Panairi i ndërtimit, sipërmarrësit vendas e të huaj bashkë për rritjen e standardeve

Sep 22, 2018 | 21:38
SHPËRNDAJE

Sipërmarrës vendas dhe të huaj diskutuan sot në Tiranë për rritjen e cilësisë dhe standardeve bashkëkohore në sektorin e ndërtimit.

panairi-i-ndertimit-1-696x484

Të pranishëm në Konferencën vjetore të Ndërtimit “Ndërto një Botë më të mirë“, që u zhvillua në kuadër të Panairit të Ndërtimit “Shqipëria 2018” në Tiranë, përfaqësues të sektorit të ndërtimit vunë theksin në rritjen e standardeve, si një nga sfidat kryesore me të cilat përballet ky sektor sot.

Klajdi Bektashi, organizator i konferencës tha se, sot në ndërtim shënohen investime të mëdha të cilat e kanë shndërruar këtë sektor në një nga shtyllat kryesore që gjeneron të ardhura të konsiderueshme në ekonominë e vendit.

b

Në këtë aspekt, theksoi Bektashi, aplikimi i teknologjive të reja bashkëkohore dhe rritja e standardeve sipas BE-së merr një prioritet të veçantë.

Në totalin prej 4300 standarde që ka shitur Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) sektori i ndërtimit ka qenë edhe më i angazhuar për blerjen e tyre me rreth 970 standarde që lidhen me këtë fushë.

Ndër të tjera konferenca diskutoi mbi teknologjitë e reja në ndërtim që ulin ndotjen ndaj mjedisit, rrisin cilësinë dhe garantojnë qëndrueshmëri të ndërtimit.

Sipërmarrësit në këtë takim parashtruan edhe programet sociale që mund të zbatojë ky sektor për punësimin e kategorive me aftësitë të kufizuar, krahas numrit të lartë fuqisë punëtore që angazhon me punë në multi sektorët që është i ndërlidhur.

Ndërsa kompani të huaja prezantuan risitë në teknologjitë e lëndëve të para dhe materialeve të ndërtimit.

Në Panairin e Ndërtimit “Shqipëria 2018” që është çelur në Tiranë, nga data 21-23 shtator marrin pjesë mbi 100 kompani nga vendi, Ballkani e më gjerë të cilat ekspozojnë produktet dhe teknologjitë më të reja për çdo industri të madhe të ndërtimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura