PAMJET/ Kontrolle nga toka dhe ajri, si u zbulua magazina e lëndëve narkotike duke përdorur dronët. Dy persona në pranga

Jun 28, 2022 | 10:40
SHPËRNDAJE

Kontrollet masive të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur edhe dronë, kanë zbuluar gjatë operacionit të koduar “Next” një magazinë të përshtatuar për përgatitjen e lëndëve narkotike.

Policia arrestoi në flagrancë një shtetas si dhe shpalli në kërkim një tjetër, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këto veprimtari kriminale.

Ndërkohë në pranga një tjetër shtetas perfundoi për moskallëzim krimi, si dhe eshte proceduar në gjendje të lirë kryetari i fshatit, për shpërdorim detyre.

Njoftimi nga policia

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar dhe në informacionet e siguruara, kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit, duke përdorur dronë dhe agjentë në terren.

Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Next”, gjatë të cilit, në fshatin Gocaj, njësia administrative Balldre, rrethi Lezhë, në një ambient të mbyllur, të përshtatur si magazinë, në pronësi të shtetasit E. Gj., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në kubikë, bimë të dyshuara narkotike në proçes tharjeje, si dhe një sasi lënde narkotike në formë boçesh.

Gjithashtu, në vijim të operacionit, në një sipërfaqe toke buzë lumit Drin, në njësinë administrative Kallmet, janë gjetur bimë të dyshuara narkotike, që dyshohet se janë kultivuar nga shtetasi E. Gj.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi E. Gj., 36 vjeç, banues në Gocaj, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në Balldre, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këto veprimtari kriminale.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë operacion, u arrestua në flagrancë shtetasi M. C., 24 vjeç, banues në Balldre, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Gj. N., 55 vjeç, banues në Gocaj, me detyrë kryetar i fshatit Gocaj, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura