Panairet ndërkombëtare si tallje për Shqipërinë

Nov 30, 2015 | 11:13
SHPËRNDAJE

jamarber-mallteziJAMARBËR MALLTEZI

Tani që përfunduan disa nga panairet më të mëdha europiane ku kishte pavijon edhe Shqipëria, është koha të reflektojmë dhe të bëjmë një pyetje të thjeshtë: Pse po i shpenzojmë paratë? Nëse na duhen, a po i shfrytë- zojmë si duhet, apo po shpenzojmë para më kot? Marrim tre shembujt më të fundit, përkatësisht Bienalja e Venecias, Expo 2015 në Milano dhe Panairi i Oslos.

Në Bienalen e Venecias, Shqipëria u përfaqësua me skeletin e njërës prej balenave që përfunduan në breg të Durrësit, në vitet 1960, të ruajtur në Muzeun e Shkencave të Natyrës, pjesë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dhe me një avion të rrë- zuar në mesin e viteve ’60 në Shqipëri. U paguan të paktën 200,000 euro për qiranë e sallës dhe dhjetëra-mijëra euro të tjera për transportin e tyre. A ia vlen të shpenzohen këto para? Cili është mesazhi që u japim turistëve?

Pse, a nuk ka balena në detet që lagin Italinë apo shtetet e tjera europiane? Pse do të joshet ndonjë turist të vijë në Shqipëri, nëse sheh një skelet balene nga ato që ngecën në rërën e Durrësit, apo nga një avion i vjetër amerikan? Sa është investimi i kthyer në ekonomi nga gjithë këto para të shpenzuara?

Në Expo 2015, Shqipëria shpenzoi përsëri mbi 250,000 euro dhe, sipas gazetarëve, kishte dërguar një mulli uji të prerë në mes, si edhe disa shishe vere siciliane!!! “Verë siciliane në vend të verës shqiptare”, shkroi fotoreporteri Armando Babani në statusin e tij në “Facebook”, si edhe “një mulli uji, që nuk sqarohet se ç’është, përveçse ndonjë vajze që mund të ta tregojë”.

Ndonëse në çelje të panairit u fol për prodhime dhe produkte shqiptare, në stendën tonë nuk kishte produkte vendi, por siciliane. Shteti shqiptar ka hedhur 250,000 euro për pavijonin shqiptar në këtë panair, POR sa nga këto para mund të rikthehen si investime, shtim të turistëve apo lidhje kontratash biznesi me prodhuesit shqiptarë? Asnjë dhe asgjë. Atëherë, nëse nuk realizojmë asnjë rikthim të investimit, pse shpenzojmë gjithë këto para?

Në panairin e Oslos, pavijoni shqiptar kishte disa stenda krejtësisht boshe. Në një cep dukej një hartë e vogël e Shqipërisë. A ia vlen të marrësh pjesë në këtë panair me një stendë boshe? A ia vlen të shpenzohen paratë e taksapaguesve për të treguar ca stenda boshe? Disa “qerratallarë” kanë përlarë paratë për të organizuar stendën e Shqipërisë, por vlera e rikthyer e parave në ekonomi është zero, përveç asaj për “qerratallarët” që përlanë milionat.

Një shtet serioz reflekton qysh para se të shpenzojë paratë dhe diskuton gjasat e prezantimit sa më të mirë, dinjitoz, por edhe me rikthim të vlerës së investimit. Për fat të keq, asnjë nga shembujt e mësipërm nuk ishte as dinjitoz dhe as ekonomikisht i vlefshëm – përveç atyre që përlanë tenderat e panaireve.

Nëse do të kishim një shtet serioz, pasi që ndodhet para skandaleve të këtilla, do të duhej që të reflektonte dhe të çonte para përgjegjësisë gjithë personat që çuan në dështim dhe në shpenzim të pacipë të parave publike pa sjellë asnjë risi apo investim të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura