Pamundësia e dhimbshme e mandatit të tretë

Sep 3, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

fitim-zekthi-150x150

Dy ditë më parë, Kryemi nistri Rama foli për zgjedhjet e ardhshme, për mandatin e tretë qeverisës, për fitoren e zgjedhjeve nga ai. Në pamje të parë, kjo është një gjë normale. Një qeveri në një demokraci synon të fitojë zgjedhjet, pavarësisht se sa kohë ajo ka në pushtet. Megjithatë, demokracitë zgjedhjet, fushatat, janë të pamëshirshme me qeveritë dhe shumë e shumë kryeministra, edhe shumë prej atyre që kanë pasur rezultate të mira në punën e tyre, kanë humbur. Janë shumë të rralla rastet në historinë e botës kur një Kryeministër ka qëndruar për tri mandate ose për 12 vite në pushtet.

Kështu, në Britaninë e madhe, e cila ka pasur rreth 80 kryeministra që nga viti 1721 kur qeveria dhe sistemi politik mori pak a shumë formën që ka sot, vetëm 6 kryeministra kanë arritur të qëndrojnë në pushtet më shumë se dy mandate.

Katër prej tyre i përkasin periudhës së artë, kur Britania u bë perandoria më e madhe e kohës, një periudhë qëndrueshmërie, zgjerimi dhe begatie të rrallë. Ata janë: Henry Pelham, që qëndroi në pushtet 11 vjet (1743- 1754); Frederic North 12 vjet (1770-1782); Kryeministri legjendar William Pitt 18 vjet (1783-1801)dhe Robert Jenkinson, 15 vjet (1812-1827). Nga viti 1827 deri kur u bë kryeministre Margaret Thatcher në 1979, pra, 152 vjet, asnjë Kryeministër nuk qëndroi në pushtet për tri mandate. Pas Thatcherit që qëndroi 11 vite, mandatin e tretë e fitoi edhe Toni Blair, por nuk arriti ta përfundojë atë. Kryeministra të mrekullueshëm, njerëz që kanë bërë histori si Churchill dhe Disraeli, nuk fituan dot një mandat të tretë.

Që nga koha kur Charles Talleyrand-i u bë Kryeministër në vitin 1815, kur Franca gjeti një lloj paqeje dhe sistemi politik fitoi qëndrueshmëri pas dekadash revolucion dhe krizë, ai vend ka pasur 119 kryeministra apo kryetarë qeverish. Asnjëri prej tyre nuk ka qëndruar në pushtet mbi tetë vite (pra, më shumë se dy mandate). Edhe politikanë të mëdhenj si Poincare, Clemanseau, Thiers, De Gaulle nuk kanë qëndruar më shumë se tetë vite.

Pasi bashkoi Gjermaninë dhe u bë Kancelar, Otto Bismarku qëndroi në detyrë për rreth 17 vjet. Që nga ajo kohë (160 vjet), Gjermania ka pasur rreth 30 kancelarë, nga këta vetëm katër kanë fituar një mandat të tretë. Hitleri, i cili qëndroi në pushtet nga viti 1933 deri në 1945; Konrad Adenauer që qëndroi 14 vjet; Helmut Kohl që qëndroi 16 vjet dhe Merkel që është në mandatin e saj të katërt. Nuk morën dot mandat të tretë (disa as të dytë) politikanë të rrallë si Erhard, Schmit, Brand etj.

Kudo vihet re e njëjta sjellje edhe për vende si Italia apo Spanja, si Belgjika apo si Austria, si Rumania apo Polonia etj.

Kur kanë humbur kryeministra të shkëlqyer, kur nga qindra e qindra kryeministra mezi marrin një mandat të tretë gjatë një historie gati 200-vjeçare vetëm 9-10 prej tyre, atëherë si mund të marrë Rama një mandat të tretë?

Vetëm një arsye, madhore, me domethënie historike mund të çojë një kryetar qeverie drejt fitores së mandatit të tretë në një demokraci. Mark Lazar, profesor në Science po në Paris, thotë se duhen arritje që ndryshojnë epokën, që e fusin vendin në një erë të re ose që përballojnë një luftë apo rrezik shkatërrimtar për kombin që të fitohet mandati i tretë. Vetëm arsye të tilla mbajtën në pushtet Willim Pitt apo Frederik North kur qeverisja e tyre e bëri Britaninë “mbretërinë ku nuk perëndon dielli kurrë”, e zgjeroi në Indi, në Afrikë, në Paqësor, prodhoi revolucionin gjigant industrial dhe shkencor etj. Vetëm arsye të tilla madhore i dhanë një mandat të tretë Thatcher-it siç ishin nxjerrja e vendit nga kriza e thellë ekonomike e Pasluftës së Dytë, lufta ndaj bllokut komunist, rikthimi i Britanisë në rolin e vet global etj. Vetëm arsye madhore si bashkimi i Gjermanisë, ringritja dhe mbyllja e plagëve të tmerrshme të luftës i dhanë mandat të tretë Bismarkut apo Adenauerit dhe Kohlit. Merkel, ndërkohë, bëri që Gjermania e bashkuar të jetë lideri i Europës.

Është e qartë se Rama e ka çuar vendin në një situatë shumë të rëndë dhe do të ishte qesharake të analizonim qeverisjen e Ramës për të parë nëse ka bërë ajo gjëra të tilla madhore.

Qeverisja e Ramës ka dy aspekte themelore dhe që të dyja janë shumë të ulëta, shkatërrimtare dhe pa dyshim nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën, të lartën (arsyen madhore). Këto dy aspekte kanë të bëjnë me shkatërrimin e ekonomisë kombëtare, mjer imin e shumicës së njerëzve, papunësinë e lartë, rritjen e frikshme të borxhit publik, korrupsionin e padëgjuar me koncesionet dhe me mënyrën sesi shpërndahet e mira publike. Aspekti tjetër është degradimi i jetës institucionale, shkatërrimi i gjykatave, blerja kirurgjikale e zgjedhjeve, mbushja e Parlamentit dhe e zyrave të shtetit me njerëz që vijnë nga bota e trafikut të drogës etj.

Rama vetë nuk e thotë dot që ai ka një rol si Willim Pitt apo si Bismarku, si Adenauer apo si Kohl dhe kësisoj do të fitojë një mandat të tretë.

Rama tha, kur shpalli kërkimin e mandatit të tretë, se ai është alternativa më e mirë dhe se opozita është humbëse apo nuk është aq e mirë sa ai. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, edhe sikur ai të ishte alternativa më e mirë dhe opozita të mos ishte një alternativë, përsëri kjo nuk mjafton që Rama të marrë një mandat të tretë. Nuk ka mjaftuar kurrë në historinë e botës kjo gjë për të marrë mandatin e tretë. Rama, që e ka çuar kaq keq Shqipërinë, që e ka zhytur në dëshpërim dhe mjerim vendin, nuk mund të fitojë më kurrë. Poincare në Francë kishte përballë kundërshtarë të dobët, por humbi. Clemanseau po në Francë kishte përballë kundërshtarë të dobët, por humbi. Churchill, ndonëse fitoi luftën dhe kishte përballë një parti laburiste të dobët dhe në konflikt të brendshëm, humbi dhe nuk fitoi mandatin e tretë. Helmut Schmitt kishte përballë kundërshtarë në krizë, por humbi. Dhe të gjithë këta ishin qeveritarë shumë të fortë, kishin bërë transformime të mëdha, nuk ishin njerëz që gënjenin gjithë ditën si Rama, nuk ishin njerëz që kishin mbjellë vendet me drogë si Rama, nuk ishin njerëz që kishin futur në kuvend trafikantë droge dhe as kishin mbajtur me dhunë një ministër të Brendshëm të dyshuar si organizator i trafikut të drogës si Rama. Pra, as këta nuk e morën dot një mandat të tretë, edhe përballë opozitave të tyre të dobëta.

Nga ana tjetër, opozita në Shqipëri nuk është fare e dobët. Opozita në këto shtatë vite ka bërë gjëra të rëndësishme dhe të admirueshme. Ajo ka thënë të vërteta të mëdha mbi trafikun e drogës dhe mbi korrupsionin, mbi mbushjen e vendit me hashash, mbi mbushjen e Parlamentit me trafikantë, mbi koncesionet dhe vjedhjet, mbi krimin e organizuar. Opozita ka qëndruar apo është kthyer në digë përballë një qeverisjeje që zhduku institucionet dhe zgjedhjet dhe që i pa shqiptarët dhe Shqipërinë si objekt që mund të shërbenin për interesat e saj. Opozita gjithashtu ka prodhuar ide mbi ekonominë dhe rendin, mbi ligjin dhe mbi Reformën në Drejtësi. Është kjo opozitë që detyroi rishikimin e projekteve të reformës nga Komisioni i Venecias, është kjo opozitë që solli ligjin për dekriminalizimin. Opozita ka prodhuar ide për shëndetësinë dhe punësimin, për luftën ndaj pandemisë dhe krizës ekonomike, për shkollat dhe pagat. Pavarësisht se qeveria kontrollon mediat dhe të gjitha pushtetet dhe ka degjeneruar debatin publik duke e sharë dhe fyer, duke e vjedhur dhe rrahur opozitën, ajo gjithsesi ka dëshmuar qëndrueshmëri të lartë. Këto janë të vërteta të dukshme.

Rama, në këto kushte, nuk ka asnjë shpëtim, është si i dënuari që pret ditën e ekzekutimit. Humbja e tij do të jetë e thellë. Nuk ka asnjë kombinim, asnjë shkencë politike, asnjë rrethanë sociale apo sociologjike që t’i japë atij mundësinë për të shpresuar. Drama e Ramës është se fitoren e mandatit të tretë nuk e besojnë njerëz të kabinetit të tij, nuk e besojnë socialistët dhe zyrtarët e tij. Të gjithë e kuptojnë kur diçkaje i vjen fundi. Drama e Ramës është se ai pasi ka luftuar me veten egërsisht, që ta bindë atë të hyjë në luftën për mandatin e tretë, i duhet të përballet me kabinetin dhe Partinë Socialiste që nuk e beson dot. Në këtë pikë, Rama mbetet i vetëm.

Kancelarja Merkel, ditën që fitoi zgjedhjet për herë të parë, tha se ajo do të kuptonte vetë se kur vjen fundi, se kur qeverisja nuk ecën më, se kur nuk ke çfarë jep asgjë, se nuk do të kacavirrej kurrë pas pushtetit, politikanët e kanë për detyrë ta mendojnë këtë çdo ditë. Rama si një politikan i vogël dhe banal, bash si Lukashenko apo si Maduro, bën të kundërtën. Kërkon që mandatin e tretë ta marrë si ata. Por vjen një pikë dhe as si ata nuk e fiton dot më. Edhe Maduro me Lukashenkon nuk do ta merrnin nëse nuk do të ishte pas tyre Rusia apo Kina.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura