Panajot Boga, emblema e ortopedisë shqiptare

Sep 2, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

PROF. FEDHON MEKSI fedhon meksi

Në Tiranën e viteve ‘40- ‘60 të shekullit të kaluar, menjëherë binte në sy numri i madh i njerëzve që ecnin duke çaluar. Me rritjen e numrit të lindjeve, veçanërisht në fshatra, u shtuan edhe fëmijët që çalonin për shkak të një sëmundjeje të lindur, që quhet shkencërisht luksacion kokso–femoral i lindur (LKFL). Me këtë rast, unë i ftoj shqiptarët që të shohin në qytetet e fshatrat e tyre njerëzit fatkeq që çalojnë. Nuk kanë për të parë as edhe një. DR.

PANAJOT BOGA DHE NGADHËNJIMI MBI TË KEQEN

Ishte kirurgu i ri ortoped dr. Panajot Boga, shefi i sapoemëruar i Klinikës Ortopedike në Spitalin e Tiranës (1962), që ideoi, organizoi dhe implementoi luftën kundër kësaj sëmundjeje invalidizuese, që prekte veçanërisht vajzat (7/1). Duke qenë gjithmonë të patrajtuar, menjëherë u paraqitën në Klinikën Ortopedike kontingjente të mëdha nga të gjitha moshat, me ndërlikime të ndryshme invaliditeti. Përballimi i tyre kërkonte ekipe ortopedësh, kapacitete dhe pajisje spitalore, struktura ortopedike mbarëkombëtare etj. Por trajtimi i kësaj sëmundjeje të shpeshtë që shoqërohet me pasoja personale, familjare dhe sociale, kërkonte para së gjithash një drejtues shërbimi vizionar, të përkushtuar dhe këmbëngulës, cilësi të cilat i kishte me tepri Panajot Boga. Në vitet 1964-1965, fillimisht dr. P. Boga studioi dhe përvetësoi teknikat moderne kirurgjikale, të cilat në atë kohë sapo ishin futur në praktikat ortopedike edhe në vendet me mjekësi të zhvilluar të Europës.

Veçse, për sa i përket kësaj sëmundjeje të lindur, suksesi i plotë i operacioneve varet mbi të gjitha nga mosha e kryerjes së tyre, që duhet të jetë deri në moshën trevjeçare. Ndërkohë, në Klinikën Ortopedike u grumbullua një numër i madh fëmijësh edhe mbi moshën trevjeçare. Radha e pritjes për shtrim dhe operim i kalonte dy vjetët, ndërkohë që fëmijët do të rriteshin dhe do të bëheshin të patrajtueshëm, duke mbetur invalidë për gjithë jetën. Në këto kushte, dr. Panajot Boga, i karakterizuar nga humanizmi i pashoq dhe profesionalizmi, u përqendrua në dy drejtime që do të ishin: 1. Zgjerimi i bazës klinike në spitale për të operuar të gjithë fëmijët dhe 2. Organizimi i depistimit të kësaj sëmundjeje në shkallë vendi, për të bërë të mundur korrigjimin sa më të hershëm, duke filluar nga neonatët dhe latantët.

1. I mençur, i palodhur, këmbëngulës, energjik dhe i kudondodhur si vetëm ai, së bashku me stafin që e kishte përgatitur me kujdes të veçantë, dr. P. Boga ndërmori një iniciativë të guximshme, që më në fund e pranuan edhe autoritetet e kohës. Sipas propozimit të tij, u adoptua ndërtesa e Preventoriumit në plazhin e Durrësit me 150 shtretër, si qendër kirurgjikale dhe rehabilitimi për fëmijët e moshës 3-8 vjeç. Por shpejt lindi nevoja për shtimin e numrit të shtretërve, prandaj u adoptua edhe ndërtesa e ish-Maternitetit të Vjetër të Durrësit, me 130 shtretër të tjerë. Kështu, kapaciteti për hospitalizimin e fëmijëve me luksacion (LKFL) arriti në 320 shtretër, të shpërndarë në dy qytete (Tiranë e Durrës) dhe në tri spitale. Në këto ambiente spitalore u operuan dhe u rehabilituan gjatë 20 viteve, mijëra fëmijë me luksacione të abandonuara (mbi tre vjeç).

Pa ndërprerë aktivitetin në Klinikën Ortopedike të Tiranës, nën shembullin e shefit të tyre, duke punuar edhe pasditeve pa shpërblime materiale, i gjithë personeli mjekësor në sallat e operacioneve dhe pavijone punoi me devocion për të realizuar me sukses këtë ndërmarrje fisnike.

2. Por puna më e rëndësishme dhe më e vështirë për dr. Panajot Bogën ka qenë ajo e organizimit të depistimit për diagnostikimin dhe mjekimin e hershëm të fëmijëve deri 3 vjeç. Veçse shefit të klinikës iu desh shumë mund e kohë për të realizuar këtë objektiv madhor të ortopedisë moderne. Dr. P. Boga fillimisht përgatiti opinionin publik për domosdoshmërinë e kësaj ndërmarrjeje me leksione, mjete audiovizive, deri edhe me një film kinematografik të posaçëm. Më pas, së bashku me dr. E. Gjikën instruktuan mjekët dhe mamitë e Maternitetit të Tiranës (1971). Më vonë, të gjithë ortopedët e Klinikës së Ortopedisë u dërguan anekënd Shqipërisë në qytete e fshatra dhe instruktuan mamitë mbi teknikat e depistimit diagnostikues për LKFL dhe masat profilaktike (1971-1975). Kurse depistimi në shkallë kombëtare i detyrueshëm me ligj, pas këmbënguljes së dr. P. Bogës, u bë i mundur në vitin 1979. Problemi i radhës që kërkonte zgjidhje të shpejtë ishte mungesa e mjeteve të parafabrikuara për imobilizimin e anësive të prekura te fëmijët gjatë gjashtë muajve të parë të jetës. Me këtë rast shpërthyen edhe një herë cilësitë e dr. Panajotit si ideator dhe shpikës. Sipas projektit të tij origjinal, pas një pune të gjatë eksperimentale dhe shkencore, u prodhuan në vend në shkallë industriale shinat pneumatike abduktore, që rezultuan efikase te fëmijët me luksacion gjatë gjashtë muajve të parë të jetës. Mbi këtë moshë kryhej imobilizimi me gips, me autor ortopedin e mirënjohur dr.P.Karagjozi.

AKTIVITETI KLINIK, SHKENCOR DHE PEDAGOGJIK

Si shef modern i një shërbimi universitar, prof. Panajot Boga gërshetoi në masën e duhur aktivitetin e tij klinik me atë shkencor dhe pedagogjik.

Vëllimi i madh i punës që kryhej në të tria klinikat krijoi mundësi të pakufizueshme për punë kërkimore dhe shkencore, të cilat u paraqitën në një varg studimesh në formë artikujsh dhe referatesh të kryera ose të udhëhequra nga prof. P. Boga. Në këto studime që u botuan në shtypin tonë mjekësor dhe në atë të huaj, apo që u referuan në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe sidomos në simpoziumin e organizuar enkas në vitin 1985, u paraqitën edhe modifikimet e inovacionet origjinale të teknikave kirurgjikale të autorit prof P. Boga. Ato u paraqitën edhe në kongreset ortopedike të disa vendeve europiane (Paris 1971, 1984, 1989, 1994, Athinë (1999), Selanik (1997), Bukuresht 1986 etj.) dhe u botuan në revistat mjekësore shkencore të tyre.

Një nga artikujt e prof. P. Bogës, ku paraqiten teknikat origjinale të korrigjimit të LKFL te fëmijët e rritur dhe adoleshentë, u botua dy herë në revistën franceze “Revue de chirurgie ortopedique”, në vitet 1986 dhe 1990.

Sipas botimit të Fakultetit të Mjekësisë me titull “50 vjet histori” nën drejtimin e prof. Andrea Gudhës, rezulton që prof. Panajot Boga të jetë autor i 98 artikujve të botuar në revistat mjekësore shqiptare dhe 3 të tjerë në revista të huaja. Në qoftë se do të mblidhnim botimet e të gjithë anëtarëve të tjerë të ekipit të prof. P. Bogës, rezulton që ata kanë botuar 234 artikuj në revistat shqiptare dhe 8 në revista të huaja.

Prof P. Boga ka dhënë ndihmesën e tij të vyer edhe si pedagog i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Leksionet e tij që përfshinin në raportet e duhura përvojën si ortoped i talentuar dhe i përgatitur teorikisht, me arritjet e fundit të ortopedisë botërore, ndiqeshim me ëndje nga studentët, specializantët dhe ortopedët e rinj.

LINDJA E NËNSPECIALITETEVE

Gjatë viteve 1970-1980, dr. P. Boga shpalli profilizimin e veprimtarisë mjekuese dhe shkencore sipas patologjive dhe regjioneve të aparatit lokomotor, duke përcaktuar kështu nënspecialitetet që përshihen në specialitetin e ortopedisë së përgjithshme. Në këtë mënyrë u përmirësua ndjeshëm shërbimi ndaj të sëmurëve, u mundësua futja në praktikë e metodave më të përparuara të kohës dhe u thelluan më tej kërkimet shkencore.

Tashmë të sëmurët me patologji traumatike të gjurit i trajtonte kryesisht dr. P. Karagjozi dhe dr. Gj. Çaushi, frakturat e bërrylit i ndiqte dr. E. Gjika, patologjitë e dorës dr. V. Gjata, frakturat e skajit të sipërm femoral dr. I. Mazniku, displazitë acetabulare dr. V. Ruci, ndërsa trajtimi i skoliozave me korse dhe protezimet e anësive u avancuan nga dr. H. Iliazi.

Me këtë rast, duhet përmendur se nga ekipi që krijoi prof. P. Boga numërohen 7 mjekë me titullin “Profesor”.

Profesor Panajot Boga ka qenë në pararojë të të gjitha veprimtarive me karakter parandalues, mjekues, shkencor dhe pedagogjik. Novacionet e tij të shumta u implementuan në praktikën ortopedike të përditshme dhe u ngritën në rang protokollesh, që u zbatuan me sukses në sallat e operacioneve. Duke lënë pas një trashëgimi të shquar, ai do të jetë një model frymëzimi për të gjithë bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij në punët e tyre të përditshme.

Spitali Universitar i Ortopedisë dhe i Traumatologjisë mban emrin “PROFESOR PANAJOT BOGA”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura