Panairi i Librit ngre nesër siparin, 100 ekspozues e 80 promovime të reja. Disa nga surprizat e këtij viti

Nov 12, 2019 | 11:35
SHPËRNDAJE

WhatsApp-Image-2018-11-14-at-2.17.54-PM

ANILA DEDAJ/ Panairi i 22-të i Librit ngre nesër siparin në Pallatin e Kongreseve, në orën 9:00. Për 5 ditë, 100 ekspozues, ndër të cilët botues, institucione kulturore e përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, do të mund të njohin lexuesin me prurjet e fundit të librit. 

Nuk do të mungojnë as përfaqësuesit e huaj që jetojnë në Shqipëri e që janë të lidhur me fushën e librit e të kulturës.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, bëri dje me dije se krahas 80 promovimeve, gjatë këtij panairi do të ketë edhe shumë aktivitete që kanë të bëjnë me botimin, përkthimin, si dhe njohjen e kulturës ballkanike e europiane në Shqipëri.

“Të gjithë botuesit janë të përgatitur, autorët kanë shprehur entuziazëm e përkthyesit po ashtu. Sepse, kjo është një mënyrë e mirë që ata të evidentojnë punën e tyre 1-vjeçare. Ne kërkojmë që t’i orientojmë lexuesit, që ata të dinë se çfarë të kërkojnë në panair. Sepse, është e qartë, mbreti i panairit është lexuesi, ndërsa ne jemi aktorët e synimi ynë është që në fund, lexuesit të mbeten të kënaqur”, tha Ymeri.

Për sa i përket jurisë që do të përzgjedhë botimet më të mira për këtë vit, botuesi tha se prej dy muajsh po punohet në këtë drejtim. Ndërkohë që u zbuluan dje edhe disa nga tematikat që do të diskutohen gjatë ceremonisë së çeljes së Panairit të Librit (në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, ora 11:00), që lidhet me hapat përparimtarë të editorisë, në raport me institucionet shtetërore.

“Ne jemi disa hapa më përpara, duke nisur nga cilësia e punës, marrëdhënia me kulturën evropiane etj. Mirëpo, përballemi me një indiferencë të dukshme të institucioneve shtetërore, kur vjen fjala për të ndihmuar sistemin libror në Shqipëri”, u shpreh Ymeri.

Kryetari i shoqatës së botuesve ndali gjithashtu te problematikat e shumëdiskutuara lidhur me funksionimin e sistemit bibliotekar. Ai u shpreh se gjatë viteve të fundit, ky sistem, veçanërisht për sa u përket bibliotekave publike, nuk ka marrë vëmendjen e merituar, madje është neglizhuar më shumë se vitet e mëparshme.

Në këtë edicion të 22-të të panairit, siç Ymeri tregon, përkthimet kanë marrë vëmendjen maksimale të botuesve.

“Kemi bërë të mundur përkthimin dhe botimin e kryeveprave të letërsisë europiane dhe asaj ballkanike, të cilën për arsye politike, kulturore por edhe mangësive të tjera, nuk e kemi njohur siç duhet”, tha botuesi.

Për të pasionuarit e letërsisë triller, gjatë këtij panairi nuk do të mungojnë diskutimet edhe rreth këtij zhanri.

Tema “A është letërsia triller një risi tek ne, apo trend që vjen nga letërsia europiane?”, fton lexues, përkthyes e autor në një tryezë të përbashkët, ku do të shkëmbehen ide. Sipas Ymerit, Panairi i 22- të i Librit, me të cilin lexuesi do të përballet këtë vit është krahasueshëm me panairet ndërkombëtare. Panairi do të jetë i hapur për vizitorët çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 21:00.

Në datën 16 nëntor, në sallën ovale, ora 12:00 do të bëhet edhe ndarja e çmimeve, ndërsa të dielën që është edhe dita e fundit për këtë edicion të 22-të, panairi do të ulë siparin një orë më herët.

Nga Elia Zaharia te Zija Çela, disa nga surprizat e këtij Panairi

Si fitues i vitit të kaluar, shkrimtari Mehmet Kraja i bashkohet sërish Panairit të Librit me “Identiteti kosovar” të “UET Press”, si dhe ribotimin e “Udhëzime për kapërcimin e detit” të shtëpisë botuese “Onufri”.

“Po risjell këtë roman në vëmendje të ndonjë lexuesi të mundshëm, ndoshta jo për të rikthyer në kujtesë një kohë që nuk na duhet më, por më shumë për të dëshmuar një përvojë shkrimi pak më ndryshe dhe për të mbajtur disi më të plotë tablonë e gjithë mozaikut të letërsisë sonë në një periudhë më të gjatë kohore, e cila tashmë qëndron në kufijtë e historisë”, shprehet Kraja. Edhe shkrimtari Zija Çela vjen në këtë panair me librin e ri “Lavjerrësi i qytetit” (shtëpia botuese “Toena”).

I konsideruar si një nga romanet më të mira postkomuniste, vjen në shqip “Vendi ku nuk vdiset kurrë” i Ornela Vorpsit (shtëpia botuese “Dudaj”). Botimet “UET Press” sjellin në këtë edicion disa botime të personaliteteve më të spikatura si: “Ndikuesit”, e studiueses Belina Budini; “Tirana e nonës”, e Blendi Fevziut; “Anjeza nuk u zgjua”, e Preç Zogajt etj. Ndërsa Elia Zaharia ka vendosur t’i bashkohet ngjarjes më të rëndësishme të librit me një botim për fëmijë. “Trëndafili i bardhë” i dedikohet Mbretëreshës Geraldinë.

“Mezi pres të takohemi në Panairin e Librit! Shpresoj shumë që përralla ime të arrijë në zemrat tuaja”, shkruan Elia në rrjetet sociale.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura