Panairi: Ditari i Drita Çomos përkthehet në italisht

Nov 19, 2012 | 13:27
SHPËRNDAJE

“Një natë të ftohtë të vitit 1981, në një nga dhomat e spitalit Onkologjik të Tiranës ndodhte një skenë dhembjeje, tepër e njohur në këto mjedise: përbri shtratit të një vajze të re njëzetetrevjeçare, që ishte në grahmat e fundit të jetës, nëna e saj, e kërrusur nga brenga bënte të vetmen gjë që shumica e të afërmve bëjnë në kësi rastesh, i lagte buzët. Skena ishte diçka e përsëritur qindra herë në këtë ndërtesë të trishtë. E veçanta ishte se tek dera e dhomës së vajzës që po jepte shpirt, nënën e mjeruar e prisnin në këmbë dy njerëz të policisë së fshehtë shqiptare. Ata nuk e fshihnin padurimin, madje njëri prej tyre i tha gruas të shpejtonte. Edhe kjo nuk ishte e rrallë në Shqipërinë komuniste.”
Me një parathënie të Ismail Kadaresë, vijnë tashmë të përkthyera në gjuhën italiane, nga Klara Kodra, copëzat e ditarit dhe poezitë e Drita Çomos. Promovimi I këtij libri është bërë ditën e tretë të Panairit të Librit, nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Italianët e kanë quajtur Drita Çomon, Anna Frank shqiptare. “Kur pash librin e Dritës, ishte si një zbulim për mua, shumë prekës. E rikrijova në një gjuhë tjetër, atë të nënës sime. Është dëshmi e një diktature të ashpër, zbulimi i botës komplekse të një vajze të re që shkruan me forcë në poezitë e saj”- tha Kodra në prezantimin e librit.
…vajza vdiq dy ditë më pas nga vizita e nënës, në moshën 23- vjeçare, krejt e vetmuar, në një shtrat të spitalit Onkologjik. Qysh foshnjë kishte qenë në internim. Në moshën 18-vjeçare ishte prekur nga sëmundja e pashërueshme. Nga vjershat dhe ditarët e saj del fare e qartë se e ka ditur gjithmonë se do të vdiste shpejt. Gjithë rinia e saj kishte kaluar nën kërcënimin e vdekjes.

Ata që do të vinë, të mos pyesin përse jetuam.
Jetuam, që ata mos jetojnë si ne
Që ata të kenë ëndrra të lira
si deti
Të mos  e njohin ngushtësinë makabre të qelive.
Që ata ta duan diellin dhe njëri-tjetrin

Që ata ta dinë se çdo të thotë Dhembje

D.Çomo (4-5.VIII.77)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura