e parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura