Panairi ndan çmimet, autori i vitit, Betim Muço, me një libër të pambyllur

Nov 19, 2017 | 13:24
SHPËRNDAJE

Romani “Yjet janë fare pranë” i shkrimtarit Betim Muço, i ndarë nga jeta dy vjet më parë, botuar nga shtëpia botuese OMSCA-1, fitoi Çmimin e Madh në edicionin e 20-të të Panairit të Librit në Tiranë.

U zhvillua dje ceremonia e ndarjes së çmimeve të Panairit të Librit. Juria e këtij viti, përbërë nga përkthyesi Shpëtim Çuçka, kryetar i jurisë, shkrimtarja Flutura Açka, poetja dhe pedagogia Belfjore Qose dhe gazetarja Anisa Ymeri, pasi morën në shqyrtim kandidatët e ofruar për çmimet e këtij edicioni, vendosën për më të mirët, edhe pse sipas kryetarit Çuçka, nuk ishte aq e thjeshtë.

181117_CMIMET-E-PANAIRIT_15_2-800x450-696x392

E megjithatë, duket se në ndihmë u kanë ardhur ca kritere, që të kujtonin kritikën e para viteve ’90. Sipas Çuçkës, për krijimtarinë letrare më të mirë, u mor parasysh kriteri i “tematikës”, që sipas tij, në rastin e letërsisë shqipe, duhet të jetë sa më e “gjerë”, por edhe “gjuha letrare” e përdorur nga autori.

Shkrimtarja Flutura Açka shpalli edhe çmimin e shumëpritur, që iu dha autorit të ndjerë Betim Muço, për një roman të botuar pas vdekjes së tij, madje pa arritur dot as ta përfundojë atë. Sipas Açkës, ishte edhe një lloj “shlyerje” e një pengu. Mes shumë konkurrentësh të fortë në lëmë të përkthimit, e përzgjedhura e këtij viti qëlloi Diana Çuli.

Plot emocion për çmimin për librin studimor më të mirë, por edhe atë të mikut të tij, Betim Muço, u shpreh studiuesi Agron Alibali, për punën voluminoze për veprën kushtuar Faik Konicës. “Kemi luajtur me orë të tëra shah dhe dolëm barazim.

E lamë të luanim sërish, por ai humbi, duke u ndarë nga jeta, por bëri më të pabesueshmen, duke barazuar, duke dalë Remi me këtë çmim”, tha Alibali që ka sjellë në Shqipëri një vit më parë, një pjesë të bibliotekës së Konicës, duke përmbushur edhe amanetin e tij.

Ka surprizuar me një çmim edhe drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, studiuesja dhe kritikja, Persida Asllani, e cila mori çmimin për librin më të mirë për fëmijë. Një libër që do t’u mësojë më të vegjëlve për një grua të rrallë si Musine Kokalari, që këtë vit pati edhe 100-vjetorin e lindjes.

Me rastin e 20- vjetorit, organizatorët e Panairit vendosën të ndajmë edhe ca çmime për shtëpitë botuese, me një kontribut të veçantë në përçimin e librit te lexuesi, si dhe bashkëpunë- torë të ngushtë, siç janë libraritë e librarët.

U nderuan me çmim shtëpia botuese “Onufri”, që këto ditë bën 25 vjet jetë dhe “Pika pa sipërfaqe”, një shtëpi botuese e re, por që ka sjellë tituj e autorë mjaft të mirë. Sa për librarët, ata i përkasin trevave të ndryshme, që nga Tirana, Shkodra e Prishtina dhe përkatësisht “Adrion”, “Artin” dhe Libraria Universitare në Shkodër.

PANAIRI

Me apo pa fonde, me uljengritje, me më pak tituj e të ftuar, Panairi i Librit mbushi këtë vit 20 vjet. Rreth 100 shtëpi botuese, ente, institucione dhe individë morën pjesë në këtë edicion, i cili mbyllet sot në Pallatin e Kongreseve. Konfiguracioni i vendosjes së shtëpive botuese në pazëllin e panairit ishte thuajse ai i përhershmi. “Onufri” e “Toena” në të njëjtat pozicione, në “cepat” e sallës, në të njëjtat hapësira më modeste, por jo pa vë- mendje, edhe “Dudaj” e “Omsca 1”; ka fituar më shumë terren UET, që këtë vit nuk pati ndonjë dyndje të madhe pa “yjet” e stendës, Fevziu e Blushi, për autografet e të cilëve fansat shtyheshin në radhë.

Hapësira simpatike dhe jo të pakta në metra kishin edhe “Ombra GVG”, “Pegi”, “Albas”, etj. Interesante stenda e drunjtë e “Çabejt”, hapësira të ngushta ekspozuese për shtëpitë botuese më të vogla. Modestisht në hapësira, por jo në tituj janë paraqitur edhe Akademia e Shkencave dhe Akademia Albanologjike. Nuk pati promovime të bujshme, por nuk munguan debatet për çështje të taksave të botuesve, të krijuesve, çështje të përkthimit dhe leximit. Edhe këtë vit, panairi mblodhi jo pak vizitorë, që me aq sa mundën, i blenë ca tituj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura